Bashkimi Evropian do ta diskutojë në takimin e radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi statusin e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Data e takimit nuk është caktuar ende. Ura mbi lumin Ibër shënon vijën ndarëse të qytetit të Mitrovicës, në veri e banuar me shumicë serbe dhe në jug e banuar me shumicë shqiptare. Qeveria e Kosovës megjithë kundërshtimin ndërkombëtar që ura mos të hapet në këtë fazë, synon hapjen e saj edhe për qarkullimin e automjeteve.
"Çështja e urës, siç e dini, është pjesë e çështjes së dialogut, pavarësisht faktit që qeveria e Kosovës po bën të kundërtën”, tha në Bruksel zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Nabila Massrali.
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar më parë, se mund të shtojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, nëse autoritetet e Prishtinës vazhdojnë me veprime të njëanshme e të pa koordinuara në veri të vendit që banohet me shumicë serbe.
Kurti: Në vitin 2016 janë përmbyllur të gjitha diskutimet
Ndryshe është shprehur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Sipas tij, ura e Ibrit në Mitrovicë duhet të hapet dhe se kjo është çështje e Kosovës, diskutimi rreth së cilës siç thotë Kurti, "është përmbyllur sa i përket Brukselit në vitin 2016-2017”.
"Nuk është çështje diskutimi, është çështje hapje. Në vitin 2016 janë përmbyllur të gjitha diskutimet dhe është thënë që ura duhet të hapet më 20 janar 2017. Tash nuk jemi as në janar as në 2017, jemi në gusht 2024”, ka deklaruar Kurti.
Ndërkohë zyrtarë nga Ministria e Infrastrukturës në qeverinë e Kosovës e kanë marrë raportin teknik mbi qëndrueshmërinë e urës kryesore mbi Ibër, si parapërgatitje për hapjen e saj edhe për qarkullimin e makinave.
"Raporti konkludon qartë se struktura e urës mbi lumin Ibër është stabile dhe funksionale dhe si e tillë mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim në ngarkesë”, shkroi në profilin e tij social, zëvendësministri i Infrastrukturës Hysen Durmishi.
Takimi Kurti-Ulutaş
Të martën vonë, u zhvillua një takim ndërmjet kryeministrit Kurti dhe Komandantit të KFOR-it, gjeneralit Özkan Ulutaş, ku u diskutua çështja e hapjes së urës. Ushtarët e KFOR-it aktualisht po qëndrojnë me makina ushtarake mbi urën e Lumit Ibër. Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, thanë pas takimit në një komunikatë për medie se “është thelbësore që të gjitha palët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione”.
Ato përsëritën se “çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duhet të merret në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.
"Ne kemi një prani të dukshme dhe fleksibël në mbarë Kosovën dhe komandanti i KFOR-it ka autoritetin për ta përshtatur atë sipas nevojës dhe nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.
Forcat paqeruajtëse të KFOR-i kanë theksuar, se mbajnë "një prani të trupave në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe kryejnë patrullime të rregullta në zonat përreth”.
Qeveria e Kosovës informon KFOR për punimet
Qeveria e Kosovës e shikon hapjen e urës si simbol të normalizimit të marrëdhënieve ndëretnike” dhe nuk heq dorë nga synimi për hapjen e saj. Në një komunikatë për media pas takimin, thuhet se kryeministri Albin Kurti e ka njoftuar komandantin e KFOR-it Özkan Ulutaş “mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe rezultatet nga raporti preliminar i vlerësimit të qëndrueshmërisë së saj”.
"Kryeministri Albin Kurti është i bindur se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit, paqja dhe siguria janë të gjitha të mundura bashkë dhe të duhura”, thuhet në komunikatë.
SHBA kundër
Synimet e qeverisë së Kosovës për hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, kundërshtohen nga pjesëtarët e komunitetit serb dhe në këtë fazë kundërshtohen jo vetëm nga Bashkimi Evropian, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për mediet amerikane,"se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë”.
"Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha ambasadori Hovenier.
Ai shton se "shpresa jonë është që qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t'i marrë parasysh këto shqetësime”. DW