Presidenti i vendit Bajram Begaj ka dekretuar ligjin për ‘Zonat e Mbrojtura’, i cili u votua në Kuvend më 22 shkurt vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa është kontestuar nga radhët e opozitës. Ky ligj i hap rrugë ndërtimeve ekologjike për t’i vënë në shërbim të ekonomisë.
Në argumentimin e presidentit, Begaj thotë se janë zhvilluar disa konsulta me grupet e interesit dhe ekspertë të Kushtetutës të cilët nuk gjejnë bazë për pretendimet si ligj me risk potencial për mbrojtjen e mjedisit dhe as të kushtetutshmërisë.
‘Për probleme që mund të konstatohen gjatë implementimit të ligjit mund të vihen në lëvizje mekanizma të tjerë ligjorë mbrojtës’, thotë presidenti.
Shqetësimeve për miratimin e ligjit pa kuorumin e deputetëve në seancë plenare, Presidenca sqaron se janë lëndë e brendshme e Kuvendit dhe mund të trajtohen vetëm prej tij. Institucioni i Presidentit të Republikës nuk identifikoi përplasje dispozitash. Zbatimi i direktivave të BE-së mund të bëhet i plotë edhe në kushtet e këtij ligji.
'Për shkak se ligji u shoqërua me komente dhe kritika në fazën e shqyrtimit dhe miratimit të tij, sidomos nga grupet përfaqësuese të organizatave mjedisore, Presidenti i Republikës ndërmori një sërë konsultash dhe zgjeroi procedurën e shqyrtimit me përfshirjen dhe tërheqjen e opinioneve nga grupet e interesit, por edhe nga ekspertë kushtetues. Lidhur me shqetësimet e ngritura për këtë procedurë shqyrtimi, Institucioni i Presidentit të Republikës sqaron opinionin publik, si vijon:
Organizatat e shoqërisë civile shohin te ligji përplasje me standardet dhe udhëzuesit e IUCN-së (International Union for Conservation of Nature).
IUCN-ja është një rrjet i madh dhe i rëndësishëm ndërkombëtar i organizatave mjedisore me autoritet global për sa u takon çështjeve të mbrojtjes së mjedisit. Standardet dhe udhëzuesit e IUCN-së nuk kanë fuqinë juridike të traktateve apo marrëveshjeve ndërkombëtare dhe, si të tilla, nuk mund të përdoren për shqyrtimin e përputhshmërisë kushtetuese të ligjit nr. 21/2024.
Organizatat e shoqërisë civile shohin te ligji risk potencial për mbrojtjen e mjedisit, i cili mund të shkaktohet nga zbatimi i gabuar i dispozitave të tij. Ekspertët kushtetues të thirrur në konsultë dhe Institucioni i Presidentit të Republikës nuk e shohin këtë pretendim si çështje që i përket procedurës për shqyrtimin e kushtetutshmërisë.
Për probleme që mund të konstatohen gjatë implementimit të ligjit mund të vihen në lëvizje mekanizma të tjerë ligjorë mbrojtës, si nga organet eprore/mbikëqyrëse, ashtu edhe nga organizatat mjedisore. Shqyrtimi i kushtetutshmërisë që bën Institucioni i Presidentit të Republikës është shqyrtim abstrakt dhe i pa lidhur me skenarë të supozuar veprimi.
Organizatat e shoqërisë civile shohin te procedura e shqyrtimit parlamentar të projektligjit cenimin e dispozitave të Rregullores së Kuvendit për përfshirjen e Këshillit të Ministrave në shqyrtimin e nismave ligjore parlamentare dhe për konsultimin publik.
Kritikat lidhur me mënyrën e zbatimit të Rregullores së Kuvendit apo me mënyrën e organizimit të konsultimit publik janë lëndë e brendshme e Kuvendit dhe mund të trajtohen vetëm prej tij në ushtrimin sovran të kompetencave të veta. Institucioni i Presidentit të Republikës ka detyrë të mbikëqyrë vetëm respektimin e procedurës kushtetuese në procesin ligjvënës.
Organizatat e shoqërisë civile kanë pretenduar përplasje, pa referenca konkrete, me dy direktiva të BE-së (direktiva e Këshillit 92/43/EEC dhe direktiva e Parlamentit Evropian dhe Këshillit 2009/147/EEC). Institucioni i Presidentit të Republikës nuk identifikoi përplasje dispozitash me asnjërën nga këto dy direktiva. Zbatimi i direktivave mund të bëhet i plotë edhe në kushtet e këtij ligji.'- njofton presidenca.
Gazment Bardhi nga Rithemelimi thotë se ky është një ligj që shkatërron zonat e mbrojtura e akuzon kreun e shtetit, se për të në çdo rast prevalon interesi korruptiv i klientëve të Edi Ramës dhe jo interesi i qytetarëve shqiptar. Ndërsa deputetja demokrate Jorida Tabaku paralajmëroi se ligjin do ta çojnë në Gjykatë Kushtetuese.
