Begaj takon zyrtaren e lartë të OSBE-së: Do angazhohem që zgjedhjet lokale të 14 majit të përmbushin standartet ndërkombëtare

24 Mars 2023, 16:10| Përditesimi: 24 Mars 2023, 16:45

  • Share

 

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, Helga Maria Schmid. Begaj vlerësoi rolin e Organizatës në këto momente kyçe që kontinenti evropian dhe rendi botëror po kalojnë, si dhe nënvizoi vullnetin e Shqipërisë si vend anëtar i organizatës, për të kontribuar në drejtim të ruajtjes së paqes dhe rendit botëror.

Duke u ndalur tek procesi i zgjedhjeve të ardhshme lokale, Begaj vlerësoi ekspertizën e OSBE/ODIHR dhe theksoi se si President i Republikës do të bëjë gjithçka që i lejon Kushtetuta dhe ligji, që jo vetëm të kemi thjesht zgjedhje më të mira se paraardhëset, por ato të përmbushin standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Kreu i shtetit, vlerësoi gjithashtu rolin dhe kontributin e OSBE-së në Kosovë dhe rajon. Në këtë linjë, ai përshëndeti dakordësimin publik që u arrit në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë, duke rikonfirmuar qëndrimin e Shqipërisë se dialogu dhe marrëveshja janë rruga e vetme për një rajon në paqe dhe stabilitet.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan kontributin që misioni i OSBE-së në Ukrainë po luan në këto momente agresioni të pashembullt, të pajustifikuar e të paprovokuar nga një anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe të organizatës, si dhe kontributin real për paqen.

"Çdo krim i kryer në Ukrainë, ndaj popullsisë civile, ndaj fëmijëve dhe ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës nuk duhet të mbesë pa ndëshkuar,” – nënvizoi Presidenti Begaj.


Lajmi kryesor:

Xhaçka pret zyrtaren e Lartë të OSBE-së: Të bëjmë çmos për llogaridhënien e Rusisë për krimet e luftës! Schmid: Qasja e Shqipërisë ndaj Ukrainës, për t’u vlerësuar


B.V//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?