Politikë

Begaj takohet me ministrin e Jashtëm të Qipros: Të rrisim bashkëpunimin mes dy vendeve

9 Shtator, 10:12| Përditesimi: 9 Shtator, 10:20

  • Share

Presidenti Bajram Begaj ka pritur në një takim ministrin e Jashtëm të Qipros, Constantinos Kombos. Gjatë bisedës, u vlerësuan marrëdhëniet e konsoliduara midis dy vendeve dhe u shpreh gatishmëria për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.

Presidenti Begaj vlerësoi se niveli i dialogut politik mes Shqipërisë dhe Qipros do të përbëjë një shtysë për rritjen e këtij bashkëpunimi dhe në këtë kontekst i është dërguar një ftesë për vizitë në Shqipëri Presidentit të Qipros, Nikos Christodoulides.

Kreu i Shtetit vlerësoi mbështetjen e Qipros për integrimin evropian të Shqipërisë, duke shprehur angazhimin e Shqipërisë për bashkëpunimin e ngushtë gjatë Presidencës së Qipros në Këshillin e BE-së vitin e ardhshëm. Ministri i Jashtëm i Qipros premtoi mbështetje të plotë për procesin integrues në BE të Shqipërisë për përmbylljen e kapitujve të negocimit gjatë presidencës qipriote të BE-së.

Gjatë bisedës u diskutua edhe për zhvillimet aktuale gjeopolitike në Evropë dhe rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar.

Një ditë më parë, ministri i Qipros ishte i pranishëm në Konferencën e Ambasadorëve, ku tha se Shqipëria ka zhvilluar progres të madh në rrugëtimin e saj drejt BE, dhe se vendi ynë duhet të vijojë të intensifikojë përpjekjet për të ecur para.

Xh.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Masakra me 2 viktima në Shkodër, sa të sigurt ndiheni?