Pas një sezoni veror të suksesshëm, Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka publikuar analizën për rritjen e turizmit në qytet. Nga një potencial i njohur prej dekadash, Shkodra po shndërrohet në një realitet ekonomik dhe social që prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Beci thekson se Shkodra ka përjetuar një transformim të jashtëzakonshëm në fushën e turizmit. Ai shton se qyteti ka trefishuar numrin e netëve të akomodimit krahasuar me vitin 2022, duke dëshmuar një rritje të qëndrueshme në sezonet jashtë verës.
Postimi i plotë:
Pas një sezoni veror të suksesshëm, ju ftoj të lexoni analizën e turizmit në Shkodër.
Shifrat tregojnë transformimin e jashtëzakonshëm të qytetit tonë.
Turizmi nga potencial në realitet
Në vitet e fundit Shkodra ka përjetuar një transformim të jashtëzakonshëm në fushën e turizmit. Nga një potencial i njohur prej dekadash, sot jemi dëshmitarë të kthimit të tij në një realitet ekonomik dhe social që prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve tanë.
Të dhënat më të fundit janë të qarta dhe shumë domethënëse:
Në vitin 2022 në bashkinë tonë u regjistruan rreth 264 mijë netë akomodimi, ndërsa në vitin 2025 ky numër pritet të arrijë mbi 538 mijë – një dyfishim brenda katër vitesh.
Vetëm deri në fund të gushtit 2025, numri i netëve të qëndrimit ka tejkaluar shifrën e gjithë vitit 2024 së bashku.
Qyteti i Shkodrës ka trefishuar numrin e netëve të akomodimit krahasuar me vitin 2022, duke dëshmuar një rritje të qëndrueshme në sezonet jashtë verës.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se qarku i Shkodrës është ndër dy qarqet me përqindjen më të lartë të rritjes së bizneseve në turizëm në dy vitet e fundit, duke performuar më mirë se shumica e qarqeve të Shqipërisë.
Edhe pse një pjesë e këtij realiteti mbetet i pa-dokumentuar plotësisht për shkak të informalitetit ende të pranishëm, nuk ka asnjë dyshim se numri real i vizitorëve është edhe më i lartë. Po kështu, të dhënat mbi vizitat në sitet tona kulturore e muzeale konfirmojnë një rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme, që e vendos Shkodrën në pararojë të destinacioneve turistike shqiptare.
Turizmi si motor i ekonomisë vendase
Ky zhvillim nuk është thjesht statistikë. Ai përkthehet në të ardhura direkte prej dhjetëra milionë eurosh vetëm gjatë vitit 2025, të shpërndara në hotele, restorante, transport, kulturë e tregti. Më e rëndësishmja, ky aktivitet mbështet qindra vende pune të plota në qytet dhe zonat përreth.
Pra, turizmi nuk është më një premtim i largët – është sot një sektor real dhe i gjallë, që gjeneron punë e të ardhura për qytetarët e Shkodrës.
Rritja turistike është e shpërndarë në të gjithë territorin, por me tipare të ndryshme sipas zonave:
Velipoja mbetet gjeneratori kryesor i volumit, me një sezon të përqendruar në korrik-gusht, por tashmë me rritje të dukshme edhe në qershor dhe shtator.
Thethi në Alpe ka përjetuar një zgjerim të jashtëzakonshëm, duke shumëfishuar netët e akomodimit falë aksesit më të mirë dhe promovimit ndërkombëtar.
Qyteti i Shkodrës po kthehet në stabilizuesin e ekonomisë së turizmit: një aktivitet i vazhdueshëm gjatë gjithë vitit, me rritje të fortë në muajt e pranverës dhe të vjeshtës, falë rolit si qendër kulturore, ekonomike dhe portë hyrëse për bregdetin dhe Alpet.
Kjo do të thotë se Shkodra tashmë ofron një profil të diversifikuar turistik: det, qytet, liqen, lumenj dhe mal – një kombinim unik në Shqipëri ku destinacione të reja turistike pranë lumit Kir, lumit Buna, lumit të Shalës po konsolidohen në produkte të mirëfillta turistike.
Është e vërtetë që turizmi ynë mbetet i varur nga kulmi veror, por sot kemi një bazë solide vizitorësh në dimër dhe në muajt jashtë sezonit. Vetëm qyteti i Shkodrës mban mbi 90% të netëve të akomodimit në muajt e ftohtë, duke garantuar që hotelet, restorantet dhe muzetë të mbeten hapur dhe stafi të vazhdojë të punojë.
Ky është një ndryshim i madh nga e kaluara, kur aktiviteti pothuajse pushonte pas shtatorit. Sot, bizneset kanë më shumë arsye për të qëndruar hapur gjatë gjithë vitit dhe për të mbajtur të punësuar punonjësit e tyre.
Partneritet për zhvillim - një ftesë për fazën e re
Rritja e turizmit është një arritje e përbashkët, por sfidat e reja kërkojnë bashkëpunim më të gjerë. Deri tani, barrën kryesore e kanë mbajtur bizneset vendase të turizmit dhe vetë qytetarët që kanë ofruar mikpritje e shërbime. Por tani që turizmi është bërë realitet dhe një motor i rëndësishëm i ekonomisë sonë, është koha për të hapur një dialog të strukturuar me sektorin privat, akademinë dhe shoqërinë civile.
Ne duhet të mendojmë së bashku:
si të forcojmë dhe zgjerojmë ofertën përtej sezonit të verës,
si të përballojmë presionin mbi shërbimet publike dhe mjedisin,
dhe si të mësojmë nga gabimet e vendeve të tjera, për të ndërtuar një model që ruan interesat e komunitetit dhe vizitorëve njëkohësisht.
Ky është drejtimi i ardhshëm: krijimi i një platforme të përbashkët për turizmin, ku biznesi, akademia dhe qytetarët të kontribuojnë me ide e zgjidhje. Vetëm kështu mund të garantojmë që rritja turistike të shoqërohet me cilësi, dinjitet dhe respekt për identitetin e Shkodrës dhe rajonit.
Një sërë projektesh të rëndësishme infrastrukturore, urbane e kulturore janë tashmë në proces dhe efektet e tyre do të ndihen së shpejti. Detyra jonë është që këtë trashëgimi të jashtëzakonshme kulturore dhe natyrore ta përdorim si bazë për një zhvillim që i sjell dobi afatgjata qytetit dhe i jep Shkodrës vendin që meriton në hartën e turizmit shqiptar e rajonal.
Komente
