Foto ilustruese

Opinion

Ben Andoni: Terrori i kotësisë

15 Shtator, 20:02| Përditesimi: 15 Shtator, 20:09

  • Share

Çfarë po e lodh më së shumti qytetarin shqiptar të viteve e dekadave të fundit është kotësia me të cilin rrethohet krejt jeta e tij! Kjo kotësi është e tillë saqë e ka zbrazur nga gjithçka: Shpresa, normaliteti i përditmërisë dhe ëndrrat. Në literaturë: Zbrazëtia si një gjendje njerëzore përshkruan një ndjenjë mërzie të përgjithësuar, alienimi shoqëror, nihilizmi dhe apatie. Bashkimi i gjithë këtyre elementëve sot shoqëron çdo aspekt të jetës tonë. Shqiptari i thjesht e përball si pasojë gjendjen nga produkti televiziv; nga arroganca e politikës dhe mospërfillja e saj ndaj qytetarit (fill pasi merr votën); e has në deklarime publike të ofiqarëve dhe në fund shqiptarit të thjeshtë i vjen në mungesën e vlerave dhe në padrejtësinë që tashmë ka qytetari të plotë.

Për një shoqëri si jona me ulje-ngritje të vazhdueshme, batërdi burokratësh, kaotizmin dhe befasitë e panumërta ka edhe një sens që lidhet me rrotacionet e shpeshta (jo në politikë por në punësimin) dhe mungesën e respektit të karrierës dhe traditës. Dikur mund të kesh qenë një person i nevojshëm dhe të tjerë më të paaftë të referoheshin, tashmë janë ata që ekzistojnë në punët më të paguara dhe të vlerësuar në shoqëri, kurse ti je e mbetesh këtej e tutje me të gjithë bagazhin tënd profesional një numëror demografik. Ka pasur vlera ose objektiva që u je kushtuar por tashmë ato janë të shumëzuara me Asgjënë. Ç’është më e keqja askujt nuk i bën kjo përshtypje!? Mënyrat e reja që do të gjesh për mbijetesë nuk shfaqen ose ndonjë shpresë e vakët do gjendet në fund të tuneleve gati pa dritë. Shumë profesionistë shqiptarë e kanë zgjidhur dhe do ta realizojnë duke ikur nga vendi, një nga alternativat më të mundshme.

Të tjerë që nuk munden do të gjejnë zgjidhje të tjera. Një pjesë do jenë gjithë sy e vesh nga arritjet dhe nga politika, e cila mbush dhe e sakaton jetën tonë. Kryeministri është detyruar thjesht ta theksojë këtë, kuptohet duke ua lënë barrën vartësve. A mund ta mbushim jetën duke i dalë ndesh kësaj zbrazëtie? Ka një lloj perceptimi në shoqëritë moderne se zbrazëtia e individit lidhet edhe me ideologjitë politike, kur e kupton qartë se angazhimi yt ose shpresa në njërin prej tyre syresh del fiasko (historia e jonë e përcjell nga zhgënjimi i shumë personaliteteve pas tre regjimeve ekonomiko-shoqërore). Në Shqipëri, zbrazëtinë e vërtetë e kupton pas akumulimit të një përvoje dhe dëshirën për ta adresuar, por të cilës i mbyllen dyert nga njerëz pa identitet që Qeverisjet Rama i kanë prodhuar pa fund duke nënkuptuar se i gjithë kontributi i aksh njeriu ka qenë një kotësi. Dhe, kotësitë që mbeten të ngulitura në nënvetëdijen e shqiptarit janë të shumta. Kuptohet kur e gjykon nga njerëzit dhe rrethanat që të kanë penguar.

Sociologët dhe terapistët e lidhin gjendjen me historitë e mbajtura fshehur të përvojave njerëzore me çrregullimin e hiperaktivitetit të deficitit të vëmendjes, problemet e personalitetit e deri në probleme sezonale, shkruan në një artikull Moya Sarner, një specialiste tek “The Guardian”. Për fatin e keq nuk shikohet se është e përditshmja, ajo që bën qoftë edhe një i pandërgjegjshëm, më së shumti i paditur për të shkatërruar jetën e shqiptarit të thjeshtë. Dhe, kjo gjendje në shoqërinë shqiptare është kthyer në terrorin e boshllëkut, ku një pjesë jona nuk përqendrohet dhe nuk i jepet mundësi të angazhohet apo të punojë në punë me interes afatgjatë. Nuk flasim më për shkarkimet, humbjet e punëve, apo për mënyrën sesi po e zbehin jetën e individit shqiptar në çdo aspekt.

