Kjo nuk ka lidhje me “IF-in”, poezinë e famshme të Kipling (“Nëse”) as me mëdyshje të shumta që na sjellin politikanët e ditëve tona kur na blatojnë të ardhmen e pamundur, por me mënyrën sesi ne do të qeveriseshim, NËSE nuk do ishim vend demokratik i politikanëve të përgjegjshëm. Argumenti është shqetësues para fillimit të sezonit të ri politik, i cili parasheh përplasje të mëdha dhe tensione qysh nga mosnjohja e zgjedhjeve prej PD-së, premtimi i Berishës; dhe riformatimet e fushatat e mëdha të PS-së që në fakt kanë vetëm një iniciator: kryeministrin e vendit Edi Rama.
Larg këtyre, për publikun shqetësues mbetet e ardhmja, shoqëruar me çmime që nuk njohin ulje dhe varfëria, ku sipas të dhënave të kohëve të fundit të Eurostat-it: Shqipëria kryeson në Evropë për nivelin e lartë të popullsisë me rreth 42 % në rrezik për të qenë e varfër pasi vuan nga një formë e rëndë e përjashtimit social më 2024 (Europa të dhëna 2024, Shqipëria 2023). Të dhënat referojnë se më shumë se 1 milion shqiptarë vuajnë nga një formë e rëndë e varfërisë (Monitor, 2025).
Vallë shihen dhe gjykohet për këto?! A është e mundur që Shqipëria të gjenerojë një klas pushtetarësh që të jenë më të kujdesshëm (po e përdorim me eufemizëm për të mos thënë papërgjegjshmëri)?! Me sa duket kjo. Niveli i frikshëm i korrupsionit të madh në çdo nivel, arrestimet e shumta të burokratëve dhe keqbërësve, si dhe padrejtësia tregon se në çerek shekullin e fundit, shqiptarët kanë përballë një nga qeverisjet më të papërgjegjshme të kohëve të saj moderne historike. E megjithatë, paçka dukjes, Shqipëria Nëse do të përshtatet më konjukturat evropiane deri më 2030, mund të jetë pjesë integrale e BE-së!
Një hap i mezipritur por që ka pak në Shqipëri që besojnë se ne e meritojmë. Të mjafton vetëm trajtimi i mjedisit, përballja me turizmin dhe mënyrën sesi po sillemi me bujqësinë, veç të tjerave, për të kuptuar sesa larg jemi udhës evropiane. Investimi më i madh dhe sakrifica kombëtare: Drejtësia është gati nga dita në ditë një nga zhgënjimet më të mëdha publike me verdiktet por edhe zvarritjet e mëdha që kanë lënë dosje të tëra të presin në radhë. Prona (problemi më i madh pazgjidhje) është gati një nga gangrenat më të mëdha në vend, ku vetëm të mendosh viktimat e pas viteve ’90 prej saj rrëngjethesh në asht. Dhe, ndërkohë atyre që u besojmë qeverisjen dhe që mbajnë fijet e zhvillimeve në vend janë dhe shpesh mbeten zhgënjyes.
Çdo legjislaturë bëhet gjithnjë e më e pa nivel, përherë e më dobët, kurse në parlamentin vegjetojnë të paaftë që në fund pasurohen frikshëm. Ndikimi i pushtetit të tyre, ndërsa përcillet me leverdi personale, pak herë bën diferenca pozitive për progresin në jetën politiko-shoqërore të vendit. Zhvillimi i vendit po ndodh si dinamikë dhe për inerci të kohës dhe shpirtit të shqiptarëve po fare pak ose aspak nga kontributet e kësaj klase politikanësh. Si arrijnë vallë ata të na përfaqësojnë? Tashmë përgjigja dihet: Shqipëria është në dorë të kryetarokracisë partiake që i cakton fatet. Dhe, pyetja e “vështirë”: Çfarë njeriu duhet të jetë dikushi që të jetë protagonist në sfidat historike të Shqipërisë?!
