Opinion

Benet Beci: Pasaporta europiane është misioni i kësaj fushate, për Shkodrën 2030 në BE

12 Prill, 19:45| Përditesimi: 12 Prill, 19:51

  • Share

Të nderuar miq,

Ka nisur zyrtarisht fushata për zgjedhjet e 11 Majit.  Pasaporta europiane është misioni i kësaj fushate, me Edi Rama  dhe Partia Socialiste e Shqipërisë .

Qarku i Shkodrës është një truall i bekuar me pasuri natyrore dhe me njerëz të jashtëzakonshëm: nga bregdeti i Velipojës në pyjet e Pukës e Fushë Arrëzit, nga fshatrat buzë Bunës në majat më të larta të Alpeve, nga liqeni i Shkodrës e Malësia e Madhe në malet e Dukagjinit, nga prodhimet bujqësore të NënShkodrës te energjia e pastër që prodhohet në luginën e Drinit në Vaun e Dejës e Koman.

Qyteti i Shkodrës, gur themeli në ndërgjegjen kombëtare dhe kulturore të shqiptarëve, është fizikisht dhe simbolikisht porta hyrëse e Europës në Shqipëri. 

Kemi një program shumë të qartë dhe konkret. Shkodra 2030 në BE është një Shkodër e lidhur në më pak se një orë me aeroportin, Tiranën dhe portin e Durrësit përmes autostradës Adriatiko-Joniane. Hekurudha Vorë–Shkodër–Han i Hotit do të lidhë pasagjerë, turistë dhe mallra me Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës kanë marrë vendimin historik për ndërtimin e Hekurudhës së Kombit, ku segmenti i ri  Shkodër–Gjakovë do të përshkohet për vetëm 1 orë e 7 minuta, duke e shndërruar Shkodrën në një nyje strategjike infrastrukturore, logjistike dhe ekonomike – territor shumë tërheqës për prodhim dhe eksport.

Gjatë 20 muajve të fundit në drejtimin e Bashkisë Shkodër kemi nisur një proces transformimi të thellë urban dhe rajonal.

Po përfundon rruga Shëngjin–Velipojë, punohet intensivisht në rrugën e Dukagjinit, Shirokë–Zogaj–kufi me Malin e Zi, dhe rruga e Komanit.

Janë asfaltuar mjaft segmente rrugësh rurale dhe janë pastruar dhjetëra kilometra kanalesh ujitëse e kulluese që kishin dekada të tëra pa u prekur me dorë.

Në qytet, kemi investuar në mbi 70 pallate për eficiencë energjetike, ndriçim publik, sinjalistikë rrugore dhe riasfaltimin e pothuaj të gjithë bulevardeve.

Ëshë rindertuar  tregu i Rusit, ndërtuar tre mole lundrimi dhe po pastrohet liqeni .

Po punohet për  Zdralen si një tjetër pol biznesi e turizmi, për  zgjerimin e rrugës hyrëse dhe ndërtimin e urës së dytë të  Bahçallëkut.

Është pastruar zona në hyrje të qytetit,  ku ka nisur ndërtimi i një hapësire publike prej 19 hektarësh, një nga zonat më të mëdha e të bukura në vend që do të rivendosë lidhjen organike të  qytetit me ujin që e rrethon.

Po punojmë gjithashtu për ndërtimin e rrjetit të plotë të korsive të biçikletave, rindërtimin e katër shkollave, terreneve sportive, teatrin “Migjeni”, dhe së fundmi – kinemanë “Republika”. Po ndërtojmë Muzeun e Lundrimit dhe së shpejti edhe Muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës.

Po përmirësojmë sistemin e kanalizimeve dhe furnizimit me ujë. Së shpejti nis ndërtimi i impiantit të trajtimit të ujërave të zeza, që do t’i japë fund ndotjes së lumit Buna.

Këto nuk janë vetëm premtime, janë realitet e plane pune.

Projekte konkrete që po zbatohen falë daljes së Shkodrës nga kthetrat e konfliktit politik dhe kthimit të saj te puna. Të mbështetur plotësisht nga qeveria shqiptare, po zbatohen dhjetra projekte dhe për të tjera janë siguruar financime për katër vitet në vijim.

Shumë prej projekteve po realizohen me fonde falas  të Bashkimit Europian dhe kredi të buta nga Bankat  Europiane Zhvillimore, çka tregon se Europa është tashmë e pranishme në Shkodër dhe mbështetja e saj do të shumëfishohet me anëtarësimin e Shqipërisë në BE në 2030.

Ne besojmë se do të kemi mbështetjen tuaj për ta vazhduar këtë transformim në gjithë territorin e Qarkut Shkodër.

Lista jonë për deputetë përfaqëson mozaikun e larmishëm të qarkut tonë: shumica janë kandidatë të rinj, profesionistë në fusha të ndryshme, me përvoja të suksesshme në sektorin privat dhe administratën publike.

 Të gjithë janë bij dhe bija të këtij vendi, që jetojnë këtu, rrisin fëmijët e tyre këtu dhe ndajnë çdo ditë jetën me ju. Ata janë përfaqësimi real që Shkodra meriton në Kuvendin e Shqipërisë.

Me Edin dhe Partinë Socialiste kemi një fitore të sigurt në rang kombëtar. Me besimin e mbështetjen tuaj,  do ta bëjmë këtë fitore edhe të Shkodrës. Hapi ynë tjetër është Shkodra 2030, në familjen europiane, në BE,  për të vazhduar së bashku rrugën e zhvillimit, integrimit dhe për të sjellë një të ardhme më të mirë për të gjithë.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • fran: 12/04/2025 21:34

    Benet Beci do ta bëj Shkodrën qytetin më të bukur në Shqipëri .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Nisi fushata zgjedhore për 11 majin, si e parashikoni?