Kurti dhe Vuçiç

Ben Andoni: Kosovë, vijat e kuqe të Beogradit dhe kaosi serb

25 Nëntor 2022, 10:32| Përditesimi: 25 Nëntor 2022, 10:35

  • Share

Vija kryesore e kuqe serbe dhe më e dukshme në publik lidhet me trashëgiminë e Kosovës. Kjo, për ta, as nuk diskutohet që është krejtësisht serbe në të gjithë shtresëzimin e saj historik-kulturologjik, më së shumti në atë bazik. Një varg argumentesh, provash nëpër shekuj e mbrojnë, të tjera shtrembërohen e të gjitha përpiqen t’i ngulen kujtesës së shekujve për ta fshirë fare prezencën shqiptare dhe për të na përcjellë si ardhacakë në… shekullin XI! Një tjetër vijë kryesore e kuqe tashmë mes njerëzve të thjeshtë është të mos folurit dhe të shkruarit për Kosovën në perspektivën e shqiptarëve.

Zakonisht, vijat e kuqe në Ballkan jo vetëm nuk diskutohen më, por ushqehen që të mbeten të tilla. Pozita dhe opozita serbe e akuzojnë njëra-tjetrën për Kosovën dhe të dyja palët i gjejnë elementët se cila po punon “më shumë” për Kosovën e shqiptarëve. Kjo është akuza më e madhe. Në fokusin e zjarrit mbetet, ashtu si mund të merret parasysh, presidenti Vuçiç, i cili konsiderohet si lehtësues “i favoreve” për palën kosovare dhe mbi të gjitha: si njeriu që ka bërë për Kosovën, madje shumë “më tepër” sesa shqiptarët e Kosovës!! Pavarësisht sesi do të shkojnë bisedimet e këtyre ditëve dhe ato që do ta ndjekin patjetër më pas, një gjë kuptohet mirë se: problemi i ish-krahinës problematike të Jugosllavisë po shfrytëzohet jo pak nga politikanët e Beogradit në kurriz të banorëve serbë. Kohë më parë kosovarët serbë do t’i ankoheshin dhe do t’ia shprehnin hapur shqetësimin e integrimit ish-presidentit Thaçi: jeni primati i vendit, i thanë- duhej të kujdesej për ta, i kujtuan se: përballeshin me vështirësi serioze dhe se ai ishte vendi i tyre, ashtu si edhe i shqiptarëve. Fjalë reale që e bënë të reagonte asokohe Thaçin. Flitet për atë pjesë të kosovarëve të etnisë serbë, të cilët jetojnë me shekuj bashkë me bashkëvendësit e tyre shqiptarë dhe që e jetojnë përditmërinë e Kosovës. Atëbotë, i shtuan indirekt edhe se: Nuk u duhej shumë qëndrimi i Listës Srpska dhe i politikës së dy krahëve, por kishin nevojë për normalitetin dhe qetësinë, por edhe investimet sepse ishin në zonat më të varfra të vendit. Kjo është e pamundur të kuptohet sot në Beograd dhe jo më pak në Prishtinë. Nuk flitet për Tiranën dhe publikun tonë, që e shikon me shumë tifozllëk çështjen e Kosovës.

Në rastin tonë po shqyrtohet sensi i vijave të kuqe, që ka politika serbe. Pas luftës së Kosovës, duket se ka mungesë reale vullneti dhe një shfrytëzim bajagi i mirë i politikës së Beogradit dhe Prishtinës për të krijuar tension, qoftë edhe atëherë kur institucione dhe individë të besueshëm, si ato syresh të shtetit amerikan në të gjitha nivelet, u tregojnë udhë paqtimi. Me pak fjalë, mungon vullneti i mirë për të mos krijuar konflikte, ku serbët të mos marrin rrugët dhe të ngrenë sakaq barrikada si “të fortë”, kurse shqiptarët të bëjnë sikur përdorin gjuhën e forcës në Veri, e cila merr frymë nga ndihma dhe garancia e prezencës së strukturave të huaja. Sikur politikanët serbë të kuptonin se në vend të retorikës për Kosovën si djepi i Serbisë, të përcillnin ndihmë të sinqertë për të zgjidhur çështjet sociale dhe politike në favor të qytetarëve të tyre, por edhe pajtimin me bashkëvendësit e tyre shqiptarë shumë më tepër në numër që jetojnë e vdesin atje, pa dallim kombësie, situata do ishte ndryshe.

