Duke i cilësuar “intriga” të gjitha kritikat nga deputetët e opozitës, mazhorancës e së fundmi nga PDIU, kandidati i Berishës për Bashkinë Himarë Fred Beleri ka mohuar çdo gjë. Edhe pse ka qenë kryefjalë për fushatën e tij me flamurin e ‘Vorio Eprit’ por edhe për masakrën e Peshkëpisë, Beleri thotë në Sot Live në Shqipëri me gazetarin Nertil Agalliun se flamuri ishte i organizatorëve.
“Zoti Balla dhe Idrizi të merrem me partitë e tyre.
Ishte një aktivitet ne ishim në Greqi ku banojnë me dhjetëra himariotë. Unë mbajta për të folur te aktiviteti, i thashë atyre njerëzve të votojnë për zgjedhjet. Flamuri ishte i organizatorëve. Ai flamur doli në 2014 pas protokollit të Korfuzit. Pra nuk mund t’i referohemi historisë dhe gjërave të kaluara.”- thotë Beleri.
Sa i takon padisë që do ngrejë kreu i PDI-së, Shpëtim Idrizi, Beleri thotë se e pret në gjyq.
“Ai mund të bëjë sa padi të dojë, unë e pres në gjyq rta shohim ku e kam shkelur integritetin. E pres në gjyq.”- tha Beleri.
I pyetur nëse kishte mesazh për kundërshtarin e tij politik në këtë zonë që përflitet, Beleri tha se i uron Goros një betejë të mirë.
“Pjesëmarrja e madhe në zgjedhje përshkruan më mirë rezultatin. Unë ata qytetarë i thërras gjithnjë. Mesazh për Goron? T’i uroj një betejë të mirë, zgjedhjet të bëhen demokratike, të mos merremi me intriga. Të merremi me probleme reale.”- tha Beleri.
Kujtojmë se skandali i fushatës së Fred Belerin, u denoncua fillimisht nga deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku. Deputeti i PD-së, është shprehur se Beleri haptazi ka shkelur sovranitetin e vendit duke përdorur për fushatë, flamurin e ‘vorio epirit’. Ai u kërkoi demokratëve të mos e votonin, ndërsa shtoi se duhet refuzuar nga çdokush një person i cili shkel integritetin territorial dhe sovranitetin kushtetues të vendit. Edhe kreu i çamëve, Shpëtim Idrizi, pak ditë më parë teksa njoftoi se do dalë në zgjedhje i vetëm, u kërkoi shqiptarëve të mos votojnë Fred Belerin. Edhe Taulant Balla u shpreh se Beleri është përgjegjës për masakrën e Peshkëpisë ndaj nuk duhet të votohet. Video është bërë publike nga vetë kandidati kandidat i përbashkët i PD-së dhe PL në rrjetet e tij sociale. Ai u bën thirrje emigrantëve shqiptar që jeton në Samos të Greqisë që ta mbështesin, duke i premtuar zgjidhje të problemeve me të cilat ata përballen.