Tedi Blushi, Sali Berisha, Agron Duka

Opinion

Ben Andoni: Opozita është moral

2 Qershor, 22:03| Përditesimi: 2 Qershor, 22:11

  • Share

Ka një mbrojtje të madhe dhe të pakërkuar nga shumë njerëz, të cilët janë afër PD-së për të justifikuar humbjen e zgjedhjeve dhe vjedhjen e madhe, sipas tyre. Që do të thotë se nuk duhet të shkruhet më për PD-në dhe Opozitën dhe të gjitha shigjetat duhen drejtuar nga PS-ja. Ndërkohë, një pjesë e mëtuesve të tyre janë duke akuzuar njëri-tjetrin për votat. Më keq akoma, në Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) i janë kundërvënë Ilir Rusmajlit, ish-njeriut të tyre.

Ky është një nga momentet më të vështira jo vetëm për PD-në, si forca politike kryesore e opozitës (partitë e tjera janë me peshë specifike pothuaj të papërfillshme), por për të gjithë demokracinë. Në emër të asaj që kështu i shërbehet Ramës, kërkohet që për opozitën të mos ketë kritika dhe ato t’i adresohen vetëm maxhorancës. Për këtë të fundit tashmë do ketë hapësirë të madhe për t’u marrë, por edhe një kohë që ata do ta shfrytëzojnë si të duan. PS-ja tashmë të vetmin kundërshtar ka veten dhe urojmë që të ketë individë të parashtrojnë probleme në të ardhmen. Gjë e cila ka pak gjasa të ndodhë!!!

Për fatin e keq, demokracia e ditëve tona nuk pyet për mediat, as për individët, po për pushtetin. Dhe, ky i fundit tashmë është i pamatë nga socialistët. Është e pamundur për njerëzit që e mbrojnë opozitën, qoftë dhe duke e kritikuar konstruktivisht, nëse nuk kanë një kategori morale, që t’ia vendosin përballë këtij pushteti. Një nga dëshirat më të mëdha të kundërshtarëve të opozitës është edhe kjo që opozita të mos jetë në qendër të vëmendjes. Po e arritën dhe këtë, atëherë kjo opozitë mbaron. Paçka se Berisha e di mirë dhe po e mban hapur narracionin e saj, herë me revolucionin, herë më afatet kategorike kundër Ramës, herë tjetër vjedhjet.

Ndërkohë që ndaj maxhorancës tashmë duhet jo thjesht investim intelektual por edhe shumë dinjitet për të ndërtuar tema, që lidhen me të ardhmen e vendit dhe sidomos mos mbajtjen prej tyre të premtimeve. Mbi të gjitha standardet e munguara dhe pse kjo maxhorancë nuk bën dot më shumë për to! Pse nuk këmbëngul, tashmë në zenit të fuqisë ta shndërrojë 2008 bashkë më PD-në, që e ka shkatërruar tashmë çdo pjesë besimi të publikut?! Është për të ardhur keq, sepse për këtë ka dhe dorën e PD-së dhe jo më kot çdo mbarim zgjedhjesh në vitet e fundit përsëritet e njëjta gjë, që do të shihet Kodi Zgjedhor. Anipse, ai shikohet dhe rregullohet vetëm në fund. Dhe, ky i fundit u bë ashtu si e duan dy partitë tona kryesore dhe përfituesja më e madhe PS.

“Opozita është moral, është para së gjithash pushtet moral, ajo nuk emërohet, ajo nuk delegohet, ajo buron nga shpirti dhe zemra e atyre që t’i i përfaqëson dhe mbron interesat e tyre”, ka thënë vetë Berisha para pak kohësh. Pikërisht këtë lloj morali, po mundohet publiku të kërkojë prej tyre. Asgjë më shumë. Narko-shteti dhe gjithë epitetet e tjera i qëndrojnë një shteti, ku kontribuon dhe opozita jo pak. Dhe, kaq e thjeshtë është. Na duhet të shpikim një opozitë, e cila të modelojë kërkesat dhe dëshirat tona për ndryshim. Duke e mbajtur në tonus. Por kjo përpjekje po kthehet në iluzion, sepse pushtetarët si në pozitë dhe opozitë pasurohen…!!! Dhe, kjo nuk kuptohet nga njerëzit e thjeshtë, që e hedhin jo pak herë votën e tyre, ashtu si i thonë marifetçinjtë e politikës./Javanews

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin për rinumërimin e kutive të Qarkut Tiranë?