Fredi Beleri

Beleri pas daljes nga burgu: Çështjen do e çoj në Strasburg, zgjedhjet ishin të paligjshme! Tavo mund të jetë kryebashkiak i Tërbaçit, por jo i himarjotëve, unë dola fitues

2 Shtator, 14:20| Përditesimi: 2 Shtator, 22:36

  • Share

Gjykata e Fierit i fali javët e mbetura të izolimit, Apeli i GJKKO e kishte dënuar me 2 vite burg. Ish-kryebashkiaku flet para mediave, gazetarëve helene u përgjigjet greqisht. Akuzon Qeverinë dhe Presidentin, thekson se do vijojë betejën ligjore: Nëse shpallem i pafajshëm, do kandidoj përsër.

Pak pasi Gjykata e Fierit i fali javët e mbetura të izolimit për dënimin me 2 vite burgim të formës së prerë nga Apeli i GJKKO-së, ish-kryebashkiaku i Himarës, Fredi Beleri, foli në dalje të Burgut për mediat shqiptare dhe greke, teksa u zbatua vendimi i lirimit nga autoritetet.

I dënuar për korrupsion zgjedhor, ai e quajti vendimin si politik dhe të padrejtë, duke akuzuar kryeministrin Edi rama dhe qeverinë si ideatorë dhe autorë, teksa theksoi se çështjen do e dërgonte në Strasburg. Zgjedhjet e parakohshme të 4 Gushtit i quajti të paligjshme, teksa shtoi se komunikim me Vangjel Tavon do të ketë, por për të ai mund të jetë “kryebashkiak i Tërbaçit dhe jo qytetarëve himarjotë”.

“Siç e dini, në Himarë, në Shqipëri, nuk ka zgjedhje. Pra nuk dihet se kur mbarojnë një palë zgjedhje, sepse pushteti ka vendosur që në këtë shtet të mos bëhen zgjedhje.

Zgjedhjet u bënë më 14 Maj, kam dal fitues. Këto zgjedhje që u bënë më 4 Gusht ishin të paligjshme. I paligjshëm ishte shkarkimi im, i paligjshëm ishte dekreti i Presidentit. I paligjshëm ishte dhe vendimi i kryeministrit, që implikoi gjithë qeverinë, gjithë shtetin dhe mafien, për të fituar një palë zgjedhje në një fshat”.

I pyetur nëse fitoi apo humbi në këtë betejë, pasi nuk është më kryebashkiak i Himarës, por u zgjodh eurodeputet i Greqisë, Beleri u shpreh:

“Të gjithë e dini se liria është e shenjtë. Dhe një ditë në burg, në mënyrë të padrejtë, mendoj se nuk ia vlen për çdo lloj benefiti. Sigurisht që jam zgjedhur eurodeputet është një nder i madh, më jepet mundësia që të besoj dhe të luftoj nga një pozicion tjetër”.

Beleri theksoi se beteja e tij do vazhdojë, duke nënvizuar se tani është eurodeputet i zgjedhur nga partia Demokracia e Re në Greqi nga qytetarët grekë dhe pjesë e grupimit të Partive Popullore Europiane.

“Me mundësitë që kam do ngre zërin për padrejtësitë që bëhen. Kjo çështje do mbyllet në Strasburg. E kam thënë edhe herët e tjera në median greke dhe ato shqiptare se kjo çështje do ndiqet në Strasburg dhe do e kërkoj të drejtën atje. E thashë që zgjedhjet në Himarë nuk duheshin bërë, pasi ishin të paligjshme, ishte i paligjshëm shkarkimi im. Qytetarëve iu mohua e drejta të votojnë, i gjithë shteti ishte atje duke bërë presion dhe intimiduar votuesit. Zgjedhjet ishin bërë në Maj të 2023 dhe Himara kishte kryetar bashkie, por pushteti nuk donte”.

Eurodeputeti shpjegoi se do vijojë detyrën e tij të re mes Greqisë dhe Brukselit, por pa e harruar betejën që ka nisur. I pyetur nëse do bashkëpunojë me kryebashkiakun e ri ai tha:

“Sigurisht që do komunikoj me Vangjel Tavon dhe me këdo që punon dhe do të punojë për të mirën e Himarës. Por sigurisht që nuk besoj se zoti Vangjel Tavo, nga mënyra se si u përzgjodh, nga mënyra se si u zhvilluan ato zgjedhje, ka legjimitetin e qytetarëve të Himarës. Vangjel Tavo mund të jetë kryetar i Bashkisë së Tërbaçit, por jo i himarjotëve!”.

Ai u pyet edhe për të ardhmen politike dhe nëse do kandidojë përsëri në Himarë, duke e pohuar. 

“Sigurisht që do kandidoj. Do e çoj çështjen në Strasburg dhe kur të mbarojë, nëse vendimi i tij më nxjerr të pafajshëm, do kandidoj”, u shpreh Beleri.

Beleri shtoi se nuk ka bërë asnjë festë për lirimin dhe as e priste vendimin, pasi nuk e dinte se çfarë do të ndodhte në seancë. Ai këmbënguli se vendimet ndaj tij kanë qenë politike.

“Në radhë të parë falënderon avokatët e mi që gjatë këtyre 16 muajve më mbrojtën në mënyrë profesionale. Dhe se gjithë puna e tyre bëri që kjo çështje të çmontohej dhe të dukej padrejtësia para të gjithëve”.

Pyetjes së gazetarëve nëse gjatë kohës së burgut kishte pasur presione apo shantazhe, Beleri u përgjigj:

“Jo nuk ka pasur asgjë. Kam qenë si të gjithë të burgosurit e tjerë. Personeli i burgut sillej njëlloj si me të tjerët.

Beleri u arrestua më 12 Maj 2023, dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 Majit 2023 në Himarë, ku doli fitues nga qelia e paraburgimit me diferencë 19 vota ndaj Jorgo Goros. Në një proces gjyqësor në GJKKO u dënua me 2 vite burg për korrupsion zgjedhor, pasi u gjet fajtor në blerjen e 8 votave me 400 euro në total. 

Pas vendimit të formës së prerë ai humbi mandatin, teksa KQZ dhe Presidenti shpallën zgjedhjet e parakohshme të Himarës më 4 Gusht të këtij viti, ku doli fitues kandidati socialist, Vangjel Tavo, i cili mori dhe detyrën e re.

E.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?