Policia Gjyqësore Federale (PJF) në Bruksel njoftoi sot (17 Dhjetor) se ka çmontuar një rrjet ndërkombëtar të dyshuar për trafik droge, i fokusuar kryesisht tek kokaina, që furnizonte tregun britanik.
Lajmin e bëri me dije në një njoftim për shtyp zyra e Prokurorisë së Brukselit. Ky rrjet, i drejtuar nga shtetas shqiptarë, dyshohet se përdorte drejtues kamionësh për të transportuar drogë mes Belgjikës dhe Anglisë.
“Hetimi, i kryer nga prokuroria publike dhe policia gjyqësore federale e Brukselit, bëri të mundur identifikimin dhe çmontimin e një rrjeti të strukturuar që operonte nga disa vendndodhje në Belgjikë, kryesisht në rajonin e Brukselit, por edhe në Brabant Flamand dhe Brabant Walloon”, shkruan media vendase.
Në kuadër të operacionit të zhvilluar paraditen e së hënës, janë kryer rreth 30 kontrolle, të cilat kanë çuar në arrestimin e disa të dyshuarve dhe sekuestrimin e provave. Gjatë këtij operacioni, hetuesit sekuestruan dy pistoleta, para, sende luksi dhe disa automjete.
Para këtij operacioni, hetuesit kishin vënë në shënjestër tashmë transporte të dyshimta, duke çuar në sekuestrimin e kokainës dhe shuma parash nga autoritetet franceze dhe angleze. Këto sekuestrime bënë të mundur forcimin e hetimeve dhe zbardhjen e shtrirjes së rrjetit ndërkombëtar të dyshuar për trafik droge.
Nga hetimet u zbulua se rrjeti dyshohet se përdorte kompani transporti për të kamufluar kalimin e drogës, duke fshehur dërgesat brenda kamionëve që transportonin mallra legale. Ky ‘modus operandi’ do të kishte lejuar që trafiku të zhvillohej në mënyrë diskrete, duke kaluar tranzit nëpër Kanalin e “La Manshit”, për të furnizuar tregun anglez.
Komente
