Si pak herë në vitet e fundit ka pasur kaq zhgënjim të madh në publik me shtetin tonë. Nëse kjo është demokracia jonë, atëherë, çfarë është demokracia e vërtetë, që ne ëndërruam?! Një varg filozofësh dhe teoricienësh mund të thonë se ka vetëm një problem dhe ky lidhet me faktin se pas Murit të Berlinit, demokracia nuk ka më armikun e dikurshëm: Diktaturën. Po, a është ky i vetmi argument? Në fakt, na intereson thjesht rasti i Shqipërisë.
Ditët e fundit, ç’kodimi i mesazheve në aplikacionet “Sky” dhe “Encro” na ka nxjerrë zbuluar figurën e shumë prej zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe kokat e krimit të organizuar, një pjesë e të cilëve u arrestuan më 27 korrik, falë punës së SPAK-ut dhe partnerëve. Nëse për një pjesë të popullatës emrat e tyre janë të panjohur sepse u duhet të përballin të përditshmen e vështirë, për ata që janë në nivele më të qeta social-ekonomike dhe të përditësuar me lajmet: arrestimi i biznesmenit Pëllumb Gjoka, drejtuesit të prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita dhe ish-drejtuesit të Grupit të Operacionales, Olti Bistri ka trandur shumë gjëra. Emra të tjerë pritet të dalin, por të gjitha bashkë tregojnë nivelin e frikshëm të krimit të organizuar dhe mbi të gjitha stadin e korrupsionit në vendin tonë. Jeta e çdokujt prej nesh është gati asgjë, kurse jeta e kundërshtarëve në krim merret për dhjetëra-mijëra euro. Një pjesë e tyre ka shumë më tepër vlerë se çdo individ apo intelektual, që kontribuon sinqerisht për këtë vend. Një paralelizëm, por në një sens tjetër, shkon me botën e spektaklit, ku flitet për shumë marramendëse, por për fare e pak vlera. E megjithatë, këto përbëjnë modele sot për të rinjtë.
Kriminelët, fatmirësisht në këtë shoqëri, shikohen si shumë interesantë, krahasuar me intelektualë që jetojnë akoma me divanët e dikurshëm, ashtu si modelet e showbizit me vajzat e bëra dhe false, që pushojnë në resorte botërore, mbeten modelet e vërteta të të rinjve të sotëm! Kjo është një masë, që të lëbyr vërtetë, po pjesa tjetër? E kush do t’ia dijë për ata! Për këtë të ndihmon një raport i BB-së. “Shkalla e varfërisë në Shqipëri ka mbetur kokëfortësisht e lartë, pavarësisht periudhave të rritjes ekonomike edhe krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Me një shkallë rreth 29.3 për qind të popullsisë vlerësuar në vitin 2022, shkalla absolute e varfërisë në Shqipëri (e matur me 5.5 dollarë amerikanë për person në ditë sipas fuqisë blerëse [PPP]) është aktualisht pothuajse dyfishi i normave të vendeve të tjera në Ballkanin Perëndimor për të cilat ekzistojnë të dhëna të krahasueshme të kohëve të fundit që vlerësojnë varfërinë.
Shkalla e varfërisë duket se është ulur në mënyrë të konsiderueshme midis 2016 dhe 2018, ç por më pas tërmeti i nëntorit 2019, i ndjekur nga pandemia e COVID?19, fillimisht përmbysi trendin dhe më pas ngadalësoi shkallën e uljes së varfërisë. Ajo që vihet re është se lidhja midis rritjes së PBB-së dhe shkallës së varfërisë ka qenë shpesh negative në 20 vitet e shkuara, rritja nuk reflektohet në mirëqenien e njerëzve më vulnerabël në Shqipëri”, thuhet në raport.