“Një histori e gjatë dhe e pandërprerë e së keqes dhe mosbesimit duket e vendosur në gur kurse e vërteta e pastër është ndoshta shumë më e thjeshtë”, shprehej Rade Markoviæ, një skulptor i njohur serb te “Danas”. Kjo e vërtetë është e vështirë pasi është e mbushur me paradokse. Ministri i Jashtëm aktual i Serbisë, Ivica Daçiç, i cili drejtoi bisedimet si Kryeministër në vitet 2000 bashkë me Thaçin dhe ku sot, një sërë e marrëveshjeve po shkojnë si zbatim të asaj kohe, dikur na sillte paradoksin e madh që ish-njeriu i Millosheviqit do ishte sërish në peshën e ngjarjeve aktuale të historisë. Në një deklaratë do t’ia pohonte dikur hapur publikut të vet, hapin që po ndërmerrej me Kosovën: “Unë isha pjesë e një qeverie që u përpoq ta zgjidhte çështjen e Kosovës me luftë. Ndoshta duhet të ketë njëfarë drejtësie që sot unë duhet të jem sërish personi më përgjegjës për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore!!”. Po a ka ndryshuar Daçiq, apo është nevoja në Ekzekutivin serb për të? Për fatin e tij të mirë, aleanca me forcën politike të Presidentit aktual Vuçic, ka qëlluar në shenjë për socialistët serbë dhe sidomos për të, që e ndihmon me maxhorancën e duhur të ketë ekuilibrat e pushtetit aktual.

 

Aman, retorika e tij për Kosovën mbahet në vija të kuqe shtesë, që tashmë edhe si ministër i Jashtëm ka mundësi t’i përdorë për pikët e munguara politike. Kjo e shpjegon konfuzionin e fundit serb me të ashtuquajturin dokumentin franko-gjerman, por më shumë sesi përcillet një material i tillë, duke i dhënë një status gati traktati. Për hir të së vërtetës, në Beograd e Prishtinë janë të paqartë, ashtu si Daçiq ka rendur të flasë qoftë edhe pa ditur përmbajtjen e tij finale se është i papranueshëm. Ashtu si në Kosovë ka pasur jo thjesht më dyshime, por paqartësi, por edhe dezinformim, një sens që t’i kupton si bëhet sot politika dhe si janë realisht vijat e kuqe. E ndaj, një gjendje e tillë e lodhshme me tensione dhe akuza të Beogradit dhe shpesh edhe të Prishtinës, shtuar me papers-at që u vendosin emra të mëdhenj por që askush nuk i konfirmon dhe i zbardh, tregon se kjo gjendje u shkon më për shtat elitave politike.

“Kjo i çliron nga përgjegjësia, teksa u mundëson të shërbejnë dhe të helmojnë njerëzit, kurse nga ana tjetër dhe për t’i grabitur në mënyrë të panevojshme. Nuk mund të ofendosh. Është koha që ne qytetarët e Serbisë të vendosim disa vija të kuqe ndaj tyre. Do t’i ndihmojë edhe serbët edhe shqiptarët në Kosovë…, shkruante skulptori Rade Markoviæ. E në të njëjtin medium, nga të paktit media kritike siç është “Danas”, sqarohet se: “Serbia jozyrtarisht nga burime diplomatike është e vetëdijshme se ky është me të vërtetë një propozim ‘take or let’ dhe se i takon të marrë maksimumin nga gjithçka ose ta ‘vdesë fare lojën’ aq sa e ka të mundur, derisa të testojë publikun për propozime të ndryshme. Siç na është thënë, gjithçka që është publikuar deri tani në media për propozimin franko-gjerman nuk është autentike, edhe pse ka pjesë të sakta që po tregtohen me kujdes”.

