Anije në Detin e Zi

Bota

BE zbulon planin për Detin e Zi, synon të ndërtojë një ‘mur’ sigurie për të përmbajtur Rusinë

29 Maj, 08:38| Përditesimi: 29 Maj, 09:30

  • Share

Bashkimi Evropian ka prezantuar një strategji të re për Detin e Zi, e cila synon forcimin e sigurisë dhe përmirësimin e transportit ushtarak në rajon, në kushtet e një kërcënimi në rritje nga Rusia ndaj Evropës Lindore. Ky shihet si një veprim që forcon pozicionin gjeostrategjik të Evropës në një rajon kritik dhe të paqëndrueshëm.

Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, deklaroi se "siguria në Detin e Zi është jetike për sigurinë evropiane", duke shtuar se aktualisht po minohet nga lufta ruse në Ukrainë dhe sulmet hibride ndaj infrastrukturës detare, raporton Politico

BE-ja synon të investojë shuma të konsiderueshme për të përmirësuar portet, hekurudhat dhe aeroportet në vendet e Detit të Zi, kryesisht në Rumani dhe Bullgari, në mënyrë që pajisjet e rënda ushtarake dhe trupat të mund të zhvendosen shpejt aty ku është e nevojshme. Më parë, Komisioneri Evropian i Transportit, Apostolos Tzitzikostas ka deklaruar se do të kushtonte rreth 75 miliardë euro për të përmirësuar infrastrukturën e transportit për përdorim ushtarak në të gjithë Evropën.

Strategjia parashikon krijimin e një Qendre të Sigurisë Detare në Detin e Zi, e cila do të funksionojë si një sistem paralajmërimi i hershëm evropian dhe do të monitorojë situatën në kohë reale, duke mbrojtur infrastrukturën kritike. Vendndodhja dhe modeli i funksionimit të qendrës do të vendosen më vonë. Si pjesë e forcimit të autonomisë strategjike të Evropës, do të ketë një monitorim më të rreptë të pronësisë së huaj të porteve dhe infrastrukturës tjetër kritike, me qëllimin indirekt të kufizimit të ndikimit të vendeve të treta, siç janë Rusia dhe Kina.

BE synon që të zhvillojë edhe korridore të reja energjitike, rrjete transporti dhe infrastrukturë dixhitale në bashkëpunim me vendet e rajonit. Në të njëjtën kohë, komunitetet bregdetare do të mbështeten për të adresuar ndikimet mjedisore të luftës dhe ndryshimeve klimatike. BE-ja kërkon bashkëpunim më të ngushtë me Ukrainën, Moldavinë, Gjeorgjinë, Turqinë, Armeninë dhe Azerbajxhanin për të forcuar praninë e saj në rajon dhe për të krijuar mundësi të reja ekonomike dhe strategjike.

“Vendet në mbarë botën tani po kërkojnë bashkëpunim me partnerë të besueshëm dhe të parashikueshëm, dhe BE-ja është pikërisht kjo”, u shpreh Komisionerja e Zgjerimit, Marta Kos.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kuvendi, si e vlerësoni punën e legjislaturës që po mbyllet?