Këshilli i Sigurimit Kombëtar, Begaj: Rishikim dokumenteve strategjikë për çështjet e sigurisë! Pranë Kosovës, mbrojtje të integritetit territorial

23 Janar 2023, 07:50| Përditesimi: 23 Janar 2023, 17:22

  • Share

TIRANË- Presidenti Bajram Begaj ka mbledhur ditën e sotme Këshillin e Sigurimit Kombëtar, për të bërë një analizë të gjendjes së sigurisë kombëtare dhe prioriteteve për vitin 2023. Mbledhja nisi rreth orës 14:00 dhe përfundoi në  orën 16:40, duke zgjatur më shumë se dy orë e gjysmë. Ndërkohë kryeministri Edi Rama e la mbledhjen një orë para përfundimit. 

Të pranishëm në mbledhje ishin krerët më të lartë të shtetit të cilët janë anëtarë të përhershëm të këtij Këshilli që mblidhet sa herë që presidenti i republikës e gjykon të nevojshme. I vetmi nga rradhët e opozitës që mori pjesë në mbledhje, ishte deputeti i PD, Ferdinand Xhaferraj i cili njëkohësisht mban edhe postin e zëvendës kryetarit të Komisionit të Sigurisë.  Në hyrje të mbledhjes Begaj tha se viti i kaluar ishte sfidues, duke përmendur edhe sulmin kibernetik me të cilin Shqipëria u përball, duke pësuar probleme në infrastrukturën dixhitale.

Në përfundim të mbledhjes u arritën disa konkluzione të cilat përqendrohen kryesisht në vënien si prioritet të hartimit të dokumentave strategjikë që lidhen me Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, fushën e mbrojtjes dhe emergjencave civile si dhe strategjive sektoriale.

Presidenti Begaj tha se dokumenta nuk duhet të jenë thjesht formalë por të mirëbuxhetuara që të sigurojnë përdorimin në mënyrë të koordinuar dhe të harmonizuar të instrumentave në kuadër të garantimit të sigurisë dhe nxitjen e qëndrueshme të zhvillimit ekonomik.

Cilët janë anëtarët e Këshillit sipas ligjit?
Këshilli i Sigurimit Kombëtar 1. Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor, i cili mbështet Presidentin e Republikës në ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive kushtetuese e ligjore. 2. Këshilli i Sigurimit Kombëtar kryesohet nga Presidenti i Republikës dhe thirret prej tij sa herë që e gjykon të nevojshme e sipas një rendi dite të përcaktuar. 3. Anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit Kombëtar janë: a)Kryetari i Kuvendit; b)Kryeministri; c)Ministri i Mbrojtjes; ç) Ministri Punëve të Jashtme; d) Ministri i Drejtësisë; dh) ministri përgjegjës për punët e brendshme; e)ministri përgjegjës për financat; ë) ministri përgjegjës për transportin; f) ministri përgjegjës për energjinë; g) kryetari i komisionit të përhershëm parlamentar përgjegjës për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes; gj) Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura; h) Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit. i) Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit

Ora 16:42
Zbardhen konkluzionet e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar, prioritet do jetë hartimi i dokumentave që lidhen me strategjinë e sigurisë kombëtare

1674483121_finalprojekt.00160201.Still008.jpg

Në përfundim të mbledhjes, pas raportimeve dhe diskutimeve në Këshillin e Sigurimit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj e vlerësoi si shumë të rëndësishëm këtë takim dhe angazhimin e të gjitha institucioneve për garantimin e sigurisë kombëtare në fushën e tyre të përgjegjësisë. Presidenti theksoi si të rëndësishëm bashkërendimin, përpjekjet dhe sigurimin e gjithpërfshirjes institucionale, përdorimit efikas të burimeve kombëtare dhe kërkimit të kontributit të çdo qytetari në funksion të sigurisë kombëtare.

Presidenti Begaj kërkoi që të trajtohen me prioritet procesi i Rishikimit dhe hartimit të dokumentave strategjikë, Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, dokumentave strategjike në fushën e  mbrojtjes dhe sigurisë, emergjencave civile, si dhe strategjive sektoriale.

Këto dokumenta nuk duhet të jenë thjesht dokumenta formalë, duhet të jenë të mirëbuxhetuara dhe sigurojnë përdorimin në mënyrë të koordinuar dhe harmonizuar të instrumentave të fuqisë kombëtare në garantimin e sigurisë, nxisin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, rrisin mirëqënien e qytetarëve, dhe sigurojnë mbrojtjen e vlerave dhe interesave kombëtar të Republikës së Shqipërisë.