Socialistët kaluan me 74 vota pro ligjin për “Zonat e mbrojtura”. Teksa në seancë votohej jashtë sallës së parlamentit një grup aktivistësh të shoqërisë civile dhe deputetësh të opozitës protestonin. Opozita e ka cilësuar ligjin si një ligj korruptiv dhe në shkelje të direktivave të BE-së.
Pas votimit një reagim erdhi edhe nga delegacioni i BE-së në Tiranë, i cili teksa kujtoi detyrimin që ligje të kësaj natyre kërkojnë konsultim publik para miratimit dhe garantoi se do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura.
Ndryshime do të përfshijnë që në disa prej territoreve të klasifikuara si zona të Mbrojtura, do të mund të ndërtohen struktura akomoduese me qëllim zhvillimin e turizmit apo agroturizmit, por me kushtin që të mbahet një ekuilibër mes natyrës dhe aktiviteteve të zhvilluara.
Deputetja Ina Zhupa ka reaguar pas dekretimit te ligjit “Per Zonat e Mbrojtura” nga Presidenti Begaj. Ajo shprehet se nuk ka arritur te mbroj kushtetuten dhe interesin publik dhe se ka dekretuar një ligj me arsyetime absurde.
'Presidenti nuk u bë dot garant i kushtetutës dhe interesit publik. Keqardhje për argumentat që edhe juristët e sapo diplomuar nuk do i shkruanin aq mediokre si ato për dekretimin e ligjit “Për zonat e Mbrojtura”
Presidenca dhe ekipi misterioz, flet për “shqyrtim abstrakt” edhe ka bërë një arsyetim absurd. Nuk e shikojnë dot shkeljen e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, nuk e shikojnë dot shkeljen e konventave ndërkombëtare për mjedisin, nuk e shikojnë dot shkeljen e kushtetutës.
“Institucioni i Presidentit të Republikës ka detyrë të mbikëqyrë vetëm respektimin e procedurës kushtetuese në procesin ligjvënës”- ku e ka gjetur këtë që duhet shikoj vetëm procedurë dhe jo normat dhe parimet kushtetuese dhe standartet e BE dhe konventave që ka ratifikuar vendin, do ngelet mister ashtu si emrat e ekipit që e këshillon. Uroj që ky ekipi i thirrur për konsultë mos jetë nga zyra e kryeministrit.
Zonat e Mbrojtura janë aset kombëtar dhe do i mbrojmë me të gjitha mjetet, duke mos lejuar betonizimin dhe shkatërrimin e tyre.
Presidenti i hoqi shansin vetën që të shikohej si institucion i pavarur.'- shkruan Zhupa.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku përmes një postimi në rrjetin social “X” shprehet se ligjin për Zonat e Mbrojtura, që u dekretua nga Presidenti do ta çojnë në Gjykatë Kushtetuese.
“Dekretimi Ligjit të Zonave të Mbrojtura është një mundësi e humbur për ta rikthyer ligjin për një debat publik & proces ligjor të rregullt! Ai përbën një hap pas në procesin e përafrimit me BE, kundër Kushtetutës & kundër trashëgimisë sonë natyrore. Tanimë ligji do shkojë në GJK”, shkroi Tabaku në rrjetin social “X”.
Deputeti i Rithemelimit Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me dekretimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura nga presidenti Bajram Begaj. Bardhi shprehet se ky është një ligj që shkatërron zonat e mbrojtura, ndërsa nënvizoi se Presidenti i Republikës humbi përsëri mundësinë të jetë shërbyes i interesit publik.
Reagimi i Bardhit:
Përsëri sot Presidenti i Republikës humbi mundësinë të jetë shërbyes i interesit publik. Dekretimi prej tij i ligjit që shkatërron zonat e mbrojtura është tjetër provë se për Kreun e Shtetit në çdo rast prevalon interesi korruptiv i klientëve të Edi Ramës dhe jo interesi i qytetarëve shqiptar.
Kurrë në më shumë se 30 vjet Shqipëria nuk ka patur një President që nuk guxon të ngrihet në lartësinë e detyrës, si garant i Kushtetutës, ku përcaktohet se identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë.
Që nga emërimi në detyrë Presidenti i Republikës ka kthyer për rishqyrtim vetëm një ligj, që lidhej me interesat personale të tij. Ndërkohë një shumësi ligjesh, që prekin interesin e qytetarëve, që bien ndesh me Kushtetutën, ligje me porosi klienteliste apo korruptive, janë miratuar me kokën ulur nga Presidenti i Republikës, duke u vetëshpallur si degë e ekzekutivit dhe duke humbur rolin e tij kushtetues.
Shqipëria ka nevojë urgjente për rikthimin e balancës mes pushteteve, duke nxitur kontrollin e ndërsjellt mes tyre. Rikthimi i mekanizmave demokratike dhe mbrojtja e demokracisë është më i domosdoshëm se kurrë.