Të gjithë e dinë, e thonë dhe e kuptojnë në partinë e Berishës se kjo PD e ka të pamundur të vijë në pushtet. Është kaq e vërtetë kjo, saqë mjafton një provokim në rrjetet sociale, si ai i ish-deputetit Murrizi dhe pastaj t’i hidhen të gjithë në kurriz. Këlliçi pati pasoja edhe më të mëdha. Ose më keq akoma të ta mbyllin gojën. Bardhi dhe Gjekmarkaj janë shembulli më i mirë i paradokseve të PD-së.
Kurrë nuk është parë kjo pamundësi që e shoqëron në çdo hap PD-në. Tre muaj pas 11 Majit nuk ka asnjë reflektim për analizë, por nga një status i ish-deputetit Spaho e kupton më së miri arsyen. Me atë nivel që prezantohet në bazë dhe në struktura PD-ja e ka të pamundur që të përcjellë shqetësime institucionale dhe të bëjë strukturime për fitore. Dobësia e saj është kaq e madhe sa e shikon në aneminë e shprehjes, në paqartësinë e të ardhmes dhe mbi të gjitha në të tashmen konfuze.
Në të vërtetë, është folur dhe flitet nga PD-ja për shtatorin e aksionit politik, është folur për analizën e zgjedhjeve, është folur për qasje tjetër në parlament, ku do të shkohet vetëm për Ligjet e Integrimit Evropian dhe për fare pak gjera reale të ndryshimit, përveç daljeve vetanake të kryetarit Berisha që akuzon për çdo ditë me zë, video zgjedhjet dhe gjithçka. Ndërkohë shqiptarët presin për çdo ditë sesi do të përballin oreksin e njerëzve të Ramës që tashmë po gëlltitin çdo gjë; administratën e paaftë dhe të mbushur me pispilluqë mëndjemëdhenj; presin të shikojnë se çfarë do bëhet me çmimet e frikshme dhe me standardin e papërballueshëm të jetës deri për Klasën e Mesme; për vizionin e Shqipërisë së ardhshme, ku të mos flitet si zakonisht vetëm për numrat e turistëve; për kthimin te bujqësia dhe prodhimin vendas; për përmirësimin e shkollës dhe mbi të gjitha informalitetin që e ka kapur për fyti vendin. Ka pak lajme të mira për vendin veç propagandës.
Për këto te PD-ja ka vetëm akuza nga pak individët që i kanë mbetur dhe shumë pak vizion. Dobësia e saj është dobësia e vendit që nuk reagon dot dhe që nuk di madje se çfarë do bëhet. Kriza e madhe tashmë është morale dhe këtë nuk e kuptojnë dot pushtetarët, të cilët media dhe burime të ndryshme i shohin shumë të lidhur edhe me opozitën!!! Por ndërsa dobësia e PD-së është atribut i njerëzve të dobët që e përbëjnë atë, dobësia e shqiptarëve di të falë, nëse do i kthesh te normaliteti dhe tek besimi, sepse në thelb janë popull vital. Edhe Rilindja Kombëtare në shekullin XIX fliste për këtë normalitet në kushtet kur Shqipëria s’ishte shtet, por e ndarë në katër vilajete prej këtij besimi që kishin te shqiptarët. Po Gandi kishte edhe një teori më shumë inkurajuese: “I dobëti nuk mund të falë kurrë. Falja është atribut i të fortit”. PD-ja asnjëherë nuk do kërkojë falje për atë që ka bërë dhe po bën me paaftësinë e saj, po shqiptarët po, sepse e duan ndryshimin që meritojnë./Javanews
Komente

Po pse more Ben me theniet e Murrizit bindesh per katastrofen qe I krijoji pd Shqiperise ? A I shtove honoraret o analist ? Ndryshimi eshte ekzistent ne Shqiperi , nga nje grope e zeze qe ishte tani èshte ne qender te vemendjes nderkombetare .
Përgjigju