“Nuk mund të mos pezullojmë tarifat. Do të ishte një shpallje lufte”. Sot, pra, do të pezullohen zyrtarisht kundër-tarifat evropiane. Edhe pse ende nuk ka mbërritur një përgjigje formale ndaj tekstit të propozuar nga Brukseli për deklaratën e përbashkët që do të sanksionojë paqen tregtare mes dy anëve të Atlantikut, Unioni ka nevojë të dërgojë një sinjal qetësimi.
Kjo është logjika që ndiqet në Pallatin Berlaymont: nëse nuk do të bëhej “bllokimi” i tarifave pas urdhrit ekzekutiv të miratuar nga Donald Trump të premten e kaluar, gjithçka do të vihej në diskutim. Në orët e fundit, udhëzimet e Ursula von der Leyen për të gjithë “negociatorët” evropianë kanë qenë shumë të qarta: “Duhet t’u besojmë Shteteve të Bashkuara dhe duhet të shmangim çdo provokim. Ky marrëveshje duhet mbyllur”.
Pikërisht për këtë, sot komiteti për barrierat doganore, që ka kompetencën për të zbatuar ndryshimet në tarifat e propozuara nga Komisioni, do të pezullojë masat e hartuara muajin e kaluar për t’iu përgjigjur kërcënimeve të Shtëpisë së Bardhë. Në atë pikë, do të ketë kohë të mjaftueshme për të përcaktuar dhe rënë dakord mbi dokumentin e përbashkët, ku do të përfshihen edhe specifikat për përjashtimet sektoriale. Për shembull, tarifat mbi makinat evropiane do të ulen në 15% (ishin rritur në 27,5% nga Trump), po ashtu edhe ato mbi barnat. Aeroplanët, nga ana tjetër, do të kenë tarifë zero. Në të njëjtën kohë, negociatorët do të diskutojnë mbi taksat për pijet alkoolike dhe (më vështirë) mbi ato për çelikun dhe aluminin. Për këtë pikë, administrata amerikane mbetet e palëkundur.
Edhe pse udhëzimi është të besohet në mirëbesimin amerikan, në Komision ka filluar të qarkullojë një shprehje italiane: “Të besosh është mirë, të mos besosh është më mirë”. Prandaj, miratimi i sotëm do të duhet të ratifikohet brenda dy javësh në formë të shkruar. Në çdo rast, pezullimi nuk është i pakufizuar, por për gjashtë muaj. Një procedurë që lejon të merren masa shpejt nëse do të kishte surpriza nga Uashingtoni. Edhe pse presidentja e Komisionit, e cila po rrezikon një pjesë të madhe të besueshmërisë së saj politike dhe hapësirën e veprimit për katër vitet e ardhshme, e konsideron marrëveshjen si rrugën e vetme për të mbijetuar. Nëse Trump do të tërhiqej nga angazhimet tani, do të ishte për të një dështim i plotë. Kritikat ndaj saj janë ende të ashpra dhe një tërheqje do t’i ashpërsonte edhe më shumë.
Edhe SHBA-të, megjithatë, duken të vendosura për ta mbyllur shpejt çështjen e përgjithshme. Për Jamieson Greer, përfaqësuesin tregtar të SHBA-ve, raundi i tarifave është “praktikisht i përcaktuar” dhe vështirë se do të ndryshojë: “Shumë nga këto tarifa bazohen në marrëveshje. Disa prej tyre shpallen, të tjera jo, dhe të tjera varen nga niveli i deficitit ose suficitit tregtar që mund të kemi me vendin”.
Në ditët në vijim, Trump pritet të takohet madje edhe me “të urryerin” kryeministër kanadez, Mark Carney, për të rifilluar negociatat pasi SHBA-të, në mënyrë hakmarrëse, kishin rritur kufirin tarifor në 35%. Edhe Zvicra, e cila u godit me një tarifë prej 39%, është gati të paraqesë një ofertë të re në Shtëpinë e Bardhë.
E sigurt është se presidenti amerikan nuk planifikon të heqë dorë, në afat të shkurtër, nga politika e tij tregtare. Nga prilli në gusht ai ka arkëtuar 152 miliardë dollarë, gati dyfishi i 78 miliardë dollarëve të mbledhur në arkat federale në të njëjtën periudhë të vitit 2024. Vetëm në korrik, tarifat sollën pothuajse 30 miliardë dollarë. Nivele të papara prej gati 100 vitesh. Megjithatë, në afat të gjatë, rritja e çmimeve – me një mesatare prej 18% – mund të korrigjojë këtë dinamikë. Një llogaritje që shumë po e bëjnë dhe që mund të ndikojë në zgjedhjet amerikane pas vitit 2026./ La Repubblica
Komente
