Tek PD-ja nuk janë të mërzitur me asgjë. Të shqetësuar me as edhe një gjë. Apo edhe të zemëruar me ndonjë element të veçantë. Mosnjohja e zgjedhjeve është në kalenda. I shoqëron hareja në kafenetë përreth parlamentit, ku shfaqin kamjen dhe statusin. Përshtypja për situatën e sotme të vendit është edhe më e pakët në gjirin e tyre. S’ka shqetësim as për humbjen e disa-të-herë të zgjedhjeve, as me situatën aktuale që po kalon vendi dhe as me zvarritjen e madhe e të stërgjatë, të cilës po i bëhet emrit që do t’i përfaqësojë si kandidaturë për Bashkinë e Tiranës. Përballë kanë një makineri zgjedhore të PS-së që jo vetëm ka përgatitur tranzitin e drejtueses së Bashkisë të Tiranës, por që tashmë kandidatura duket se ka nisur dhe punë si kryetare aktuale dhe mëtonjëse gati pa alternativë.
Me pak fjalë, PD-ja e ka nisur me shumë qetësi fushatën dhe pa asnjë nerv. Ata janë të dorëzuar, por më shumë se kaq me zvarritjen e kandidaturës dhe kinse mbështetjen për pjesën jashtë politikës së tyre, duket se “ruajnë” shfaqjen e dobësimit të pafundmë të strukturave të tyre. Sikur të ketë fituar në këto 35 vite disa herë rresht bashkinë e Tiranës, sikur të kenë formuar shkollë drejtimi dhe lidërshipi në pushtetin lokal, ata sot janë bërë burim i medias që merret thjesht në sipërfaqe me realitetet shqiptare. Në fakt qysh prej vitit 2019, pushteti lokal me frymën e PD-së e ka humbur forcën. Asokohe nën presionin amerikan do vazhdonin zgjedhjet njëkahëshe dhe 770 mijë shqiptarë kryen ritualin në kutitë e votimit në zgjedhjet e 30 qershorit, ku në fund u përfaqësua vetëm 21 për qind e listës totale të zgjedhësve. Kuptohet se zgjedhësit e PS-së bënë ritualin, por pjesa “blu” nisi fashitjen e pushtetit që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Sot opozita nuk bojkoton (paçka ruan vetëm pak fjalë për identikitin e Tiranës dhe modelit te drejtuesit te bashkitë e tjera) dhe sot zgjedhjet kanë triumfuar mbi platformat e bojkotit dhe përfoljes të procesit elektoral, por në PD nuk ka nerv. Paçka disa kandidaturave të kampit Blu që vetëofrohen, të tjerë që po identifikohen si mundësi nga Berisha dhe fushatën gati pa kundërshtarë të mazhorancës, publiku është gati i shastisur nga ky menefregizëm i pashoq.
Njerëz nuk keni kohë, madje edhe tani jeni në zgrip të marxhinave! Te PD duken të ngopur dhe të rehatuar me pushtetin, por më shumë se çdo gjë të shkurajuar me datën e zgjedhjeve, pasi nuk duan të përfshihen. Për protesta jo e jo; të mefshët për ndonjë betejë, e cila mund të tregojë hapur sesa të gatitur janë për sfida; dhe pastaj të fisëm në parlament, për t’u treguar shqiptarëve sa të mundur e kanë këta të ardhmen. Ndaj kjo makineri e madhe e PS-së po fryhet e fryhet dhe duket se zgjidhja do jetë prej vetë atyre me këtë ngopje pa asnjë kut të pushtetit qendror dhe atij lokal. Zemërimi si karburant moral mungon si frymëzim te PD-ja dhe me gjasa në këtë mandat do jetë vështirë të ngjallet. Ky është shqetësimi më i madh për publikun, jo zvarritja e pafundme e kandidaturave të tyre. (Javanews)
Komente
