Peter Stano

BE: Veprimet e fundit në veri mund të ndikojnë negativisht në heqjen e masave ndaj Kosovës

6 Gusht, 16:54| Përditesimi: 6 Gusht, 16:57

  • Share

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka lënë të kuptohet të martën, në mënyrë indirekte se, veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës në veri, mund të kenë ndikim negativ në mundësinë e heqjes së masave ndëshkuese, të vëna ndaj Kosovës më shumë se një vit më parë.

“Fakti që BE-ja vendosi masa kundër Kosovës, vitin e kaluar, është pasqyrë e hapave që çuan në përshkallëzim. Tani shohim më shumë hapa të njëanshëm dhe më shumë veprime të pakoordinuara. Ky, në të vërtetë, nuk është shtensionim. Kjo çon në përshkallëzim të mëtejshëm. Këtë duhet ta kuptojnë qartë ata që marrin vendime në Prishtinë”, ka thënë Stano.

Më 5 gusht, autoritetet e Kosovës kanë mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri të Kosovës, me arsyetimin se puna aty është kryer pa licencë dhe pa regjistrim në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

Bashkimi Evropian ka thënë se veprimet e autoriteteve të Kosovës janë të njëanshme dhe të pakoordinuara dhe në kundërshtim me marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë, në dialogun që ndërmjetëson vetë blloku evropian.

Shtetet e Bashkuara kanë reaguar, gjithashtu, ndaj vendimit, duke thënë se janë të tejet të zhgënjyera me veprimet e kryera.

Stano ka përsëritur sërish të martën që autoritetet e Kosovës të rishqyrtojnë vendimin dhe të gjejnë zgjidhje për këtë çështje, në kuadër të dialogut.

“Ne e kemi bërë shumë të qartë se çfarë presim nga Qeveria e Kurtit. Presim që ta shqyrtojë dhe trajtojë këtë çështje në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, dhe të paraqesë propozime që do të trajtonin ndikimin e mundshëm negativ të këtij vendimi në popullin e veriut të Kosovës”, ka thënë mes tjerash Stano.

I pyetur për pasojat e mundshme të aplikimit të Kosovës për të fituar statustin e vendimit kandidat për anëtarësim në BE, dhe në heqjen e masave të vëna ndaj Kosovës më 2023, Stano ka vlerësuar që të gjitha këto janë “fusha ku Kosova ka probleme”.

Më herët gjatë ditës edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se veprimet e tilla të Kosovës rrezikojnë bllokimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, më 15 dhjetor të vitit 2022. Por, ky aplikim ende nuk është shqyrtuar dhe rrjedhimisht Kosova mbetet vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që nuk ka statusin e vendit kandidat.

Më 6 gusht, Posta e Serbisë ka thënë se i janë ndaluar dërgesat postare në veri të Kosovës.

Sipas saj, Policia e Kosovës i ka ndaluar në pikën kufitare të Jarinjës, dërgesat postare që po transportoheshin përmes një furgoni të linjës së rregullt mes Rashkës në Serbi dhe Graçanicës në Kosovë.

Ajo ka bërë thirrje për zgjidhjen e kësaj situate, uljen e menjëhershëm të tensioneve dhe që të mundësohet funksionimi pa pengesa i transportit postar në veri të Kosovës.

Çfarë bën Posta e Serbisë në Kosovë?

Posta e Serbisë në Kosovë kryen pagesa të ndryshme për serbët në Kosovë, prej fondeve që ndan Qeveria serbe për ta, përfshirë: pagat, shtesat për fëmijë dhe pensionet.

Gjithashtu, përmes Postës së Serbisë, në Kosovë kryhen edhe pagesa të ndryshme për shërbimet që marrin qytetarët nga institucionet paralele, që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, për shembull, pagesa për nxjerrjen e dokumenteve serbe, pagesa për provime, dërgesa të parave, e tjera.

Puna e Postës është vështirësuar prej fillimit të këtij viti, për shkak të një vendimi të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i cili e ka bërë euron si valutë të vetme për kryeje të pagesave me para të gatshme.

Kështu, është ndaluar përdorimi i i dinarit serb.

Serbia pretendon se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për banorët serbë në Kosovë.

Mekanizmi ndërkombëtar pati kritikuar autoritetet e Kosovës për marrjen e këtij vendimi që prek dinarin, duke thënë se nuk kanë ofruar alternativa të mjaftueshme për serbët lokalë.REL

Xh.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?