Foto ilustruese

Ben Andoni: Pas vitit 2008, vota nuk ka sens në Shqipëri

26 Tetor 2022, 16:42| Përditesimi: 26 Tetor 2022, 16:43

  • Share

Në fotot e para të pak muajve që pasuan Luftën e Dytë Botërore, mund të shihen sesi shqiptarët shkojnë të votojnë. Janë dy kuti, njëra për Frontin dhe tjetra për opozitën, ndërsa votuesi duhet të fusë dorën në të çarat e kutive për të hedhur goglën prej gome, për atë që do të votojë. Është gati e dukshme dhe e prekshme se për shkon vota por edhe trendi i kohës, ku dominojnë njerëzit e ardhur fitimtarë prej Luftës. Por, njerëzit kanë besim dhe kjo utopi e re, që po u vjen para syve i lëbyr të gjithë atë që mendojnë për të ardhmen. Dhe, për drejtimin e votës së tyre.

Në vitet e fundit përveç rënies të frikshme të nivelit të pjesëmarrjes së votimit, shqiptarët janë shumë të ndërgjegjshëm se vota nuk mjafton më për të ndryshuar në fatet e tyre. Është kjo që i bën të stepen por edhe të tregojnë hapur se demokracia që kanë para syve është një zhgënjim i madh. Kësaj i ndihu në 21 Prill të vitit 2008, marrëveshja që ish-kryeministri Berisha dhe ish-kryeopozitari Rama bënë mes tyre duke i dhënë dërrmën votës popullore me miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë. Ajo që pasoi ishte një pushtet i pakufizuar i dy kryetarëve që i dha fund edhe përzgjedhjes më të drejtë të njerëzve me një inerci deri në vitin 2005, kur u bënë zgjedhje që ende kishte politikanë deridiku përfaqësues. Tre zgjedhje të njëpasnjëshme pas këtij shtrëngimi duarsh na sollën një parlament që shpesh u bë burim humori, me deputetët jo thjesht të panjohur por në masë jo të vogël me formime nën karakterin mediokër, si edhe të paaftë për të kuptuar ndryshimin e madh të vendit. Një paradoks që u pa me drejtimin e Berishës me shumë karakter autokratik dhe atë që rrodhi me pushtetin e Ramës, ku jo pak herë arroganca në qeverisje, supremacia mbi numrat e tij në parlament, kontrolli total dhe bindja e verbër e administratës, mënyra e investimeve publike, të PPP-ve, jo pak herë të përballjes së mediave, e bën pasojën e “partitokracisë” të rëndojë shumë e më shumë mbi shqiptarët. Pakkush veç politikanëve, militantëve dhe mëndje-ngushtëve po mendon se mund të ndryshojë diçka tashmë në favor të votuesit.

Politologu i njohur Ivan Krastev e shikon këtë në humbjen totale të besimit. Dhe, jo sepse sot nuk ka institucione që nuk janë eficente ose më shumë të korruptuara por për faktin e thjeshtë se votuesi nuk mund të ndikojë dot mbi to. Votuesi shqiptar njësoj si ai kudo në Evropë e gjetkë nuk ndryshon dot gjë me votën e tij. “Çështja e besimit në demokraci është çështje pushteti. Që të dimë se sa forcë ka fletë-votimi në dorën e votuesit duhet të dimë se çfarë ka votuesi në dorën tjetër”, shprehet ai.

Në fakt, votuesi shqiptar në analogjinë e tij, ku mendohet për smart-phone (si simbol i transparencës) më shumë ka biletën e ikjes dhe zhgënjimin nga politikanë që janë të ngulur për të mos u shkulur më dot kurrë nga politika aktive, sesa ndonjë peshë reale. “Që nga viti 2008 deri në 2020-n, janë rreth 700 mijë shtetas shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi në një nga shtetet e Bashkimit Evropian…Në raport me popullsinë, diferenca është edhe më e lartë. Gati 25% e popullsisë shqiptare (të vitit 2020) tashmë jeton e punon në një nga vendet e Bashkimit Evropian. Vendi i dyte pas nesh është Kosova (15.4%), e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina (10.3%), Maqedonia e Veriut (9.4%), Serbia (6.2) dhe Mali i Zi (3.3%)”, referon revista “Monitor”.

Teknikisht, institucionet ndërkombëtare e llogarisin numrin e emigrantëve nëpërmjet autorizimeve për lejet e qëndrimit të lëshuara për herë të parë për këto vende nga shtetet e Bashkimit Evropian. Kjo shifër duhet të jetë më e madhe po të llogarisësh shifrat e dy viteve të fundit.