Rritja ekonomike, që na afrohet nga burokratët e shtetit, nuk përkthehet asfare në rritjen ekonomike që kërkon buxheti familjar i shqiptarëve. Jo vetëm nuk kemi mundur t’i përdorim si duhet burimet publike, por sot e shikon hapur sesa janë përmirësuar realisht kushtet e jetesës së njerëzve. Sipas një anketimi të përvitshëm të Barometrit të Ballkanit për vitin 2023, 60% e shqiptarëve nuk arrijnë të përballojnë dot shpenzimet për të bërë një 1 javë pushime, në një kohë që zyrtarët po na përplasin përpara syve miliona turistë në vend, ashtu si VIP-at shqiptarë garojnë përmes grave dhe luksit, për të na shfaqur diferencën. Krizat e vazhdueshme na tregojnë se përballemi me mungesa të shërbimeve sociale cilësore, ku përfshihet si sens edhe shkollimi dhe kujdesi mjekësor. Për këtë të fundit debati publik i ditëve të fundit, pas operimit të një aktori, nxori problematikat e pafund të sistemit. E sikur të mos mjaftonte kjo, shqiptarët përballen ende me mungesën e shërbimeve bazë, të tilla si p.sh.: uji i sigurt dhe 24 orësh në një vend të bekuar për rezerva ujore; energjia elektrike; shërbimi i transportit publik e shumë e shumë të tjera.
Paradoksi është se sapo hapet një debat i tillë, menjëherë angazhohet një propagandë e tërë për të treguar se është thjesht një situatë e kalueshme dhe e vërteta është “krejt ndryshe”. Paçka se faktet i hedhin poshtë argumentet, që servirin shumë nga burimet zyrtare, shqetësimi publik është se shqiptari i sotëm është gjithnjë më i zhveshur para krimit, një administratë problematike dhe të paaftë për problematikat e qytetarëve dhe propagandës lëbyrëse. Rama duket se i shkundi në aktivitetin e fundit socialistët për këtë realitet. Po a mjafton?!
Në fakt, demokracia e sotme e socialistëve nuk ka më ‘armiq’. Berisha e mbante këtë narracion dikur dhe Rama pas tij e thelloi, duke iu referuar qeverisjes së tij, por sot pas 12 vitesh, kjo po e bën thjesht absurd. “Rreziku i vërtetë që kërcënon një demokraci që zyrtarisht s’ka më armiq nuk qëndron te konkurrenca e kundëridealeve: qëndron në reklamimin e një ‘demokracie të vërtetë’, që kapërcen dhe mohon atë që është vërtetë”, shkruan teoricieni i demokracisë, Sartori.
Dhe, sërish mbështetemi tek teoricieni i njohur: Çelësi i gjithçkaje mbetet opinioni publik: një opinion që sot duket se është i fuqishëm por që mbetet gjithnjë shumë i papërkryer dhe i brishtë. Kur varfëria ulet në këtë masë, si është ulur në Shqipëri, drejtësia është e mbetet për të fortët, kurse korrupsioni është normal për të fuqishmit në pushtet dhe shpurat e tyre, e pandëshkueshmëria është atribut që shkon me elitën politike. SPAK-u ndoshta po merret me këtë rebus duke treguar se mund të godasë, por deri më tani ata janë aty. Trekëndëshi i Bermudës, i etiketonte pak javë më parë Basha, kolegët e tij Rama, Meta dhe Berisha, por duke harruar se edhe ai ka kontribut jo të pakët për këtë katrahurë.
Kjo të vjen ndërmend në këto ditë, kur lajmet e përgjimeve dhe implikimeve të policisë, apatisë vrasëse të administratës dhe një ekzekutivi agresiv na përplasen para syve. Dhe, më e keqja akoma: I kemi përballë dhe nuk na bëjnë më përshtypje. Nesër do jetë radha jonë, kuptohet në rolin e viktimave. Si e thoshte në shembullin e vendit të tij, shkrimtari i madh meksikan Serxhio Pitol: “E vërteta nuk janë rrudhat, por grimasat me të cilat përpiqemi t’i fshehim”.
vetpastrimi eshte zgjidhja e vetme perpara kesaj apatie dhe nganjehere edhe ne formen e nje shantazhi te heshtur ne perpjekje per te ndryshuar vendime gjykatash pavaresisht provave te pakundershtueshme sic kane rrjedhur realisht ngjarjet tek rozafa gati gati si nje tentative kleringu per te cuar me fund aktin e nisur per te cilin aktori i telenoveles eshte aktualisht ne burg, nje vrasje e ngelur ne tentative e kryer per me teper ne distance, por provat e regjistruara ne vendim gjykate jane aty dhe kokeforte, duke diktuar me shume se cdo gje tjeter nje vetpastrim ne te gjitha hallkat ligjzbatuese
Përgjigju