Ora 15:29
U diskutua për gjendjen e sigurisë së vendit dhe të prioriteteve për 2023-in, përfundon mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar

Ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar. Mbledhja u thirr nga presidenti, Bajram Begaj dhe morën pjesë krerët më të lartë të shtetit për analizimin e gjendjes së sigurisë të vendit dhe të prioriteteve për vitin 2023.

Ora 14:16
Tensionet në Veri, Begaj në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit: Shqipëria në krah të Kosovës për ruajtjen e integritetit territorial të saj

 

Presidenti Bajram Begaj në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit ka folur edhe për tensionet e krijuara pak javë më parë në veri të Kosovës. Begaj tha se Shqipëria do të jetë në krah të Kosovës në ruajtjen e integritetit territorial të saj.

“Në aspektin rajonal ka patur zhvillime me ndikim direkt apo indirekt në ruajtjen dhe mbrojtjen e interesave tona kombëtare, ndërkohë që shtete me interesa jo miqësore, nëpërmjet instrumentave të ndryshëm janë përpjekur të zgjerojnë influencën e tyre dhe të frenojnë proceset integruese euro-atlantike të vendeve të rajonit tonë.

Përgjatë gjithë vitit dhe në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, u ballafaquam me një situatë tepër delikate në veri të Kosovës, e cila nuk kontribuon në paqen dhe stabilitetin rajonal. Shqipëria është në krah të Kosovës dhe vlerëson ruajtjen e paprekshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, vlerëson rolin dhe kontributin e misionit KFOR të NATOs në garantimin e paqes dhe sigurisë, respekton parimet e fqinjësisë së mirë, si dhe mbështet dhe inkurajon dialogun Serbi-Kosovë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga SHBA, për arritjen e një marrëveshje përfundimtare, që do të çojë në njohje të ndërsjelltë.

Agresioni i paligjshëm i Rusisë ndaj Ukrainës ka shkaktuar krizën më të madhe të sigurisë në hapësirën euro-atlantike, ndërsa efektet e tij në fushën ekonomike u shoqëruan me rritje të konsiderueshme çmimesh në sektorin ushqimor dhe të energjisë të cilat kanë shtrenjtuar dhe vështirësuar jetën e qytetarëve. Në këtë takim të sotëm, ne do bëjmë një analizë të gjendjes së sigurisë kombëtare dhe ajo ç’ka është më e rëndësishme është të diskutojmë prioritet për vitin në vijim, në funksion të një angazhimi të plotë dhe gjithpërfshirës të të gjitha institucioneve, për të siguruar bashkërendimin e përpjekjeve  dhe përdorimin efikas të burimeve kombëtare në funksion të sigurisë, lirisë dhe mirëqenies”, tha Begaj.

Ora 14:12
Nis mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, Begaj: Viti që lamë pas i vështirë, sulmi kibernetik shkaktoi probleme në infrastrukturat dixhitale

Ka nisur në Presidencë mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar. Në hyrje të mbledhjes Presidenti Begaj tha se viti që lamë pas ishte një vit i vështirë dhe sfidues, ndërsa sulmi kibernetik nga Irani ka shkaktuar probleme në infrastrukturat dixhitale.

“Viti që sapo kemi lënë pas ishte i vështirë dhe sfidues edhe për sigurinë tonë kombëtare. Në muajin korrik, ne u përballëm me një nga sulmet më të rënda kibernetike të sponsorizuar nga struktura shtetërore të Republikës Islamike të Iranit, i cili jo vetëm shkaktoi probleme në infrastrukturën digjitale në vend, por ishte me qëllime të dukshme politike për të shkaktuar destabilitet. Gjatë vitit 2022 kemi kaluar situata të vështira që lidhen me përmbytjet gjatë periudhës së dimrit; situatë e vështirë është krijuar dhe këto dy javët e fundit, si dhe zjarret gjatë periudhës së verës. Gjithashtu ka patur cënim të sigurisë publike nga fenomene të kriminalitetit, aktivitete të paligjshme të trafikut të lëndëve narkotike, krimit të organizuar, korrupsionit, emigracionit etj. Të gjitha këto kanë ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqënies së qytetarëve”, tha Begaj.

Ora 14:03
Begaj mbledh Këshillin e Sigurimit Kombëtar, Xhaferraj i vetmi që merr pjesë nga opozita

Presidenti Bajram Begaj ka mbledhur Këshillin e Sigurimit Kombëtar. Në këtë mbledhje, Ferdinant Xhaferraj ishte i vetmi që mori pjesë nga opozita, i cili nuk është anëtar i Këshillit të Sigurimit, por është zv.kryetar i Komisionit të Sigurisë.

1674478533_3829734110a44a708dab903159cb57a0.jpg

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?