Pas një maratone negociatash, ambasadorët e vendeve të BE-së kanë arritur një marrëveshje që do të nënshkruhet me Mbretërinë e Bashkuar për të rivendosur një partneritet të ri jo vetëm për mbrojtjen, por edhe ekonominë, energjinë, migrimin dhe peshkimin.
Samiti i kësaj të hëne Britani-BE vjen si rezultat I përpjekjeve të kryeministrit britanik Keir Starmer për të rivendosur lidhjet me Bashkimin Evropian.
Kryeçështja në klimën e re sipas analistëve është bashkimi ose jo në një union doganor të BE-së, pjesëmarrja në tregun e vetëm dhe nënshkrimi i lirisë së lëvizjes midis BE-së dhe MB-së. Starmer i ka pranuar këto çështje, dhe ka shprehur optimizëm në gjetjen e "mënyrave konstruktive për të punuar me BE dhe për të ofruar më të mirën për popullin britanik".
Britania, e cila u largua nga BE në 2020 pas një votimi historik të referendumit të vitit 2016, po përpiqet tja dalë ndaj pasojave gjeopolitike dhe ekonomike të tarifave botërore nga Trump dhe vënia në pikëpyetje e mbrojtjes së sigurisë së SHBA për aleatët. Starmer, i cili ka prioritet sigurinë dhe mbrojtjen që nga zgjedhja e tij vitin e kaluar, po synon të balancojë bashkëpunim më të ngushtë me BE-në dhe të përmirësojë lidhjet ekonomike me Shtetet e Bashkuara, por ai u zgjodh gjithashtu me një mandat për të rritur ekonominë, një arritje që është bërë më e vështirë nga pasiguria e tarifave doganore.
Mediat britanike thonë se liderët evropianë do të kërkojnë gjithashtu një marrëveshje për të lejuar të rinjtë evropianë të jetojnë dhe punojnë në Britani, një politikë që do të zemërojë mbështetësit e Brexit.
Nga ana tjetër BE duket se ka gjetur tonet e duhura me SHBA. Ursula Von Der Leyen, Giorgia Meloni dhe zv presidenti amerikan JD Vance u takua në Romë të dielën, për çuarjen përpara të bisedimeve tregtare midis BE-së dhe Shteteve të Bashkuara. Të dyja palët shkëmbyen dokumente negociuese që përshkruanin fusha të ndryshme të diskutimit të ardhshëm.
Komente
