Begaj pret kreun e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut: Shqiptarët, rol të veçantë për zhvillimin e qëndrueshëm në rajon

13 Nëntor, 17:15| Përditesimi: 13 Nëntor, 18:33

  • Share

Presidenti Bajram Begaj, priti sot në një takim Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë. Gjatë bisedës u diskutua për forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve, si dhe për intensifikimin e bashkëpunimit politik, ekonomik, social dhe kulturor.

Kreu i Shtetit vlerësoi rëndësinë e rolit të faktorit shqiptar si “faktor shtetformues, paqedashës dhe i vendosur për integrimin Euroatlantik” për stabilitetin e Maqedonisë së Veriut, i cili shërben edhe si urë lidhëse mes dy vendeve tona. Shqiptarët kanë një rol të veçantë edhe për zhvillimin e qëndrueshëm në rajon.

Kreu i Shtetit vlerësoi si shumë të rëndësishme dhe me një rol prioritar për shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut ligjin për gjuhën dhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në administratë.

“Shqipëria është e gatshme të intensifikojmë bashkëpunimin mes dy vendeve për avancimin e gjithanshëm të marrëdhënieve, si dhe kontekstin evropianizues të zhvillimeve në mbarë rajonin”, - theksoi Presidenti Begaj, duke garantuar një klimë miqësore dhe konstruktive, një model i fqinjësisë së mirë në rajon.

Në lidhje me marrëdhëniet ekonomike u theksua rëndësia e vazhdimit të projekteve të nisura, ndër më të rëndësishmit, Korridori VIII, i cili, sipas Presidentit të Republikës, është shumë më tepër se një projekt i thjeshtë infrastrukturor.

“Korridori VIII, - u shpreh Presidenti Begaj - është një projekt strategjik në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.”

Presidenti Begaj theksoi se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në fushën e integrimit evropian është një proces i rëndësishëm, pavarësisht veçimit të dy vendeve në këtë rrugëtim, për të cilin shprehu bindjen se do të takohen sërish.

Ora 14:32
Spiropali pret homologun e Maqedonisë së Veriut Gashi: Shqiptarët faktor stabiliteti, respektimi i gjuhës shqipe dhe të drejtave i shërben integrimit

1731505075_spiropalidhegashi.JPG

Foto: Elisa Spiropali dhe Afrim Gashi

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, priti në një takim homologun e Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashin, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Tiranë.

Gjatë takimit Spiropali tha se çështjet bilaterale mes vendeve kandidate dhe anëtare të BE-së nuk duhet të bëhen pengesë në procesin e anëtarësimit.

“Shqipëria shpreson që Maqedonia e Veriut të zhvillojë sa më shpejt Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me BE, sepse dy vendet tona janë një vlerë e shtuar për Bashkimin Europian”, u shpreh kryetarja e Kuvendit.

Sipas saj, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut jetik në qeverisje dhe ruajtjen e stabilitetit të vendit.

“Respektimi i gjuhës shqipe dhe të drejtave të fituara të shqiptarëve i shërben kohezionit, mirëkuptimit dhe integrimit europian të Maqedonisë së Veriut”, vijoi kryetarja e Kuvendit.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?