Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj ka uruar ditën e sotme festën e Pashkëve për besimtarët ortodoksë dhe katolikë.
Begaj shkruan se ky është një kremtim i shpresës dhe i ringjalljes.
Nga ana tjetër Begaj uron festën duke ftuar shqiptarët të festojnë Pashkët me dashuri, kujdes dhe vëmendje ndaj njerëzve që kanë nevojë.
"Gëzuar Pashkën të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë!
Ky kremtim i shpresës dhe i ringjalljes është dëshmia se jeta dhe mirësia triumfojnë mbi vdekjen dhe të keqen, se drita e mund errësirën, se virtytet dhe vlerat mposhtin ligësinë dhe antivlerat.
Drita dhe mirësia e kësaj feste ndriçofshin jetën e çdo besimtari të krishterë ortodoks, katolik e ungjillor shqiptar, dhe sjellshin paqe e bekime në familjet tuaja!
Festojeni këtë Pashkë plot dashuri, kujdes e vëmendje ndaj atyre që keni përzemer dhe që kanë nevojë!
Gëzuar me këtë shportë të përgatitur me shumë dashuri nga disa zonja të besimit ortodoks, në respekt të traditës sonë të festimit", shkruan Begaj.
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka uruar pasditen e sotme besimtarët e katolikë dhe ortodoksë, dhe ungjillorë për festën e Pashkëve.
Meta shkruan se Pashka nuk është vetëm festë, por dëshmia e triumfit të jetës mbi vdekjen, të dritës mbi errësirën, të së mirës mbi të keqen.
Urimi i Ilir Metës:
KRISHTI U NGJALL! VËRTET U NGJALL!
Gëzuar Pashkën e Madhe të gjithë besimtarëve të krishterë ortodoksë, katolikë, ungjillorë dhe mbarë popullit shqiptar!
Nga zemra uroj për sa më shumë mbarësi, paqe, dashuri, begati dhe lumturi në çdo familje shqiptare!
Bibla na mëson se: “Sikurse Krishti u ngjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne të ecim në një jetë të re.”
Ndaj dhe Pashka nuk është vetëm festë. Por dëshmia e triumfit të jetës mbi vdekjen, të dritës mbi errësirën, të së mirës mbi të keqen.
Uroj që edhe kjo Pashkë të sjellë për të gjithë ngjallje të vërtetë të shpresës në zemrat tona për një të nesërme më të mirë, që me besimin në Zot patjetër do të vijë! Mot më mirë!
GËZUAR PASHKËN!
Komente
