Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dalë në një konferencë për mediat ku ka folur mbi situatën politike ku ndodhet vendi. Sa i takon dekretimit nga presidenti Begaj të ndryshimeve në ligjin për Komisionet Hetimore, Meta tha se arsyeja kryesore e kësaj krize politike në vend është sipas tij frika që qeveria ka nga llogaridhënia.
“Nuk kam asnjë arsye të flas si ish-president por është një fakt që një nga arsyet kryesore të kësaj krize madhore ku ka hyrë politika shqiptare është pikërisht tmerri i Edi Ramës dhe i mazhorancës nga llogaridhënia të cilën e garanton kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”- u shpreh Meta.
Mes të tjerash, Meta iu përgjig edhe thumbimit të kryeministrit Edi Rama ditën e djeshme, i cili tha se ka përfunduar koha kur presidenti përdorte Kushtetutën për revolucione imagjinare.
“Jemi në një situatë tërësisht reale, aspak imagjinare. Por të paralajmëruar prej kohës nga ish-presidenti i Republikës, për kapjen totale të shtetit dhe të zerimit të pavarësisë së çdo institucioni të pavarur. Kemi përjetuar së bashku momente aspak imagjinare por tërësisht reale pasojat e së cilës po i vuan vendi sot dhe do i vuajë për një periudhë të paparashikueshme. Nuk ka qenë imagjinar betimi tek noterja tek Lana i një kandidateje për anëtare për gjykatën Kushtetuese. Nuk ka qenë imagjinare zgjedhja me 79 vota nën flakët e tymyesve të opozitës të prokurorit të përgjithshëm nga 84 vota që e kishte sistemi. Imagjinar është vetëm inceneratori i Tiranës që nuk ekziston”- tha kreu i PL-së.
Teksa foli për nevojën e gjithëpërfshirjes në komisionin e Reformës Zgjedhore, mbledhja e të cilit dështoi për shkak të kaosit të grupit Berisha-Bardhi, Meta u pyet për Reformën Adrministrative në vitin 2014, të cilën asokohe LSI në koalicion qeveritar me PS-në e miratoi pa praninë e opozitës në komision.
Meta tha se për këtë çështje kishte bërë përpjekje gjatë kohës kur kishte qenë kryeparlamentar për përfshirjen e PD-së por akuzoi kryedemokratin Lulzim Basha se kishte pasur një marrëveshje me Ramën për të bojkotuar këtë komision të Reformës Administrative, ku u bë ndarja territoriale e vendit.
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u pyet përse PS nuk duhet të miratojë një Reformë Zgjedhore pa praninë e opozitës kur e njëjta gjë ishte bërë edhe në vitin 2014 me Reformën Territoriale kur LSI e Metës ishte në qeveri.
Meta u përgjigj duke thënë se që atëherë kishte pasur një marrëveshje mes Ramës dhe Bashës që ky i fundit të bojkotonte komisionin për Reformën Administrative. Ai shtoi se si kryeparlamentar asokohe kishte bërë përpjekje që PD të përfshihej në Komision, por pavarëissht kësaj opozita nuk kishte dorëzuar asnjë propozim mbi idetë e tyre.
“Ishte një marrëveshje e qartë që atëherë mes Ramës dhe Bashës, nuk kishte arsye pse të bojkotonte. Ishte një reformë madhore dhe e domsdoshme sepse Shqipëria kishte 400 e ca komuna dhe se di sa bashki, ishte si në vitet ’90 pavarësisht se Shqipëria kishte ndryshuar nga pikëpamja demografike.
Nga ana ime si Ilir Meta, si kryetar i parlamentit kam insistuar që kjo reformë të bëhet me PD-në me çdo çmim sepse është reformë madhore që kërkon konsensus. Për këtë arsye me insistimin tim, i ndjeri zoti Fino, kryetar për reformën administrative, kanë shkuar dhe kanë marrë pjesë në konferencën kombëtare të PD për reformën administrative territoriale ku dhanë vizionin e tyre.
Fino dhe Vasili kanë garantuar publikisht që mazhoranca kishte vullnetin e domosdoshëm që kjo reformë të bëhej me konsensus dhe prisnin një variant altneranitiv
Nuk erdhi kurrë një propozim nga PD. Përse nuk erdhi? Sepose këto pazaret e sotme nuk janë kaq të freskëta, janë shumë të vjetra. Ishte bërë pazari që ai (Basha) do bojkotonte, ky (Rama) do ecte me variantin se meqenëse këta nuk erdhën ne do i bëjmë këto ndryshimet”- u shpreh Meta.
Ilir Meta ka reaguar në lidhje me komentin e kryeministrit Edi Rama, se kur ai ishte president udhëhiqte revolucione imagjinare të opozitës.
‘Po i rikthehem edhe një herë kryelindasit që udhëhiqte revolucion imagjinare. Kemi të bëjmë më një diktaturë reale, jo imagjinarë. Dhe të gjithë i mbajnë mend betejat e vërteta të zhvilluar jo vetëm këtu por edhe në komisionin e Venecias midis Metës dhe parlamentit monist. Ku të gjitha betejat Rilindja i humbi përfshirë edhe ato për lirinë e medias.’- tha Meta.
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta është në krah të Sali Berishës, në hetim për korrupsion pasiv për aferën Partizani, nën masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’
A do e shohim Metën në rrugën e Berishës?
“Jemi përshëndetur dhe para disa ditësh dhe I kam shprehur solidaritetin tim më të plotë. Kemi të bëjmë me një përndjekje politike dhe përpjekje për të minuar opozitarizmin në vendin tonë. Të gjitha këto diktohen nga Edi Rama përmes kapjes së sistemit të drejtësisë dhe përmes presioneve që ai ushtron në këtë drejtim” tha Meta në konferencë për median.