Donald Trump

Bota

BE-ja pranë një marrëveshjeje me SHBA-në: Tarifa doganore 15%, edhe për makinat! Por mungon ende miratimi i Trump

23 Korrik, 21:04| Përditesimi: 23 Korrik, 21:06

  • Share

Numri magjik mund të jetë 15. Pas një negociate të lodhshme që ka zgjatur për muaj të tërë, negociatorët evropianë dhe amerikanë duket se janë pranë një marrëveshjeje për vendosjen e përbashkët të tarifave doganore 15% midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Por ende mungon miratimi përfundimtar nga ana e Donald Trump. Pa një marrëveshje, që nga 1 gushti do të hyjnë në fuqi tarifat 30%, siç është paralajmëruar dhe kërcënuar më herët nga presidenti amerikan. Brukseli, sipas asaj që shkruan Financial Times, mund të pranojë propozimin për të shmangur përqindje edhe më të larta. Që nga fillimi i prillit, për mallrat e eksportuara nga BE drejt SHBA-së po aplikohen tarifa 10%, të cilat i shtohen atyre ekzistuese rreth 4,8%, sipas klauzolës së Kombit më të Favorizuar (MFN). Sipas burimeve të përmendura nga gazeta britanike, tarifa e re do të përfshijë edhe taksat ekzistuese, duke i lënë praktikisht të pandryshuara.

Për diplomacinë e BE-së kjo do të përfaqësonte një konsolidim të status quo-së. Financial Times shkruan gjithashtu se tarifat mbi makinat, që aktualisht janë në nivelin 27,5% (25% + 2,5%), do të zbrisnin në 15%. Sipas burimeve diplomatike, skema parashikon disa përjashtime që ende nuk janë përcaktuar. Nga ana e saj, BE-ja mund të ulë tarifat për produktet amerikane në nivelin e klauzolës MFN ose në 0% për disa produkte.

Bisedimet SHBA–BE janë në ngërç. Komisioni Evropian, të mërkurën më 23 korrik, konfirmoi se do të paraqesë një listë të vetme mallrash që do t’i nënshtrohen tarifave doganore me vlerë deri në 93 miliardë euro, deri në 30%, në rast se nuk arrihet një marrëveshje deri më 1 gusht. Masat kundërpërgjigjëse të BE-së nuk do të hyjnë në fuqi përpara datës 7 gusht. Gjatë mbledhjes së Coreper-it (Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm), shumica e ambasadorëve të 27 vendeve anëtare duket se kanë rënë dakord që, nëse negociatat nuk japin rezultat, të mbështetet aktivizimi i të ashtuquajturit “instrument i anti-shtrëngimit”. Ky mjet, i menduar fillimisht për të mbrojtur tregun evropian nga Kina, do të përdorej kështu kundër një aleati historik, duke përjashtuar nga tregu evropian kompanitë amerikane. “Vetëm Franca ka kërkuar zbatimin e menjëhershëm të mekanizmit të anti-shtrëngimit”, ka bërë të ditur një burim. Votimi do të zhvillohet nesër, të enjten më 24 korrik, në komitetin për barrierat tregtare./ La Repubblica

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Prokuroria, GJL e Dhoma Avokatisë kundër Kodit Penal, a duhet ndryshuar drafti?