Foto ilustruese

Opinion

Ben Andoni: A duhet llogaritur opozita për Kodin e ri Penal?!

8 Gusht, 09:30| Përditesimi: 8 Gusht, 09:32

  • Share

Ka ditë që drafti i Kodit të ri Penal është bërë i njohur për publikun dhe ka marrë përgjigje shumë të pakënaqura nga profesionalistë të drejtësisë, individë, gazetarë dhe personalitete. Sikur të mos mjaftonte kundërshtia e Kryeprokurorit Çela, ka vijuar kundërshtia e shefit të avokatëve dhe e instancave të tjera që kanë treguar panjohuri dhe mungesës transparence me këtë draft, por edhe kanë treguar kundërshtitë kur u njohën me të. Kundërshtitë kanë qenë të shtrira për shumë nene, ashtu si edhe hapësirën e interpretimit që mund të bëhet prej tyre.

I vetëm kryeministri Rama jo vetëm është treguar cinik me kritikët e Kodit Penal por ka përdorur dhe armën e tij të zakonshme sarkazmën, ndaj individëve që e kanë kundërshtuar. Paçka rolit dhe tagrit të tyre, Rama nuk është ndalur me sigurinë e përgatitjes së këtij drafti.

Ndërkohë që media, individë të ndryshëm dhe profesionistë po mundohen të ndriçojnë dhe të përpiqen të ndijnë politikën dhe legjislaturën e re që të jetë e kujdesshme për shqyrtimin dhe miratimin e saj, duket se opozita ka nisur narracionin e zakonshëm për protestat në shtator dhe pastaj komision për zgjedhjet dhe përballjen me Ramën.

Për njerëzit që ndoqën, pritën dhe kaluan mosbindjen e tyre civile, e cila nuk u bë dot e tillë në asnjë moment; për politikanët e opozitës që u ankuan për zgjedhjet e vitit 2017, 2021 dhe pastaj realizuan një kod sërish zgjedhor me PS-në;  për analizat që nuk u bënë asnjëherë tashmë ka një sfidë që po e shmangin dhe quhet Kod Penal. Pak zëra të thellë kritikë kemi për të dhe opozita duket krejt e dorëzuar me faktin.

Sfida e javëve në vazhdim do të provojë në nivelin e ekspertizës se çfarë ka përcjellë z. Berisha me listat e tij në parlament dhe sa të zot do të jenë deputetët e opozitës që t’i mbushin boshllëqet, sa do munden të përfaqësojnë interesin publik…Edhe pse e dimë se përballë do të kenë një masë kompakte, siç është grupi parlamentar i PS-së që do të votojë për çdo urdhër të Ramës, të paktën opozita mund të tregojë zërin publik.

Megjithatë, ata në vend të Kodit Penal do të merren me gjasa vetëm me Ligjet e Integrimit (këtë e kanë dëshmuar) dhe denoncimin e zgjedhjeve, që për ironi kanë mbaruar dhe nuk kthehen më. Beteja e parë do të tregojë forcën reale të PD-së por edhe me shumë gjasë do t’i tregojë publikut shqiptar sesa pa zë është në këtë legjislaturë prej të zgjedhurve të vet, detyra kryesore e të cilëve është thjesht ulja dhe ngritja e kartonëve me urdhrat e vetëm dy njerëzve, që e kanë kaluar fort fatet e vendit. Rama dhe Berisha kanë mundësi që edhe në këtë legjislaturë ta largojnë sërish dritën nga fundi i tunelit të shpresës së shqiptarëve./Javanews

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A po i liron hapësirat publike aksioni i qeverisë?