Përballë kësaj kemi vanitetin, koncept i cili në kuptimin më të përgjithshëm klasik përshkruhet si mendjemadhësi dhe që në shoqërinë tonë e nënkupton realisht zbrazëtinë tonë. Kjo e keqe tashmë është kthyer në një banalitet. Për hir të së vërtetës, vaniteti është duke e shkatërruar shoqërinë shqiptare. Është një listë e tërë ish-ministrash, drejtorësh, drejtuesish që vanitetin e tyre e kanë përcjellë me një vulgaritet të pakufi me pasoja mbi pronësitë në pasuritë e vendit dhe në prishjen e fatit të kushedi sa njerëzve. Një studim që mund të bëhet në të ardhmen, lidhur me këtë temë, parashohim të jetë me gjetje deri tragjike. Rastet e shumta që përcjell media me ish dhe sërish deputetë, me ish dhe sërish ministra është shqetësuese, me drejtorë të paskrupullt është gati vrasëse për tjetërsimin dhe hajninë, por edhe për fatin e individit shqiptar dhe hierarkinë e vlerave tek ne.

Ky vanitet tashmë po e shkatërron vendin dhe shpresën, ky po e ushqen paq zbrazëtinë. Një sociolog i sprovuar si Ëeber këtë ndjesi ia atribuoi politikës së një shekulli të shkuar, kur jetoi. “Çdo ditë dhe çdo orë, politikani duhet të kapërcejë brenda vetes një armik mjaft të parëndësishëm dhe tepër njerëzor: një vanitet (kotësi) mjaft vulgar”, shkruan Max Ëeber tek “Politika si profesion”. Mendimtari Ëeber e shtjellon pastaj idenë se: Kotësia e kohëve të tij ishte një gjendje mjaft e përhapur, mbase askush nuk mund të ishte krejtësisht i lirë prej saj. Dhe në shembullin e tij krahasimi i parë i këtij koncepti përcillej me qarqet akademike dhe shkencore, madje e konsideronte mes tyre si një lloj sëmundje profesionale. Në fakt, burimi i kotësisë tek ne lidhet me politikën dhe mënyrën sesi luftohet për t’u bërë politikan.

Në këtë sens, kotësinë dhe vanitetin që e ka përcjellë turpshëm politika dhe fytyrat që e drejtojnë vendin prej dekadash, të bëjnë të kuptosh se në përpjekjen e tyre për pushtet nuk e kanë parë dhe nuk u bën përshtypje mbjellja e gjendjeve të tilla kaq shkatërrimtare nga ana psikologjike për jetën e shqiptarit të thjeshtë. E po të futemi në realitetin e shifrave, atëherë gjendja do ishte e frikshme. Të kujtosh nivelin e varfërisë dhe shqiptarët e ikur trandesh. Ndaj Rama shikohet si makth sot, kurse Berisha në masë nuk merret më seriozisht, veç kur mendon se ku ka mbetur opozita shqiptare. Ndërsa i pari lidhet me humbjen e shpresës së shqiptarit; i dyti shikohet si njeriu që i vuri vulën ëndrrave për ndryshim të njerëzve.

Për Weber-in ishte e qartë por në sensin kanonik për politikanët: “Instinkti për pushtet” bën pjesë në kualitetet e tij normale, theksonte. Dhe, këtu merrte fund moraliteti i pushteti politik, sepse ai mendonte për kënaqësinë e vet, në vend të vihej në shërbim të ‘çështjes’. “Sepse përfundimisht ka dy lloje të mëkateve vdekatarë në fushën e politikës: njëanshmëria dhe-shpesh, por jo gjithmonë, e ngjashme me këtë përgjegjësi: papërgjegjshmëria. Po kotësia: nevoja për të rënë sa më shumë në sy, e fut në ngasje politikanin, për ta bërë njërën nga të dyja, ose të dyja bashkë”.

Dhe politikani i sotëm aktron, kurse falë mënyrës sesi është ndërtuar politika tek ne dhe rrjeteve sociale dhe algoritmeve të ndryshme është një aktor që mendon më shumë për audiencën, e cila me votat e saj i ushqen mbijetesën dhe këtë vanitet torturues për publikun. Në këtë aspekt dhe duke bërë një krahasim të vakët me gati një shekull të shkuar kur jetoi Ëeber kemi kuptuar zbrazëtinë dhe vanitetin (kotësinë) e politikës, por edhe fatin e trishtë që i përcillet individit shqiptar. Humanizmit që mbart vlerat më të mëdha (tashmë të munguara) po i vihet përballë veprimtaria politike, banale me një terror vaniteti (kotësie) që po na e bën zbrazëtinë tonë gjendje të përhershme./Javanews

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap tjetër grupkapitull me BE-në, si iu duket ritmi i negociatave?