Weber shtronte një pyetje të madhe para publikut për modelin e politikanit, duke e lidhur me ndjenjën e pushtetit. “Edhe në poste modeste, politikani profesionist kënaqet me atë që të ketë ndikim tek njerëzit, të ketë pushtet mbi ta, mirëpo para së gjithash: ta mbajë në duar një tufë nervash të ngjarjeve të rëndësishme historike, pra të ngrihet mbi të përditshmen”. Dhe, Weber pastaj shkonte te pyetja e rëndësishme: Me çfarë kualitetesh mund të shpresojë politikani të jetë i denjë për sa i përket këtij pushteti, i cili synon të ushtrojë dhe përgjegjësisë që ajo ia mvesh atij?!
Po realiteti ynë na ndih: NËSE politikani ynë do të ishte normal nuk do të ndodhte që shumë nga partitë kryesore tek ne nuk i njohin fare zgjedhjet në parti, PD, PS, PR, PL (LSI), PSD, PBDNJ, PAA, PDIU, e të tjera kanë të njëjtin kryetar prej vitesh (Dhe, nuk skuqen)!!! NËSE politikani ynë do të kishte pak ndjenjë mase do ta linte mandatin një moment, kur nuk arriheshin objektivat në zgjedhje, ose pritshmëritë e partisë tek ai\ajo linin për të dëshiruar. NËSE politikanët do kujdesin më shumë për kanonet e qarta të politikës, vendi do të kishte zgjedhje normale dhe, jo si këto ku Rama përfshin të gjithë administratën, kurse Berisha vetëm akuzon dhe nuk di asnjëherë të bëjë MEA Culpa. Partitë do kishin institucione brenda dhe kërkesë llogarie, ashtu si cilido do kishte mundësi karriere sipas performancës dhe aftësive.
Weber, të cilit po i referohemi, vendos tre atribute për modelin e një politikani: Pasionin, Ndjenjën e Përgjegjësisë dhe Ndjenjën e Masës. Kuptohet ekuacioni i tij është krijuar më shumë se 100 vite para dhe përmban shumë të vërteta, mbi të gjitha ndërlidhjen e këtyre atributeve në një demokraci politike. NËSE kjo do të respektohej në kohët e reja, sidomos nga demokracitë e reja, si ajo shqiptare nuk do të rrëshqisnim në pushtetin absolut të Ramës dhe monologët patetike të Berishës apo në deklamimet e kryetarëve të vegjël. Këtu futet rrafshi etik, ai që na tregon hapur se çfarë përballje ka e keqja me të mirën dhe pozicioni i të vërtetës. Sociologu i famshëm gjerman qysh në kohën e vet dhe në rrafshe politike shumë të kultivuara shtronte dilema të mëdha logjike etike, sesi pasioni dhe ndjenja e masës mund ta kushtëzonin njëri-tjetrin?!
Por në kohën tonë nuk ka më rrafshe etike sepse pushteti i dyanshëm është shpesh i përdhosur nga korrupsioni, nga politika me dy faqe, mungesa e ndjenjës të masës dhe mbi të gjitha makutëria e banalitetit. Këtë e kupton në lajme, ku lidhjet e politikës me llumin të përplasen, por edhe nga manovrimet e pafundme për të fituar, të cilat shpesh bëhen si pasojë e ligjeve jo të drejta. “Çdo ditë dhe çdo orë, politikani brenda vetes duhet të kapërcejë një armik në dukje të rëndomtë dhe tepër njerëzor: kotësinë mjaft vulgare”, e shprehte Ëeber duke na treguar mësimin e madh të distancës ndaj vetes. NËSE do ishte kështu, pasi në të vërtetë politikanët jetojnë me kotësinë, ushqehen me këtë dhe ushtrojnë pushtetin përmes mjeteve, që njerëzit zakonisht ua besojnë për të mbajtur shtetin. Qoftë edhe si ky yni, të drobitur deri në palcë./Javanews
Komente
