Foto nga Kuvendi

Opinion

Ben Andoni: Askujt nuk i digjet… deri në agim!

22 Shtator, 23:19| Përditesimi: 22 Shtator, 23:22

  • Share

Kjo shprehje lidhet me një thënie popullore dhe ka të bëjë me njerëzit që kanë pushtet. Sipas të cilës nuk mund të qëndrosh pa fund në drejtim dhe këtë duhet ta ketë parasysh cilido syresh. Nuk përmendet fjala qiri pasi nënkuptohet, por metafora është e qartë: Asnjë qiri i zakonshëm nuk shkon i padjegur përgjithnjë. Mësimi është i madh dhe u thuhet pushtetarëve në shumë mënyra, por pjesa më e madhe nuk do t’ia dijë. Kujtojnë se do jetojnë pafundësisht. Klubi i diktatorëve të botës u kap nga mikrofonat se mendonin për pushtet të pamatë dhe jetesë të stërgjatë.

Në fshatin tonë, Kryeministri Rama me vendosmërinë dhe egon e tij të zakonshme, madje dhe bindjen se do të jetë përgjithnjë në pushtet dhe madje edhe pas vitit 2030, lëshon deklaratat cinike: Se do iki kur të dojë vetë!

Përballë ka një personazh që ka hyrë sipas mënyrës së tij në historinë e pushtetit por që për pak vjet, nëse natyra do ta lerë me këtë gjendje, mund t’ia kaloj dhe vetë Enver Hoxhës, diktatorin pa të dytë në Shqipëri.

Ndërkohë nën hijen e tyre janë djegur breza, individë dhe profesionistë të shquar dhe kanë gëluar të paaftë dhe dallkaukë, që sot mbushin kronikat televizive me rastet e korrupsionit dhe të tjetër me historitë e sikletshme të servilizmit, para të cilave edhe Uriah Heep-i i Dikensit do dukej shenjtor.

Megjithatë në këto ditë koha do humbet me debatet kilometrike për shkarkimin e Erion Velisë në Këshillin Bashkiak (mënyra sesi do sillen anëtarët socialistë do tregojë peshën morale dhe logjike të tyre), arsyetimet administrative dhe logjika juridike për vlefshmërinë. Ndërkohë që shqiptarët vazhdojnë e ikin; një masë e madhe mezi e përball mbijetesën; të tjerë presin me shpresë që t’u lihet ndonjë mundësi nga njerëzit e privilegjuar të shpurës Rama për punë. Të gjitha këto sfilitje të shqiptarëve bëjnë pak përshtypje për Ramën që ka nisur ekskursionet ndërkombëtare duke u shpjeguar “Diellën” perëndimorëve “të paditur”; ashtu si edhe për Berishën që i llogarit si numërorë për protestat duke u ngacmuar dinjitetin dhe atë jetë që u vështirësohet për ditë e më shumë. Kronika e këtyre ditëve është një e tillë e mjerë e individëve të politikës që nuk shohin se çfarë bëhet në botë, ku dihatja e luftës dëgjohet gjithnjë e më afër; ku Shqipëria përballet me sfida të gjithë llojeve; ku bankat e shkollave po boshatisen dhe ku çmimet e produkteve nuk dinë të ulen dhe ku arroganca e pushtetit po godet pamëshirë ngado. Po për politikanët kjo s’është ndonjë gjë e madhe. Rama është në pushtet, ndërsa parlamenti me +80 mandatet e Socialistëve është thjesht e qartë zgjatim i tij. Ashtu si për Berishën, uniteti i Ramistëve është bekim për +50 mandatet e tij që të vegjetojnë dhe përfitojnë. I vetmi fat i shqiptarëve është folklori dhe atë që ta jep natyra se të paktën…edhe qiriri i tyre një ditë do të shuhet. Sa më shpejt ta kuptojnë aq më mirë do jetë. Po ky nuk është rasti i shqiptarëve. Për shqiptarët liderët jetojnë sa malet dhe bjeshkët. /JavaNews

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e re nis punën, besoni se do përmbushë pritshmëritë e qytetarëve?