Bashkimi Europian ka vendosur të hidhet në kundërveprim kundër lajmeve të rreme. Një komision i posaçëm pranë Parlamentit Europian do të zbulojë dhe luftojë ndikimin e huaj kibernetik.
Blloku beson se sidomos tani në kohën e emergjencës shëndetësore janë shtuar fushatat dezinformuese.
Në pranverë Brukseli ngriti alarmin duke thënë se Europa ishte;e përmbytur’ nga lajmet e rreme, të cilat sipas zv/presidentes së Komisionit Europian, Vera Jourova nuk janë të rrezikshme vetëm për arsye shëndetësore, por edhe synojnë hapur gërryerjen e besimit tek qeveritë dhe mediat.
Ajo mori si shembull rritjen e menjëhershme të numrit të kundërshtarëve të vaksinës në Gjermani. Në më pak se dy muaj, sipas një studimi, gatishmëria për vaksinim në Gjermani ra me 20%.
“Dezinformimi në kohët e pandemisë mund edhe të vrasë", tha i ngarkuari i BE për politikën e jashtme, Joseph Borrell.
Në internet ndërkohë ka me shumicë teori konspiracioni. Njëra prej tyre thotë që themeluesi i Microsoftit, Bill Gates bashkë me BE duan të përgjojnë njerëzit.
Komisioni i posaçëm pranë Parlamentit Europian gjithashtu do të ketë në fokus edhe ato që shihen si përpjekje të Kinës apo Rusisë për të rrënuar demokracitë në BE e për ta dobësuar atë vetë dhe rolin e saj nëpër botë.