Zgjedhjet në Kosovë marrin notë pozitive nga BE. Përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme Kaja Kallas në një deklaratë zyrtare e ka cilësuar procesin të qëndrueshëm dhe të përkushtuar ndaj parimeve demokratike.
“Sipas konstatimeve preliminare, zgjedhjet kanë qenë të qeta dhe konkurruese me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve, ndërsa është zbatuar ligji i ri zgjedhor. Fushata ishte e gjallë. Procesi i përgjithshëm tregoi qëndrueshmëri dhe përkushtim ndaj parimeve demokratike”, tha Kaja Kallas.
Be do të jetë i pranishëm edhe në fazën post zgjedhore me misionin e tij vëzhgues për të dhënë më pas gjetjet dhe sugjerimet. Por teksa konstituimi I parlamentit dhe qeverisë së re do të marrë ende kohë, Kallas thekson pritshmëritë e BE ndaj ekzekutivit të ri, ku asocacioni dhe detyrimet nga marrëveshjet e firmosura për normalizimin janë të pashmangshme.
“Progresi në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është e vetmja mënyrë që Kosova të arrijë progres në rrugën e saj evropiane. Kosova pritet të zbatojë obligimet e saj që dalin nga Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut pa vonesa apo parakushte të mëtejshme. Nuk ka alternativë për Dialogun e lehtësuar nga BE”, shtoi Kallas.
Kaja Kallaas do të vizitojë Kosovën pas përfundimit të procesi zgjedhor n kuadër të një turi rajonal ku pritet të vizitojë edhe Shqipërinë.
Komente