Kur bëhet fjalë për reagimin e Serbisë ndaj këtij propozimi, burime pranë Presidentit serb thonë se përmbajtjen e non-paper-it serb e dinë vetëm Vuçiç dhe shefi i Zyrës për Kosovë e Metohi, Petar Petkoviq. Publikut deri më tani i është thënë se propozimi është i papranueshëm dhe kaq. Po, a ka, vija të kuqe?! Ku janë ato, lidhur me dokumentet e fundit, që po vendosen në tavolinën e Prishtinës dhe Beogradit?! Ato duket se janë në mos transparencën për publikun serb.

Po sërish janë njohësit e mirë si Dushan Janjiç, themelues i Forumit për Marrëdhënie Etnike, i cili do shprehej për “Danas” se: zyrtarët serbë nuk paguhen për të patur non-papers, por për të pasur dokumente publike. E kjo është shpulla më e madhe për Beogradin. “Non papers janë kthyer në një mjet për lojëra marketingu-propagande-sigurie. Duken si mjete të menaxhimit të konfliktit. Kjo vlen edhe për letrën franko-gjermane derisa u përvetësua nga BE-ja. (Përmend një medium shqiptar)… Mendoj se qeveria dhe lidershipi që e mban për vete dhe kur komunikon me dokumente të tilla, duhet të kalojë nëpër procedura sepse përjashtimi i publikut është gjëja më e rrezikshme. Nëse Serbia u përgjigj me nonpaper, ajo bëri një gabim të tmerrshëm dhe u ndesh me një menaxher konflikti, lojë nga e cila do të jetë e vështirë të dalësh, pavarësisht se çfarë ishte shkruar në të”, përfundon Janjiç.

Po kjo është më e pakta ose ajo që për serbët përbën mungesën, sa i përket transparencës, siç edhe kujtohet nga njohësi i mirë i marrëdhënieve. Atij shpesh i duhet të tregojë vijat e kuqe, që për politikanët serbë kanë humbur sepse është bjerrur për ditë edhe pozicioni i Vuçiç dhe ajo demokraci që ai thotë ose si i tallte përfaqësuesit e Listës Srpska, Nënkryetarja e Partisë Popullore, Sanda Rashkoviq Iviq, kur i thoshte se: betimi dhe kthimi i deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës të vetëshpallur tregon se “patriotizmi zgjati saktësisht 10 ditë”.

Për serbët kjo është e tmerrshme, pasi konsiderohet si ulje e aktit “të madh” për të gjithë ata që dolën me zemër të pastër dhe bindje të thellë nga institucionet e Kosovës së vetëshpallur!!! “Ata talleshin me gjykatësit, prokurorët, policët, doganierët, punonjësit e administratës dhe gjithë popullin serb që i mbështeti. Ky është një mashtrim i dukshëm dhe një shfaqje e madhe, e turpshme”, shton Sanda Rashkoviq Iviq për liderët e vet.

Pse u rreshtuan të gjitha këto? Ky është moment i mirë për Kosovën, kur serbët përplasen mes tyre, por më shumë se kaq përballë realitetit se sot nuk vlejnë më vijat e kuqe edhe në Serbi. Për më tepër, fati i kosovarëve i të gjitha etnive është i vendosur nga logjika e mëvetësisë së Kosovës, që ka logjikë aprovimi me të Drejtën Ndërkombëtare, paçka se interpretimet lënë ende shteg për t’u interpretuar. Nga kjo kupton se: Vijat e kuqe të Serbisë, më shumë po skuqin serbët. E tashmë edhe kur flasin për atë trashëgimi të madhe historiko-kulturore të Kosovës, për të cilën edhe ata duhet të jenë jo pak krenarë

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?