Presidenti Bajram Begaj gjatë fjalës së tij në Sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që është duke u zhvilluar në New York tha se Shqipëria pavarësisht se është një vend me demokraci të re, ka shënuar luftëra që nuk i zgjodhi.
"Shqipëria, pavarësisht se është një komb i vogël me një demokraci të re, ka histori të shënuar nga luftëra që nuk i zgjodhi, si dhe pushtime që nuk i kërkoi dhe as i pranoi. Edhe pse kujtime të dhimbshme, ato kanë dhënë mësime të paçmueshme. Është pikërisht për shkak të historisë së saj që Shqipëria i kushton rëndësi të madhe të drejtës ndërkombëtare si mbrojtja e saj kryesore. Ne përqafojmë me vendosmëri parimet e rendit ndërkombëtar bazuar në rregulla, ku marrëdhëniet midis kombeve bazohen mbi respekt dhe jo mbi pushtet absolut. Ky angazhim është arsyeja përse ne e kemi dënuar vazhdimisht dhe pa mëdyshje agresionin ushtarak kundër Ukrainës dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë. Pavarësisht madhësisë sonë Shqipëria ka qenë e angazhuar në mënyrë aktive në arenën ndërkombëtare, si në nivel rajonal, ashtu dhe në atë global, në kërkim të paqes dhe sigurisë. Megjithatë, ne e pranojmë se zhvillimi i qëndrueshëm është një komponent integral i arritjes së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Nga ana tjetër, zhvillimi i qëndrueshëm kuptimplotë është i paarritshëm pa pasur në themel paqen dhe sigurinë e vërtetë", tha ai.
Ai shprehu shqetësim për krizat në marrëdhëniet mes fqinjëve.
"Shqiptarët luajnë një rol vendimtar në Evropën Juglindore. Ne përbëjmë shumicën në dy Republika të pavarura, Shqipëri dhe Kosovë, formojmë një pakicë themelore në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi, si dhe pakicë të rëndësishme në jugun e Serbisë. Gjatë gjithë historisë sonë, Shqipëria i është përmbajtur një politike të marrëdhënieve të miqësisë dhe fqinjësisë së mirë. Jemi thellësisht të shqetësuar për krizat e herëpashershme që përsëriten në marrëdhëniet mes fqinjëve."
Lajmi kryesor:
Bajram Begaj në Asamblenë e OKB: Platformë unike për bashkëpunim global! Njihni pavarësinë e Kosovës
B.K//ReportTv.al