TIRANË - Kreshnik Kurti, 34 vjeç, u arrestua nga policia e Tiranës pasi në bashkëpunim me motrën e tij Kejda Kurti dhe 2 italianë, Pietro Cosentino dhe Nicoletta Trebbi, të tre këto të shpallur në kërkim, arrinin që përmes një skeme të mirëmenduar të blerjes fiktive të floririt të pastronin para të krimit nga Italia, drejt vendit tonë.
Për të katërt, Prokuroria e Tiranës kërkon masën e sigurisë ‘arrest me burg’. Përmes shoqërisë aksionare “Tirana-Bullion”, e cila rezulton e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit si objekt që tregton dhe eksporton flori, kryhej blerja fiktive e floririt të përdorur, shoqëruar edhe me fatura tatimore të parregullta, e hapur ekskluzivisht për të kryer manovrën e pastrimit të parave.
Sipas prokurorisë, e cila ka kryer hetimin, përmes këtyre faturave fiktive tatimore, qëllimi ishte të justifikoheshin transfertat e vlerave të mëdha monetare nga bankat italiane në ato shqiptare, që kapin shifra në miliona euro dhe që dyshohet se kanë origjinë nga krimi ose mbulim i veprimtarive ekonomike te jashtëligjshme.
Këto transferta parash arrinin të kalonin pa probleme pas justifikimit që vinin përmes faturave tatimore fiktive, por me të mbërritur në vendin tonë, paratë tërhiqeshin cash dhe zhdukeshin. Megjithatë, e gjithë skema është kryer në Itali, atje fiktivisht blihej dhe shitej ari, kur në fakt nuk bëhej një gjë e tillë, dhe më pas të ardhurat transferoheshin në Shqipëri, duke shmangur detyrimet tatimore në vendin tonë.
Pas tërheqjes askush nuk di të thotë çfarë bëhej me këto para, por përmes provave që akuza ka në duar, pretendon se 4 personat e përfshirë kanë pasur secili rol të veçantë për plotësimin e skemës së pastrimit të parave. Çështja u hetua nga Bledar Valikaj