Mikrofonë me logon e REL

Bota

BE-ja diskuton për mbështetjen e REL-it pas ndërprerjes së financave nga SHBA-ja

17 Mars, 16:26| Përditesimi: 17 Mars, 16:31

  • Share

Ministrat e Jashtëm të BE-së diskutuan për mbështetjen e mundshme evropiane të Radios Evropa e Lirë, pas urdhrit të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’ia ndërprerë fondet. Gazetarë dhe ekspertë në Kosovë reaguan me shqetësim, duke thënë se mbyllja eventuale e REL-it do të dëmtonte rëndë informimin e pavarur.

Vendimi për t’i ndërprerë fondet e Radios Evropa e Lirë ndezi kritika të ashpra mes gazetarëve, aktivistëve dhe organizatave ndërkombëtare, të cilat e cilësuan si sulm të drejtpërdrejtë mbi lirinë e medias dhe si kufizim serioz të së drejtës së qytetarëve për t’u informuar nga burime të pavarura.

Ministrat e Jashtëm të BE-së diskutuan të hënën për mbështetjen e mundshme evropiane të këtij mediumi.

“Është e trishtueshme të dëgjosh që SHBA-ja po i tërheq fondet e saj”, tha pas takimit shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.

“Tani, pyetja për ne është: a mund të ndërhyjmë me fondet tona për të mbushur boshllëkun që po lë SHBA-ja?

Përgjigjja është: jo në mënyrë automatike, sepse kemi shumë organizata që vijnë me të njëjtën kërkesë te ne”, tha ajo, duke shtuar se i mbetet BE-së për të parë se çfarë mund të bëjë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nënshkroi më 14 mars një urdhër ekzekutiv për shkurtimin e fondeve të Agjencisë së SHBA-së për Media Globale (USAGM), e cila, mes tjerave, mbikëqyr edhe Radion Evropa e Lirë dhe Zërin e Amerikës.

Disa orë pas publikimit të urdhrit, në media qarkulloi edhe një letër nga USAGM-ja, ku thuhej se granti i miratuar nga Kongresi për financimin e Radios Evropa e Lirë, është ndërprerë.

Çështja e vazhdimit të mundshëm të financimit nga BE-ja u ngrit në Bruksel me kërkesë të ministrit të Jashtëm të Çekisë, Jan Lipavsky, vendi i të cilit është nikoqir i selisë qendrore të REL-it për gati tri dekada.

Burimet diplomatike i thanë REL-it se Polonia dhe tri vendet baltike - Letonia, Estonia dhe Lituania - shprehën mbështetje për idenë e tij, megjithëse “kjo nuk nënkupton mungesë të mbështetjes edhe më të gjerë”.

Ministri i Jashtëm polak, Radek Sikorski, rikujtoi se Radio Evropa e Lirë dhe Zëri i Amerikës, gjatë kohës së komunizmit, ishin burimi i vetëm i informacionit të besueshëm për shumë njerëz në Evropën lindore.

“Këto institucione vazhdojnë të bëjnë punë të ngjashme për autokracitë edhe sot”, tha Sikorski në një deklaratë për REL-in.

Ndërkohë Kremlini reagoi, duke thënë se vendimi i presidentit Trump për të ndërprerë financimin e Radios Evropa e Lirë, “është një vendim i brendshëm i SHBA-së, që realisht nuk e shqetëson Rusinë”, shkruan REL.

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 11 majit do të jetë më cilësor?