Foto Ilustruese

Opinion

Ben Andoni: E vetmja përvojë e politikanëve të Kosovës është borxhi ndaj saj

28 Qershor, 15:40| Përditesimi: 28 Qershor, 15:43

  • Share

Është pjesë dhe detyrim i studiuesve që t’i tregojnë Kosovës kalvarin e saj ekonomik, qysh prej qenësisë nën Republikën ish-Federative Jugosllave dhe tashmë në pavarësinë e merituar pas viteve ‘90. Për shkak të administrimit të saj dhe shfrytëzimit, lexuesi do gjejë nga ekonomia të gjithë problematikat e saj.

Në vitin 1997 (kohë kur ishin ende nën federatën e cunguar), rreth 65% e popullsisë në moshë pune konsiderohej “‘ekonomikisht joaktive' ose thjesht ‘e papunë’, referuar ekspertëve vendas, cituar nga Lajos Héthy në artikullin “Employment and ëorkers’ protection in Kosovo”. Sot ajo është më e vogël, por sfiduese për një vend në zhvillim.

Shkalla e papunësisë në Kosovë sot ka arritur në 11,5%, referuar Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2023. Dy problemet më të mëdha të qytetarëve të Kosovës e përcjellin shqetësimin te papunësia (16.3%) dhe varfëria (16.6). Këto janë gjetjet në raportin e “Pulsit Publik të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim” (UNDP) në Kosovë, i cili u bë publik më 25.07.2024.

A e lexon politika kosovare këtë shqetësimin? Duke pasur parasysh moskonstitutimin e parlamentit deri më tani për 38 herë rresht, duket se shqetësimi ekonomiko-social nuk është aq i veçantë për mirëqenien e qytetarëve të tyre tek politikanët e Kosovës. Jo thjesht se nën drejtimin e politikanëve të ndryshëm dhe forcave politike, Kosova veçse përball shqetësime në ngritje, porse jetesa e qytetarit po bëhet gjithnjë e më sfiduese dhe nga ana tjetër shumë më e paperceptueshme.

Kur dëgjon që debati në parlamentin e Kosovës mbeti për javë të tëra tek forma e votimit dhe tek emri i pandryshuar kandidates për kryetare të Kuvendit, atëherë trandesh, por edhe kupton se: nderin do e kishte ai që do të tërhiqej për interes të së gjithës. Në morinë e shqetësimeve të Kosovës, në raportin e vitit 2024 shtohej veç dy të parave të lartpërmendura edhe se “çmimet për furnizimet esenciale (12.7%) janë identifikuar si tri problemet kryesore me të cilat po përballet Kosova. Teksa shërbimet e kujdesit shëndetësor (7.8%) dhe mjedisi (5.6%)” mbeteshin pesë problemet kryesore.

Të mjaftojnë shifrat të besosh që para Kosovës të gjithë politikanët janë humbës, veçanërisht ata që kanë drejtuar, ndaj duhet të ishin modestë dhe në këto ditë të na privoheshin me patetizmin e tyre dhe interesat meskine. Ish-presidenti Richard Niksoni me katrahurën amerikane që bëri e kuptoi shumë mirë dhe në një nga kthjellimet e tij do të shprehej: “Do të doja t’ju jepja shumë këshilla, bazuar në përvojën time në fitimin e debateve politike. Veçse se kam atë përvojë. E vetmja përvojë që kam është humbja e tyre”. A thua do të jenë ndonjëherë kokulur politikanët e Kosovës?/Javanews

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis gjyqi për aferën Partizani, a besoni se do ketë drejtësi?