Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, u takua në Dayton, Ohio, me Zëvendëssekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Landau.
Presidenti Begaj i shprehu mirënjohjen Zëvendëssekretarit të Shtetit për miqësinë historike dhe partneritetin strategjik që SHBA ka me Shqipërinë. Presidenti Begaj nënvizoi faktin se Shtete e Bashkuara të Amerikës kanë qenë mbështetës të palëkundur dhe kanë luajtur rol vendimtar në momente historike të kombit shqiptar.
Presidenti Begaj çmoi partneritetin Shqipëri-SHBA dhe ndihmën e dhënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në kryerjen e reformës në drejtësi dhe sundimit të ligjit, në zhvillimin e demokracisë dhe forcimin e institucioneve, në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me fokus të veçantë në sigurinë kibernetike.
“Jemi mirënjohës për mbështetjen që SHBA-ja i ka dhënë demokratizimit, transformimit dhe modernizimit të Forcave tona të Armatosura dhe në mënyrë të veçantë reformimit historik të sistemit të drejtësisë,” - shprehu Presidenti i Republikës gjatë këtij takimi.
Në lidhje me marrëdhëniet ekonomike, Presidenti i Republikës nënvizoi se Shqipëria mbetet shpresëplotë dhe me dëshirën e saj shumë të madhe për të vijuar bashkëpunimin bilateral dhe ndihmesën ekonomike në të ardhmen:
“Ne ftojmë investitorët amerikanë, pasi Shqipëria ofron mundësi investimi më turizëm, infrastrukturë strategjike, teknologji dhe siguri kibernetike. Po ashtu, ne inkurajojmë kompanitë e Shteteve të Bashkuara të investojnë në sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare. Projektet e SHBA-së, siç janë ato në energjinë e rinovueshme apo transformimin digjital, krijojnë mundësi punësimi dhe modernizojnë ekonominë shqiptare”, - theksoi Presidenti Begaj.
Për sa i përket bashkëpunimit rajonal, Presidenti Begaj vlerësoi rolin e rëndësishëm që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur e vijojnë të luajnë në rajon.
Kreu i Shtetit i përcolli Zëvendëssekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Christopher Landau, nevojën për vijimësinë e prezencës amerikane në rajon si faktor të pazëvendësueshëm për paqen, sigurinë dhe stabilitetin.
Presidenti çmoi rolin e SHBA-së në NATO dhe e njohu z. Landau me angazhimin e Shqipërisë për të rritur buxhetin e mbrojtjes.
“Të jesh anëtar i NATO-s do të thotë të marrësh përgjegjësi dhe Shqipëria është e përkushtuar në përmbushjen e tyre”.
Komente
