Viktor Zhusti më mori në telefon. U takuam. Dua të sjell në teatër Ali Pashë Tepelenën, tha. Shumë mirë i thashë, kush do e shkruajë? Do ta shkruash ti, tha Viktori. Unë e kam Ali Pashën personazh episodik, në një roman timin, por nuk kam shkruar shumë për të, i thashë.
Ka shkruar yt atë, tha Viktori. Babai ka bërë Koka e Prerë, një roman që tregon ditët e fundit të Ali Pashës. E kam lexuar, tha Viktori, nga fundi i thashë Kiços ta kthente në një pjesë për teatër por ai nuk donte të shkruante më E lodhi shumë sëmundja dhe nuk shkruante dot, thashë unë. Prandaj bëje ti, unë do e luaj, tha Viktori.
Unë bëj romane por nuk di të bëj drama, thashë unë Është shumë e lehtë, bëj një skenar pastaj e kthej unë në dramë. As skenar nuk di të bëj, thashë unë. Po ti hidh diçka, pastaj flasim, tha Viktori. Më duhet të ndërpres një projekt tjetër që kam në dorë, thashë unë.
Çfarë po bën, pyeti Viktori? Po punoj për një libër me fotografi, po eksperimentoj. Çfarë personazhesh ke? Të ndryshëm, një vajzë me shami, një prift, Frederik Ndocin, gjyshen time, një afgane, Robert Ndrenikën dhe ndoshta edhe ty.
E di që me Bert Ndrenikën kemi qenë në një klasë? Nuk e dija, i thashë, e fotografova para një muaji. Është dembelosur, i them gjithmonë hajde te shtëpia ime në Greqi, pimë verë, gjuajmë peshk, e kemi detin 20 metra. Pse ke shtëpi në Greqi?
Kam në Evia, është ishulli më i madh grek, pas Kretës. Epo ndoshta prandaj nuk vjen Bert Ndrenika se ishulli i tij Korfuzi, është më i vogël se Evia, e ke kompleksuar, thashë unë.
Jo mo mezi lëviz ai, tha Viktori, kështu ka qenë gjithnjë. A e di që Bill Gates po blen një ishull në Evia? E kam dëgjuar. Nëse e takoj do ti flas mirë për ty, ta rregulloj ti bësh ca foto. Kujdes me Bill Gates, Viktor, thonë që ai ka formulën e rinisë së përjetshme, mbase ta jep dhe ty.
Nuk besoj se ka gjë, ai ka më shumë rrudha se unë. Po çne shtëpi në Greqi, e pyeta? Mamaja ime ishte greke, unë trashëgova shtepinë e saj duke humbur pronat e babait. Po pse mamaja me babain nuk kishin të njëjtat prona? U ndanë kur linda unë në Greqi, në 1942, tha Viktori.
Ke lindur në Greqi dhe si përfundove në Shqipëri? Prindërit u divorcuan dhe babai për tu hakmarrë ndaj mamasë me dërgon në 1945 në Korçë te vëllai i tij, isha afro 3 tre vjeç.
Si të dërgoi në Korçë pa lejen e mamasë? Një muaj pasi unë erdha në Korçë në Prill 1945 kufinjtë u mbyllën dhe unë mbeta te xhaxhai që më rriti, ndërsa prindërit mbetën në Greqi.
Çfarë fati i keq, thashë unë, po i gjete më vonë prindërit? Me babain kam folur vetëm në telefon në 1976, ishte në Amerikë, i mbaj mend vetëm zërin, fliste si Fan Noli, më thoshte djalli im i dashur si je, dhe unë i thosha, të lumtë baba nga e kuptove që unë jam një djall?
Po me nënën? Shkova e takova në 1983 në Athinë. Sa më pa më njohu nga sytë. Dhe more pronën e saj në ishull? Ajo ishte martuar dhe unë ia bleva pjesën tjetër të shtëpisë dy motrave të mia, që mamaja kishte nga një martesë tjetër.
Po nga babai ishe i pasur? Nga pasuria e trashëguar e babait kam marrë deri vonë 400 dollarë në muaj derisa qeveria e Tsipras na i preu. E ke votuar Tsipras? Si ta votoja, më hoqi paratë e babait, bashkë më pensionin e homogjenitit. Pra si përfundim çfarë more nga pronat e babait? Asgjë nuk mora. Ai ia la të gjitha gruas së dytë, njerkës sime dhe ajo nuk më la asgjë nga inati që unë u bashkova me mamanë time.
Kokëfortë, thashë unë. Fanatike, tha Viktori Do bëjmë ca foto, thashë unë. Po me Ali Pashën çdo bëjmë, pyeti Viktori? Nuk ta premtoj dot, thashë unë, pa mbaruar librin tim me portrete nuk prek gjë me dorë D.m.th nuk do ja presim kokën Ali Pashës? Kemi kohë, thashë unë. Unë jam 80 vjeç, tha Viktori. Ali Pasha ishte 82 kur ia prenë kokën, thashë unë. Mirë mirë po mos shkruaj gjë për jetën time. Nuk i bëj premtime burrave mbi 80 vjeç, thashë unë.