Ramiz Çopa është një prej 46 banorëve të pallatit 11-katësh në Durrës që u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Prej tre vitesh banon me qira dhe është mes firmëtareve të padisë së bërë në SPAK kundër ndërtuesit, Fiqiri Farruku. Nga hetimet rezultuan shkelje të shumta gjatë ndërtimit të objektit, ndaj nën akuzë bashkë me ndërtuesin është ish-kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako e vartësit e tij.
Në intervistën ekskluzive për Report TV, Ramiz Çopa tregon se banonte në katin e tretë të pallatit 25/1 në lagjen nr.5 të Durrësit. Padia është depozituar në vitin 2020 pas tërmetit kur pallati i tyre pësoi dëmtime të pariparueshme. Thekson se objekt i padisë është firma ndërtuese dhe koaliduesit.
“Këtë problem e kemi konstatuar me disa specialist duke pyetur pas tërmetit, duke pyetur. Ky pallat ka pasur shkelje në ndërtim. Ka qenë projektuar për 7 kat, i futën edhe 4 kate shtesë. Tërmeti u bë sebet, por është nga dora e drejtuesit. S’ka zbatuar planimetri të projektit. Çdo gjë në këtë pallat është me shkelje. Depon e ujit se ka vënë aty ku duhet, e ka vënë në anësore, duhej në qendër, ky pallat nuk i përballoi tërmetit se kishte ngarkesë të madhe.
Sot Ramiz Çopa pensionist dhe me probleme shëndetësore nuk kërkon asgjë më shumë se sa një shtëpi të re në të njëjtin vend ku ka banuar deri më 26 nëntor 2019.
“Ne kemi konflikt me ndërtuesin ne s’duam të dimë për ish-drejtuesin e bashkisë. Na dhanë hipotekën e të gjitha, unë dua djersen time, shtëpinë time, nuk dua t’ia di për të dënuarit. Unë kam 60 vjet në Durrës tani na thonë ik në kënete. Unë jam me 7 unaza në zemër, shkoj çdo dy ditë në spital, nuk pranoj të shkoj në kënetë.
Banorët kanë depozituar edhe një tjetër padi pasi kërkojnë që të mos shkojnë të banojnë në bllokun e pallateve të rindërtimit në ish-kënetë por pallati të rindërtohet në të njëjtin truall.
“Ne kemi hapur gjyq për gjakun tonë për shpirtin tonë. Tani na thonë ikni! Ku të shkojmë ne? Ne u gëzuam kur Rama tha se pallatet do të rindërtohen, këtu është punuar me dy standarde. Shiko atje, ai pallati ishte prishur dhe u rindërtua në të njëjtin vend, ndërsa ne na thonë nuk do të rindërtohet por do të shkoni në Kënetë”.
Bëhet fjalë për një pallat që u nis 7 kate në 2010 dhe përfundoi 11 kate në 2014 dhe u dëmtua nga tërmeti në 2019. Për këtë u arrestua dhe ndërtuesi i pallatit Fiqiri Farruku. Për këtë rast akuzohen Vangjush Dako, Drejtori i Drejtorisë së Kontrollit dhe Planifikimit të Territorit Adhurim Qehajaj. Arkitekti Ermal Lama, projektuesja Meri Semini topografët Fatmir Ejupi dhe Adrian Bulku.