Greqia, Serbia dhe Belgjika sjellin në pranga 3 persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare.
Të ekstraduarit janë Mikel Hoxha, alias Mikel Papa, Armando Gropa dhe Suard Onuz. Hoxha u ekstradua nga Greqia, Gropa nga Belgjika dhe Onuz nga Serbia.
Të ekstraduarit janë të dënuar me burg respektivisht Hoxha për prostitucion, pastrim parash, Gropa për kultivim droge dhe Onuz për trafik mjetesh motorike. Të tre iu dorëzuan policisë shqiptare në aeroportin e Rinasit nga shërbimet partnere ditën e sotme (12 korrik).
I pari u dorëzua tek agjentët e Interpol Tiranës personi me dy identitete, Mikel Hoxha alias Mikel Pepa, i kapur në Greqi, që Gjykata e Beratit e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
“Ai ka investuar për blerjen e pasurive të paluajtshme dhe ka transferuar shuma të mëdha parash te të afërmit e tij, të ardhura të cilat i ka përfituar nga veprimtaria kriminale e shfrytëzimit për prostitucion, për të cilën është dënuar në Itali. Nga dënimi, shtetasit M. H. alias M. P. i duhet të vuajë 3 vjet e 9 muaj burgim”, tha policia.
Kurse Armando Gropa, 40 vjeç, i kapur në Belgjikë, është dënuar nga Gjykata e Apelit Tiranë me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “kultivimi i bimëve narkotike”.
“Në vitin 2021, ai kultivoi 140 bimë narkotike Cannabis Sativa, në sipërfaqen e tokës që kishte në pronësi në fshatin Grizë”, sqaroi policia.
I fundit u ekstradua Suard Onuz, i kapur në Serbi, pasi Gjykata e Kukësit, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “trafikimi i mjeteve motorike”.
Ai akuzohet se ka trafikuar në Shqipëri, 1 automjet tip “Mercedez Benz”, të denoncuar të vjedhur në Francë.
Komente
