Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim përfaqësuesit e Shoqatës së Kontabilistëve të rinj shqiptarë që veprojnë në Itali, si edhe përfaqësues të Shoqatës së Kontabilistëve Italianë.
Presidenti Begaj përgëzoi iniciativën e të rinjve profesionistë shqiptarë për të kontribuar me potencialin dhe ekspertizën e tyre në Shqipëri, si edhe për krijimin e një ure komunikimi dhe bashkëpunimi midis profesionistëve të Diasporës dhe institucioneve shqiptare.
Kreu i Shtetit shfrytëzoi këtë takim për të falënderuar edhe një herë Italinë mike për mirëintegrimin e shqiptarëve në shoqërinë italiane, si edhe për rolin e saj si partneri kryesor tregtar dhe një nga investitorët më të rëndësishëm në vend.
Në fokus të bisedës ishte, gjithashtu, Konferenca “Shqipëria: Urë Mundësish- Investime Strategjike për të Ardhmen”, e cila do të zhvillohet më 18-19 shtator 2025 në Tiranë, me iniciativë të dy shoqatave që Presidenti Begaj priti sot.
Kreu i Shtetit shprehu mbështetjen e tij për iniciativa të tilla që ndikojnë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë.
Komente
