Behar Gjoka, studiuesi vlerësohet në Vjenë me 'Bageta e Gjeniut'

12 Mars 2019, 08:09| Përditesimi: 12 Mars 2019, 09:11

  • Share

Studiuesi dhe kritiku i njohur Behar Gjoka është vlerësuar në Vjenë me certifikatën “Bageta e Gjeniut” për një studim që ka bërë rreth përkrenares së Skënderbeut. Vjena ka qenë këto ditë kryeqendra e disa aktiviteteve me natyrën e karakterit shqiptar. Mbi të gjitha spikati aktiviteti i organizuar në Muzeumin e Artit Historik, ku ndodhen edhe simbolet e kombit shqiptar: Shpata dhe Përkrenarja e Gjergj Kastriotit – Skanderbegut, në Heldenplatz. 

Ky aktivitet u organizua si një bashkëpunim i Bashkisë së Vjenës, Medias Verlag dhe Familjes Jakova në përkujtim të 550-vjetorit të Heroit Kombëtar në 60-vjetorin e Operës së parë shqiptare të gjenisë së muzikës: Prenkë Jakova.

Me këtë rast u nderua me certifikatën “Baketa e Gjeniut” studiuesi shqiptar Behar Gjoka. Vlerësimi iu bë studiuesit shqiptar pikërisht në sallën “Gjergj Kastrioti – Skanderbeg” ku ndodhen edhe Shpata e Përkrenarja Heroit. Vlerësimi dedikuar për studimin e Behar Gjokës “Përkrenarja e Skanderbegut” iu dha studiuesit në Hollin e Muzeumit, i cili me këtë rast foli për punimin e tij dhe frymën e re që sjell në kulturën shqiptare mënyra e studimit. 

“Mbi të gjitha, theksoi Behar Gjoka, një studim historik i qëndron kohës dhe historisë në bazë të provave historike që ajo afron dhe jo të fantazive ideologjike.”

Studiuesi dhe kritiku i njohur, Behar Gjoka, ka nisur prej disa kohësh një rrugëtim të veçantë. Ka nisur gjurmimin e një të vërtete historike që lidhet me përkrenaren e Gjergj Kastriotit. Duke zhbiruar detajet ai ka marrë rrugën drejt Vjenës për t’u “përballur” me atë që do të bëhet edhe lajtmotiv i kërkimit shkencor. Megjithëse për “Shqiptarja.com”, Gjoka thotë se vepra e tij është në dorëshkrim dhe ende e papërfunduar, është përballur me një vlerësim të akorduar pikërisht nga Bashkia e Vjenës. Ekzistenca e përkrenares së Skënderbeut është e rrethuar nga enigma të mëdha. Studiues të ndryshëm shprehin pikëpamje të ndryshme për të. Një pjesë mendojnë se kjo përkrenare është një kopje e përkrenares së Aleksandrit të madh, që mbahej nga Skënderbeu krahas relikeve të çmuara me peshë simbolike, dhe nuk vihej në kokë nga ai. Kjo dyshohet të jetë e vërtetë edhe nga vetë përmasat e përkrenares që janë sa për një kokë fëmije. Studiuesi Moikom Zeqo në një shënim të kohëve më parë ka kujtuar se asnjë nga piktorët e mëdhenj të kohës nuk e ka pikturuar Skënderbeun me përkrenaren në kokë, por me kapela të varianteve të ndryshme. Vetë studiuesi Gjoka shprehet se ka shumë enigma rreth kësaj përkrenareje dhe simbolikës së saj, por për të është ende herët t’i publikojë, pasi “studimi është në proces, dhe secili zbulim pasi merr një përgjigje ngre një pyetje tjetër.”

Çfarë është thënë deri tani për përkrenaren e Skënderbeut?

Profesor Oliver Schmitt i Historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Vjenës shprehet se ajo që kërkoi Skënderbeu ishte Kurora e Mbretit. Kurorëzimi si Mbret i Shqipërisë dhe i Epirit, në kohën kur Pal Ëngjëlli do të bëhej Kardinali i shqiptarëve. Profesor Schmitt shprehet se ishte pikërisht kardinali ai që porositi, krijoi dhe ideoi imazhin e helmetës së Skënderbeut si imazhin e Aleksandrit të ri, të një principate të pavarur. Përkrenarja e famshme që ruhet sot në Muzeun e Vjenës (ishte Kurora e Skënderbeut e projektuar nga Pal Ëngjëlli)sipas Schmitt. Sipas Oliver Schmitt kjo përkrenare është kopje e përkrenares së Aleksandrit të Madh.

Ndërsa Kenneth Walters Profesor i Klasikëve Grekë dhe Latin në Universitetin Shtetëror të Wayne-it shpjegon se sipas tij paraardhësja e përkrenares së Skënderbeut është ajo e Pirros së Epirit. Nëpërmjet transmetimit të kulturës Epiriote-Ilire (Ku vizualizohen brirët).

Zbulimi u krye vetëm kohët e fundit duke pasur si material prove pikërisht këtë përkrenare, shprehet Profesori Schmitt, zbulimi u bë nga Profesor Franka nga Gjermania si dhe këto të dhëna kombinojnë me disa dokumente nga Arkivat e Milanos që tregojnë Arkipeshkvin e Durrësit në Milano në vitin 1464, ku Duka i Milanos Françesko Sforca i dhuroi shumë pjesë armaturash dhe armë, si dhe mendohet të ketë qenë edhe përkrenarja, e cila daton të jetë porositur më parë që aty nga viti 1460. Kjo konfirmohet edhe nga Historianet e Artit, sipas Schmitt. Më tej brirët janë, jo vetëm analogji nga helmeta e Pirros së Epirit një tjetër ilir strateg në drejtimin e luftërave, por edhe elementi i kokës së dhisë me brirë daton para erës sonë, d.m.th një element i periudhës së para Krishtit na shpjegon Profesor Walters.

Më tej, shkrimi në Përkrenare përkthehet “Jezusi i Nazarretit bekon Princin e Matit, Mbretin e Shqiptarëve, terrorin e Turqve dhe Mbretin e Epirit. Gërmat inicialet në latinisht ose italisht nëse bashkohen shqiptohen “Im-pe-ra-to-re” shpjegon Prof Walters. Ajo ka shume kuptime si Gjeneral Suprem, Udhëheqës apo Perandor. Pra ajo që përbëjnë enigmën e përkrenares janë lidhja e përkrenares me precedentët dhe antikitetin ilir dhe mbishkrimet kuptimplota.

Historia na tregon se Papa Piu II nuk e kurorëzoi dot Skënderbeun Mbret, siç i kishte premtuar, sepse ai vdiq në Ankona në 14 Gusht të vitit 1464. Megjithatë Skënderbeu ngeli figura më e vlerësuar tek miqtë apo kundërshtarët e asaj kohe.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?