Nuk mbarojnë paradokset e kohës sonë: SPAK-u, p.sh. më shumë bëhet i dukshëm kur e viziton ambasadorja amerikane sesa kur hap ndonjë dosje. Të mjafton të shikosh gjuhën e trupit të zyrtarëve të saj dhe kupton se Institucioni me më shumë pritshmëri në Shqipëri, madje edhe më shumë sesa vetë Ekzekutivi i Ramës, është ende i brishtë. Shikon nxënës dhe jo zyrtarë plot besim para autoriteteve të huaja. Deklarata e ambasadores në kohën e zgjedhjeve të kreut të SPAK-ut për problemet që mund të dilnin nga votimi i vendosën edhe një vulë jo idealizmi asaj. Do të duhet kohë, punë dhe rezultate që ky institucion i Drejtësisë së re të tregojë se është pikërisht ai që presin shqiptarët.
Nuk mjaftojnë vetëm deklaratat e Yuri Kim se SHBA-ë do të vazhdojnë ta mbështesin. Pasi pas tre vitesh, kjo fjalë nuk ka mjaftuar, ashtu si nuk kanë mjaftuar dhe ecejaket e diplomates amerikane, që përsërit të njëjtat fjalë: jemi me Ju dhe presim shumë nga ju! Është e vërtetë që institucioni në një farë mënyre ka lëvizur. Fakti se pas hekurave gjenden dy ministra, të cilët nuk kishin këtë tagër kur u arrestuan nuk e mbush pritshmërinë e njerëzve, që në fakt kanë humbur konceptin e peshës së Prokurorisë dhe gjithçka tashmë e lidhin me SPAK-un.
Akronimet, që duhet t’i tundin politikanët për hir të së vërtetës, jo vetëm nuk po i frikësojnë por më shumë se kaq, shumë syresh gjejnë kohë edhe t’i anatemojnë. Dhe, kjo është ajo që e zbeh realisht pritshmërinë ndaj këtij institucioni: mosngjallja e frikës tek kundravajtësit bajagi të mirë të politikës, që e akuzojnë keqazi dhe fare hapur njëri-tjetrin nga parlamenti dhe në çdo forum, ku u jepet mundësia.
Prokurorët dhe hetuesit e SPAK-ut do t’u duhet ende shumë punë që të ngrihen nga ikja e mandatit të Krajës, një drejtuesi disi flegmatik deri për përpjekjet, ku duhet të intensifikojnë ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar në përputhje me ligjin, pa frikë apo favore.
Megjithatë me forcën që ka krimi, lluksin e ngritur mbi informalitet dhe fuqinë e ndikimin e politikës ka ende shumë pak hapësirë për SPAK-un. Idealistët e saj, nëse do të vendosin t’i thërrasin ndjenjës dhe përgjegjësisë së detyrës u duhet të kalojnë fillimisht sprovën me veten, për të përballur dosjet që i presin nga Inceneratorët e me radhë.
Deri më tani, kemi një pritshmëri tej mundësive për një institucion, që i kanë vënë mbi shpatulla, penalizimin e një korrupsioni që ka emrat më të lartë të piramidës shqiptare të politikës dhe që gjejnë kohë ta përqeshin paq institucionin, në vend që duhej t’u dridhej goja dhe kur përmendej SPAK-u.