‘Beleri’/ Juristi Hajdari: Ka shkuar shtëpi më shtëpi për ‘bamirësi’! Suli: Mbahet si i burgosur politik i Ramës, do qeverisë Himarën për 4 vite

27 Nëntor 2023, 22:50| Përditesimi: 27 Nëntor 2023, 23:01

  • Share

Çështja e Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës i cili është arrestuar për blerje votash në Himarë, është kthyer në një çështje të nxehtë diplomatike mes Greqisë dhe Shqipërisë.

I ftuar në studion e emisionit ‘5 pyetjet’ me gazetarin Ilir Babaramo në Report Tv ishte edhe sekretari i Përgjithshëm i OMONIA-s, Marin Suli i cili tha se Fredi Beleri është i burgosur politik i kryeministrit Edi Rama.

“Bashkia ka kryetar, që është i burgosur politik me vullnet të kryeministrit të vendit. Sa herë afrohen seancat gjyqësore, kryeministri del dhe flet nga 4-5 fjali për Belerin. Flet për flagrancë, por Fredi Beleri u arrestua sapo kishte ngrënë bukë” tha ai.

Nga ana tjetër, juristi Shkëlqim Hajdari tha se në rastin e Belerit drejtësia po funksionon dhe shtoi se një shtet aq demokratik si Greqia nuk duhet të bazohet në çështje të tilla duke dëmtuar marrëdhëniet e dy shteteve.

Më tej, juristi pati një debat me Sulin, ku nënkuptoi se Beleri ka shkuar shtëpi më shtëpi duke blerë vota që tashmë OMONIA i konsideron si bamirësi.

“Zotëria ka bërë fushatë shtëpi më shtëpi, ka mbaruar halle, bamirësi. Nuk është vepër penale bamirësia, unë e di. Jam prokuror i vjetër. Kjo është situatë shumë delikate”- u shpreh juristi.

Ndërsa Suli u përgjigj duke e konsideruar gjyqin ndaj Belerit si një “paçavure” pasi dëshmitari sipas tij, ka ndërruar dëshminë në seancë dhe u desh ndërhyrja e prokurores së SPAK për ta treguar këtë.

“Duke parë provat është jo e paragjykuar, por një paçavure. Dëshmitari kyç në çështje ndërroi dëshminë në seancë dhe u detyrua prokurorja që mos e dëgjoni dëshmitarin se kur erdhi në SPAK nuk ka dhënë këtë përgjigje dhe ky njeriu që është dënuar tre katër herë”- tha Suli i cili në përfundim të fjalës së tij u shpreh i bindur se Beleri do të drejtojë bashkinë e Himarës për 4 vitet e ardhshme.

Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023, pasi u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota. Sa i takon betimit të tij si kryebashkiak i Himarës, Gjykata e Lartë nxori përfundimin se vendimi i takon Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Lidhur me 'kërcënimet' e Greqisë përsa i takon çështjes së Belerit, pati edhe një përgjigjie nga Gjermania që i bëri thirrje Athinës zyrtare që të mos pengojë integrimin e Shqipërisë në BE.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?