Partia Demokratike

Opinion

Ben Andoni: Pse nuk hyn në sy sfida e Bashkisë te PD?!

27 Shtator, 19:40| Përditesimi: 27 Shtator, 19:42

  • Share

Sot duhet të ishte emri i kandidatit demokrat për Bashkinë e Tiranës dhe madje i gjithë shtabi i tij. Ose më saktë: Qysh ditën që Velija mori udhën e përballjes me drejtësinë, strukturat e Partisë Demokratike duhet të mendonin për alternativën e tyre. Koha po tregon se edhe protestat e vazhdueshme të opozitës më 2024 dhe bash në periudhën më të vështirë të vitit gjatë verës e kishin një qëllim: Rrëzimin e Velisë.

Por sot, gati shtatë muaj më pas nga ndalimi i tij, kur Partia Socialiste ka kandidaten dhe madje edhe drejtuesit politikë, nga ana e PD-së ka një rehati dhe qetësi, sikur ta kenë pasur drejtimin e bashkisë së kryeqytetit prej kohësh. Problemi i parë statistikor që lidhet me përballjen zyrtare të vitit 2023 duket se është i pakapërcyeshëm.

Votat e Këlliçit nuk mjaftojnë (100.425 votat: 34.58%); votat e Bejkos nuk ‘përfillen’ (12,398 vota: 4.27%) edhe pse u la në baltë nga të tijët (!); kurse partia e Qorrit (arriti plot 13,851 vota: 4.77 %), pjesë e partive të vogla por më shumë identitet, nuk pranon bashkëpunimin me Berishën; kandidatët e tjerë kanë peshë të papërfillshme po të ndiqet ajo logjikë elektorale. Problemi i dytë duket edhe më shqetësues.

Askush nuk do të donte një fitues nga opozita nga njerëzit e saj, për shkak se ai hiqte narrativën kryesore që lidhet me qenien e Berishës në krye dhe këtë lloj status quo-je. Kryetari historik nuk mund ta udhëheqë dot fushatën në terren, kurse të tjerët fshihen pas kurrizit të tij. Berisha e justifikon lehtë humbjen, kurse për këdo tjetër është gati vrasje politike.

Që do të thotë: Një fitore e një individi të PD-së ose opozitës së bashkuar do të krijonte një perceptim për mundësitë edhe pa Berishën. Askush nuk e do këtë realitet sepse nuk duan protagonistë në një hapësirë ku janë të ndara zonat e influencës dhe e dyta është se aristokracia e Opozitës është më mirë në pozitën që të kritikojë, ofendojë dhe të nëmi, në vend që të ndërtoj dhe të sfidojë. Këtë e shikon sot publiku në një fushatë të panisur për të kandiduar një emër dhe që po zgjat kaq shumë e pa sens te Partia Demokratike, por edhe amalgamën e qëndrimeve të njerëzve të saj sa i përket betejës më të afërt./Javanews

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e shkarkoi, a duhet Erion Veliaj ta ankimojë në Kushtetuese?