Begaj kërkesë Shkollës së Magjistraturës: Konsolidoni pavarësinë, rekrutimi e vlerësimi të kryhet me objektivitet

3 Tetor 2022, 10:09| Përditesimi: 3 Tetor 2022, 14:25

  • Share

Presidenti Bajram Begaj ka marrë sot pjesë në ceremoninë e diplomimit të magjistratëve të rinj 2019-2022 që përkon me 25-vjetorin e krijimit të Shkollës së Magjistraturës.

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj e konsideroi krijimin e Shkollës së Magjistraturës si një ngjarje të rëndësishme për të reformuar sistemin e drejtësisë.

“Krijimi i Shkollës së Magjistraturës 25 vjet më parë përbën pa dyshim një ngjarje me rëndësi për një ndryshim thelbësor në sistemin e drejtësisë në tërësi, dhe në veçanti për rekrutimin e formimin profesional e moral të gjyqtarëve, prokurorëve dhe gjithë aktorëve të tjerë ndihmës në sistemin e drejtësisë. Pavarësisht vështirësive gjatë këtyre 25 viteve, Shkolla e Magjistraturës ka marrë vlerësime mjaft pozitive për punën e saj, të shprehura si nga autoritetet vendase, ashtu edhe në raporte të ndryshme ndërkombëtare, si një institucion elitar akademik për profesionistët e drejtësisë. Në një ditë si kjo e sotmja, vlerësimi i kontributeve të shumë aktorëve dhe bashkëpunëtorëve është jo vetëm i natyrshëm, por edhe detyrim moral. Gjithashtu është e nevojshme të diskutohet dhe reflektohet mbi vështirësitë, pengesat, rrugët e zgjidhjes, si dhe sfidat në të ardhmen. Dy dekada e gjysmë më parë, Shkolla e Magjistraturës erdhi si nevojë e kohës për të reformuar sistemin e drejtësisë”, tha ai.

Po ashtu, Presidenti Begaj vlerësoi kontributin e profesorëve të shquar dhe drejtuesve për ngritjen e shkollës në një institucion Kushtetues.

“Kontributi ndër vite i profesorëve dhe bashkëpunëtorëve, nga më të shquarit në fushën e jurisprudencës në Shqipëri, por edhe ai i drejtuesve, është mjaft i vyer dhe pa dyshim ka pasur peshën dhe ndikimin e duhur për të formësuar emrin e mirë të Shkollës, për ta ngritur atë në nivelin e një institucioni kushtetues – i vetmi që ka misionin dhe fatin të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në krijimin e një drejtësie të re, të mbështetur në paanshmëri, llogaridhënie, transparencë dhe për garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, tha ai.

Në vijim, Presidenti Begaj ka vlerësuar bashkëpunimin e Shkollës së Magjistraturës me partnerë ndërkombëtar.

“Bashkëpunimi ndër vite i Shkollës së Magjistraturës me partnerët tanë ndërkombëtarë, si SHBA, Këshillin e Evropës dhe Komisionin Evropian, bashkëpunimi dhe marrëveshjet e shumta me Institucione të rëndësishme homologe të edukimit ligjor në rajon dhe vende të tjera, kanë bërë të mundur jo vetëm shkëmbimin e përvojave më të mira, por edhe konsolidimin dhe njohjen e Shkollës  si institucioni i vetëm në vend për formimin më të lartë profesional të gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve të shtetit, etj.  Nga ana tjetër, Shkolla e Magjistraturës duhet të luajë një rol më aktiv dhe të përfitojë sa më shumë të jetë e mundur nga bashkëpunimi me partnerët, donatorët, strukturat dhe rrjetet homologe Evropiane dhe Amerikane. Botimet dhe kërkimi shkencor të vijojnë të mbështeten e të jenë një instrument ndihmës në funksion të përmirësimit të punës dhe përmbushjes së përgjegjësive të gjithsecilit.'- tha Begaj.

Presidenti ka vënë theksin te paanshmëria dhe  transparenca e rekrutimit të magjistratëve.

“Me ndryshimet kushtetuese, Shkolla e Magjistraturës është përballë sfidave dhe përgjegjësive edhe më të mëdha. Misioni strategjik i formimit profesional të gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve të shtetit, kancelarëve, ndihmësve dhe këshilltarëve ligjorë në programin e formimit fillestar apo atë të vazhduar, e vendos Shkollën e Magjistraturës në një pozicion shumë të rëndësishëm dhe kritik, duke qenë pragu i hyrjes së tyre në sistemin e drejtësisë.  Për këtë arsye, puna juaj ka një ndikim mjaft përcaktues, në cilësinë e prurjeve në gjithë sistemin e drejtësisë, në formimin e magjistratëve të një niveli të lartë profesional dhe moral, në rritjen e besimit të publikut në figurën e autoriteteve të drejtësisë dhe sistemit të drejtësisë në tërësi. Si një institucion i pavarur ndaj pushteteve të tjera, është shumë e rëndësishme që procesi i rekrutimit dhe vlerësimit të kryhet me objektivitet e transparencë, që mësimdhënia të jetë cilësore dhe institucioni të konsolidojë më tej pavarësinë në ushtrimin e funksioneve kushtetuese. Pavarësia dhe paanshmëria në punën tuaj sot, janë çelësi i pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve nesër. Pavarësia  juaj sot, do të thotë vendime të drejta dhe të paanshme nesër”, tha ai.

Gjithashtu President Begaj, tha se me hapjen e negociatave me BE, Shkolla e Magjistraturës ka rolin e saj, të përcaktuar brenda kornizave ligjore.

“Me hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian,  Drejtësia është një nga kapitujt e parë që negociohet.Të gjitha institucionet e vendit kanë përballë sfida të reja, të cilat kërkojnë trajtimin e tyre me prioritet dhe përgjegjësi ndaj vendit dhe qytetarëve. Agjenda e Integrimit Evropian duhet të shërbejë si një nxitje për të përmbushur përgjegjësitë institucionale dhe për të rritur besimin e publikut tek institucionet e drejtësisë. Në bashkëpunim me të gjitha institucionet e reja të drejtësisë dhe institucione të tjera qendrore, Shkolla e Magjistraturës ka rolin e saj, të përcaktuar brenda kornizave ligjore, të cilin jam i bindur se do ta përmbushë me sukses. Misioni që ka sot Shkolla e Magjistraturës për përgatitjen dhe formimin profesional e moral të profesionistëve të drejtësisë është në fakt, një mision që mbart rëndësinë historike të krijimit të një sistemi të qëndrueshëm të drejtësisë dhe ndërtimit të një shoqërie të mbështetur në të drejtat dhe liritë e individit dhe barazinë e tij para ligjit. Sepse, vetëm barazia para ligjit krijon shoqëri të qëndrueshme, të drejtë dhe në harmoni sociale. Unë jam besimplotë se Shkolla e Magjistraturës ashtu sikurse deri më tani ka ofruar mundësi të shkëlqyera për arsimimin ligjor, ajo do ta vazhdojë ta bëjë këtë në mënyrë cilësore dhe me  profesionalizëm edhe në të ardhmen”, tha ai.


Lajmi kryesor:

25-vjetori i shkollës së Magjistraturës! Begaj: Rekrutimi e vlerësimi të kryhet me objektivitet! Kim: Reforma në drejtësi po jep rezultate


M.Q./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?