Në fakt, teorikisht, demokracia ka qenë gjithnjë në krizë dhe kjo është mënyra sesi mbrojtësit e kësaj lloje status quo na paraqesin. Jo më kot, në botë, kemi pafund libra dhe teoricienë që shkruajnë lidhur me krizën, por aman intensiteti dhe përballja me sjelljen e saj në demokraci ka qenë të ndryshme. Dhe paradokset e demokracisë. Është e udhës dhe kjo na mjafton të shikojmë rastin e Shqipërisë, kur politikanët dhe partitë që humbasin pushtetin, si në rastin e PD-së mundi të mobilizojë aq shumë njerëz me kaq pak kohë sa ishin në opozitë me pushtetin. Dhe, jo më pak PS-ja në 21 Janar. Nga ajo kohë kanë kaluar vite por me gjithë dëshirën, retorikën dhe mundësinë që të jep qeverisja e Ramës me gabimet, pak gjëra kanë ndryshuar. A është vetëm rasti shqiptar? “Sfidat brenda shteteve demokratike kanë nxitur ngritjen e liderëve populistë, të cilët apelojnë ndaj ndjenjave anti-imigruese dhe i japin një hap të shkurtër lirive themelore civile dhe politike. …Ndoshta më e keqja nga të gjitha dhe më shqetësuese për të ardhmen, të rinjtë, të cilët kanë pak kujtesë nga betejat e gjata kundër fashizmit dhe komunizmit, mund të kenë humbur besimin dhe interesin për projektin demokratik. Vetë ideja e demokracisë dhe promovimit të saj është njollosur mes shumë njerëzve, duke kontribuar në një apati të rrezikshme”, shkruan Michael J. Abramowitz, tek “Democracy in Crisis”, në një vëzhgim që i bën realitetit të sotëm.

Duke iu rikthyer rastit tonë, ne s’mund ta mënjanojmë nga ekuacioni krizën totale të shoqërisë demokratike shqiptare ashtu si kudo. Me pasojat e një sistemi tejet të mbyllur, siç ishte sistemi i dikurshëm, me mosnjohjen dhe respektin e kanoneve demokratike nga politika, Shqipëria nuk mund të bëjë trend për një sistem të besueshëm demokratik, pasi nuk prodhon dot institucione të qëndrueshme. Të gjitha kontrollohen nga Ekzekutivi dhe në pak raste e ndjen ndarjen e pushteteve. Shoqëria jonë nuk ka më modele apo më keq akoma nuk i bëjnë më përshtypje as modelet e non-gratave, që na i kanë treguar institucionet e huaja me emrat e Berishës, Doshit, Dakos… etj. E megjithatë, pas 2008 e kemi një përgjigje edhe për këtë ngërç: sistemi i modifikuar nga Rama dhe Berisha, tregoi se forma sesi drejtuan dhe drejtojnë dy partitë kryesore shqiptare vetveten dhe pastaj vendin jo pak herë është i turpshëm sepse jo thjesht nuk u arrit të bëheshin njëherë zgjedhje normale (qoftë edhe brenda partive), por edhe për faktin se nuk u arrit të ndërtohej ngrehina e një shteti normal me institucionet e pavarura. Me përçarjet që janë sot në politikë do të jetë e vështirë për përfaqësimin dhe realizimin e një reforme zgjedhore, që me gjithë notat kaluese që merr nga OSBE ka probleme qesharake dhe nuk mund të vetë-përmirësohet. E para prej mungesës së kapaciteteve, e dyta prej keqpërdorimit të demokracisë. Shoqëritë e hapura janë shoqëri vetë-korrigjuese, po huazojmë konceptin nga Krastev, kur shkruan se: ”Legjitimiteti dhe suksesi i tyre nuk varet nga kapaciteti për të sjellë as mbrothtësi (këtë e bëjnë mirë dhe regjimet autokratike) as nga kapaciteti i tyre për t’i bërë njerëzit e lumtur (kemi dëgjuar për më shumë demokraci të palumtura se çdo të dëshironim), por më shumë nga kapaciteti i tyre për të korrigjuar politikat dhe veprimet e gabuara”. A mundet shoqëria shqiptare ta bëjë këtë? Pas 2008 na tregoi se qëllimi kryesor i dy partive është që gjithçka të jetë në diktatin e tyre, ndaj nuk gjen dot përgjigje për ndryshimin e elitave politike në vend, mungesën e karburantit për protesta dhe më shumë se të gjitha për demokracinë e një shteti, që tashmë i tregon votuesit se vota e tij vlen për asgjë, sepse po asgjë nuk mund të ndryshojë status quo e politikanëve që nuk dinë të tërhiqen dhe kur humbin frikshëm. Përveçse po ndih për të ikur…”të qetë” nga Shqipëria një masë kaq të madhe njerëzish. (Homo Albanicus)

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?