Politikë

Kryeministri Rama në Kolegjin e Europës në Bruzh: Shqipëria në rrugë të mbarë, BE është bekim për ne

16 Shtator, 20:05| Përditesimi: 16 Shtator, 23:09

  • Share

Belgjikë - Përpara studentëve në Kolegjin e Europës në Bruzh, Kryeministri Edi Rama foli me superlativa për Bashkimin Europian dhe aspiratën e Shqipërisë që të integrohet në union. Rama e nisi duke u kthyer pas në kohë, kur nën diktatin komunist, kujtoi se si i dukej Evropa në sytë e tij në atë kohë.

“Për mua Europa nuk ishte realitet, ishte mit. Përfytyroni qiellin e errët dhe krejt befas të kap syrin një yll të zbehtë, një kanal të ndaluar italian. Europa ishte një yjësi, një ëndërr në bardh e zi. Pastaj erdhi 1989, kur muri i Berlinit ra por muri ynë mbeti i paprekur. Ata tanët thonin ne nuk jemi si ata, ne jemi realët, ata janë të degjeneruar. Ne mbetëm të kyçur në bunkerin tonë, një bunker që e kishim ngritur vetë. Në verën 1990, mijëra njerëz të dëshpëruar, u shfaqën çarjet e para, tranzicioni që erdhi ishte i rrëmujshëm, i dhimbshëm, kaotik dhe tragjik. Mijëra të vdekur në kryengritjet për kursime që kishin shkuar dëm. Nuk do ta harroj kurrë një episod me Jusuf Vrionin, një aristokrat shqiptar, që kaloi vite të tëra në burg në komunizëm. Në vitin që pasoi fundin e komunizmit, i thashë, nuk dukesh i lumtur që demokracia ka ardhur, ai më pa dhe nënqeshi. Tha jo, demokracia ende nuk ka ardhur, liria po. Unë jam fatlum, tha ai, por demokracia është shtet i së drejtës”, tha Rama

Për Shqipërinë dhe Ballkanin, BE-ja është një bekim, u shpreh Rama, teksa theksoi se Bashkimi Europian ka dy kufij, e Shqipëria gjendet në kufirin e brendshëm të unionit. Megjithatë, Kryeministri shqiptar theksoi se tashmë Shqipëria është në rrugën e duhur drejt anëtarësimit në BE.

“Falë Zotit ekziston BE, pa BE mund të ishim ende duke pritur për qindra vite duke ndërtuar institucione. Ky është një bekim që ne në Shqipëri dhe rajon e kemi. Këto nuk janë ditët më të mira për Europën dhe Bashkimin Europian. Më shumë se integrim është zgjerim. Mos harroni që BE është realiteti i parë në historinë e hartave me dy kufij; një të jashtëm dhe një të brendshëm. Brenda këtij kufiri të brendshëm jemi ne, Ballkani, si një fetus në mitrën e një gruaje shtatzënë. Mendoj që së fundmi jemi në rrugë të mbarë, jam i sigurt që Federica (Mogherini) është më e lehtësuar sepse e la Brukselin me një premtim të brendshëm për të mos u kthyer kurrë dhe erdhi në Bruzh për të gjetur strehë në sytë e një brezi të ri”, u shpreh Rama.

Sa i përket luftës në mes të Evropës mes Rusisë dhe Ukrainës, Kryeministri Rama bëri thirrje që BE-ja të ndërtojë një strategji për të ofruar garanci sigurie për Kievin zyrtar dhe të hartojë një vizion të gjerë për stabilitetin.

“Europa ka nevojë për një plan, duhet të ofrojë garanci sigurie për Ukrainën, të projektojë rrugë të qartë për ribashkimin e Europës dhe të mbajë derën hapur për përfshirje më tej të Rusisë në një vizion të gjerë për stabilitet dhe të pozicionohet si një forcë qëndrore për diplomacinë dhe ndërtimin e paqes në skenën botërore”, vijoi Rama.

Në fund, Kryeministri Edi Rama ftoi studentët që të vizitojnë Shqipërinë, duke përmendur këtu edhe rritjen që ka pësuar turizmi në vendin tonë.

Ora 20:36
Rama thumbon Farage nga ‘zemra’ e Evropës: Kur largohesh nga BE, flet gjepura!

 

Sapo i jepet mundësia dhe hapësira, Kryeministri Edi Rama nuk e lë rastin t’i ikë për të replikuar në distancë me politikanin britanik Nigel Farage.

Këtë radhë, Kryeministri Edi Rama ka shfrytëzuar auditorin e Kolegjit të Europës në Bruzh, në Bruksel, ‘zemrën’ e Bashkimit Evropian.

Duke folur për BE-në dhe Shqipërinë, Kryeministri Rama përfshiu shkurtimisht në fjalën e tij edhe Britaninë e Madhe që u largua nga unioni.

“Ata që vijnë nga mbarë Europa e kuptojnë realisht se Shqipëria është vendi me vjedhjen më të ulët të shtëpive në Europë. Anglia thotë po, sepse shqiptarët kanë ardhur tek ne. Kështu bën kur largohesh nga BE, flet shumë gjepura. Merr pak kamomil para se ta dëgjosh, që mos të zërë depresioni. Nëse nuk jeni një prej atyre që keni ardhur, atëherë ejani. Është një vend që ia vlen ta vizitosh”, tha Rama, qartazi duke dërguar një mesazh për Nigel Farage.

Ky i fundit, që prej muajve të verës, u përfshi në debat me Edi Ramën kur tha se 1 në 50 shqiptarë në Britani është i burgosur, deklaratë kjo që u kundërshtua me forcë nga Kryeministri shqiptar.

V.GJ /SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap tjetër grupkapitull me BE-në, si iu duket ritmi i negociatave?