Presidenti Bajram Begaj, dekretoi 9 nëntorin si datën e zgjedhjeve të pjesshme për 6 bashki në vend përfshirë edhe Tiranën, pavarësisht ankimimit të Erion Veliajt në Gjykatën Kushtetuese për shkarkimin nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës.
Ish-prokurori Ervin Karanxha, i ftuar mbrëmjen e sotmë në emisionin ‘Frontline’, në Report Tv tha se Gjykata Kushtetuese duhet që të mblidhet dhe të jap një vendim lidhur me ankimin e Veliajt.
Sipas tij, kjo është një çështje që ka nevojë urgjente për një vendim.
‘Veliaj e ka ankuar në GJK shkarkimin dhe Begaj thotë nuk kam një vendim nga gjykata. Dhe dekreti është interpretimi i presidentit. Prandaj u krijuan organet e reja që të ketë drejtësi, kjo është një emergjencë sepse qytetarët e Tiranës duan që të kenë një kryetar. Duhet që të mblidhet GJK ditën e martë dhe të thërrasin Erion Velajn, pra të dëgjohet, duhet që të mblidhet sa më shpejtë sepse nuk është çështje e vështirë’, tha ai.
Analisti Arben Meçe, tha se me dekreti i presidentit për zgjedhjet në Tiranë është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.
‘I gjithë aksioni për aksionin e shkarkimit të Veliajt është i përbashkët nga PS dhe PD. Po akti i presidentit ka dal mbi këto, akti final është do bëjmë zgjedhje. Presidenti ka shkelur Kushtetutën, nuk është i pari që e shkel, por ka filtra për të korrigjuar dhe filtri është ankimimi në GJK i aktit të tij, që e ka ankimuar sot Veliaj. Ajo që jep vulën është GJK. Çështja është më tepër politike sesa juridike. Begaj ka bërë një akt antikushtetues, akti i Begajt ka vënë në lëvizjet partitë politike dhe KQZ tani për të bërë zgjedhjet’, tha ai.
Avokati Alban Duraj, deklaroi se me nxjerrjen e dekretit për zgjedhje në Tiranë, Begaj ka shpërdoruar detyrën. Ai tha se nuk duhet që të ishte nxjerr dekreti, pasi ishte bërë ankimin.
‘Ne kemi pasur disa raste kur janë shkarkuar kryebashkiak dhe ishte Gjykata Kushtetuese që thotë është i ligjshëm ose jo. Pra në momentin që i zgjedhuri i pushteti vendor që i drejtohet gjykatës ankimi sjell efekte pezulluese. Është mbledhur këshilli bashkiak dhe kanë propozuar shkarkimin e Veliajt, është gjykata ajo që do të thotë se kjo 3 muaj është për shkak të vullnetit të Velijat.
Por në momentin që bëhet ankimi, nuk duhet që të ketë zgjedhje, por presidenti në shkelje të rëndë të Kushtetutës nxori dekretin, ka shpërdoruar detyrën. Kur kemi ankim nga Veliaj ai nuk duhet që të dekretonte. Presidenti nuk mund të jetë miratues i të gjitha vendimeve që i shkojnë nga Këshilli i Ministrave. GJK në mënyrë urgjente duhet të pezullojë pjesërisht zgjedhjet në Tiranë’, tha ai.
Eksperti për Sigurinë Faik Basha, tha se Bashkia e Tiranës ka nevojë për një kryetar.
‘Veliaj ka të drejtë që të mbrohet deri në fund. Kemi edhe qytetarët e Tiranës që kërkojnë një shërbim dhe prej shumë muajsh mungon. Ka një ligj dhe një Kushtetutë. Mungesa për 3 muaj është përcaktuar, me arsye ose pa arsye e vendos Gjykata Administrative është e arsyeshme mungesa ose jo’, tha ai.
Avokati i Erion Veliajt, Alban Dokushi, në një reagim për "Frontline" në Report Tv tha sonte se se neni 62 i ligjit për qeverisjen vendore dhe pikat e saj kanë lidhje të drejtpërdrejtë me nenin 155 të Kushtetutës.
“Ligjbërësi, me nenin 62 të ligjit nr. 139/2015, nuk ka synuar të krijojë një kategori të re shkarkimi të pavarur nga Kushtetuta, por vetëm të specifikojë disa rastet konkrete që përbëjnë “shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve”, sipas nenit 115 të Kushtetutës. Kjo kuptohet qartë nga mënyra si është ndërtuar dispozita: gërmat “b” dhe “c” nuk dalin jashtë logjikës kushtetuese, por shërbejnë për ta zbërthyer dhe konkretizuar nocionin e “shkeljes së rëndë”. Për shembull, dënimi penal me vendim të formës së prerë (gërma “b”) është një formë tipike e shkeljes së rëndë të ligjit/kushtetutës për një funksionar si Kryetari i Bashkisë; ndërsa mosparaqitja në detyrë për tre muaj (gërma “c”) përbën shkelje të rëndë nëse kryetari i bashkisë, pa pasur ndonjë shkak objektiv, ka zgjedhur me vullnet të lirë të mos ushtrojë funksionin e tij. Në të kundërt, kur mungesa është rezultat i një pamundësie objektive ose rrethana të jashtëzakonshme që e bëjnë të pamundur ushtrimin e funksionit, ajo nuk mund të konsiderohet “shkelje e rëndë”, sepse ligji do të zgjerohej përtej kuadrit kushtetues të nenit 115”,- shprehet Dokushi.
Për ish- kreun e KQZ, Kristaq Kume, nëse Gjykata Kushtetuese do të vendos pro Erion Veliajt para datës 9 nëntor, datë të cilën Begaj e dekretoi për zgjedhjet e pjesshme, sipas Kumes nuk mund të bëhen më zgjedhjet në Tiranë.
I ftuar në emisionin ‘Frontline’ në Report Tv, ai tha se nëse vendimi do të jetë pas datës 9 Veliaj nuk mund të kthehet dot më në detyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
‘Do zbatohet dekreti i presidentit edhe për Tiranën dhe për 5 bashki të tjera, por problemi që diskutohet nuk është ky, a duhet që të kemi një të zgjedhur apo një të komanduar nga një që se ushtron dot detyrën. Por ajo që është objekt diskutimi është se ndërprerja e një mandati parashikohet në disa ligje jo vetëm në një. Nëse vendimi i GJK do të jetë pro Veliajt para datës 9 nuk bëhen zgjedhjet. Nëse është pro Veliajt dhe vendimi del pas datës 9, detyrën e kryetarit do ta realizoj i zgjedhuri nga zgjedhjet, Veliaj nuk mund të kthehet dot më në detyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës’, tha ai.
Komente
