Pas kandidaturës që do të mbështetet nga ana e PD-së të aktorit Binaj si mëtonjës i vendit të kryebashkiakut të Tiranës edhe kandidaturat e tjera në rrethe duken zhgënjyese. Jo sepse ata nuk e duan ndryshimin, jo se nuk i duan qytetet e tyre, por staturat për të marrë këto detyra duhet të kishin mentalitet dhe mendësi ndryshimi. Të paktën baza e ka larg këtë ndjesi. Këtë mund ta provoj çdokush nga PD po t’i kontaktoj gjerësisht dhe të ulet me ta.
Në pak ditët që kanë mbetur nga zgjedhjet e pjesshme, ndryshimi vërtetë nuk është aq shumë i mundshëm, por mentaliteti po. Kjo po i kërkohet PD-së, prej javësh, muajsh, vitesh. Por ndryshimi nuk po ndodh. Dhe, kandidaturat e tyre nuk ngjallin. Njerëzit e PD-së, aristokracia (kështu janë bërë ata që rrinë vetëm afër selisë dhe tjerrin biseda pa sens, pa ide dhe mbi të gjitha pa impenjimin e ndryshimit) janë periferikë për njerëzit që mezi mbijetojnë dhe po përpiqen deri në fashat moshore më të mëdha për të ikur nga vendi.
Pjesa më e madhe e shqiptarëve jo thjesht po humbim shpresën, por edhe aftësinë për të perceptuar ndonjë ndryshim…qoftë dhe nga kahet e tyre politike. Nga qeveria që vepron me shumë efikasitet me sistemin e patronazhistëve dhe përdorimin e çdo gjëje për fitores për zgjedhje (por tek e fundit nuk është ky qëllimi i çdo partie!), ndërsa PD e qendrës me një qetësi apostolike dhe mungesë reale përpjekjesh për ndryshimin. Baza e ka humbur çdo ndjesi të PD-së ose aristokracisë së saj, sepse këta të fundit e njohin gjithnjë e më pak bazën, njerëzit e saj të spikatur në terren, por më shumë se çdo gjë tjetër mendësinë.
Ky është problemi i vërtetë i PD-së dhe jo akrobacitë që bëhen sot për emrat. Përderisa qendra nuk bën asnjë analizë, përderisa nuk i bën më përshtypje humbja, PD-ja nuk ka se çfarë të thotë më bazës. Njerëzit e saj kanë kohë që i janë larguar të vërtetës, ndaj ulja në bazë është “e panevojshme” për ta!! Kjo është fatkeqësia më e madhe sot për PD-në. Dhe, realisht nuk është e vogël. Përvoja botërore sjell shumë perceptime dhe gjykime por ka qenë shumë domethënëse ajo që shprehte me mllef për politikën kryeministri britanik Disraeli në kohën e vet në shekullin XIX, kur vendi i tij ishte superfuqia më e madhe e botës: “Nuk gjendet akt tradhtie apo ligësie që një parti politike nuk është e aftë ta bëjë; sepse në politikë nuk ka nder”.
Po pse është vallë kjo situatë kështu kudo dhe jo vetëm në vendin e tij por edhe në vendet me përvojë demokracie kaq të vogël sa tonën?! Kjo mbetet një pyetje retorike sepse pas vitet ’90 na kanë treguar se aristokracia partiake nuk zbret më në terren dhe më shumë se kaq merren me kotësinë e tyre…që është banale dhe cinike. Por në rastin e PD-së ky menefregizëm bjerraditës tashmë është kthyer në dhimbje./Javanews
Komente
