Kosova & Rajoni

Beogradi 'vlon' nga protesta, 107 mijë qytetarë bashkë kundër pushtetit të Aleksandër Vuçiç: Populli nuk të mbështet më! Presidenti: E kuptuam mesazhin (FOTO+VIDEO)

15 Mars, 11:16| Përditesimi: 15 Mars, 23:07

  • Share

TIRANE- Dhjetëra mijëra qytetarë u mblodhën pasditen e sotme në qendër të Beogradit për të protestuar kundër pushtetit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Prej orës 16:00 deri në orën 20:30 (15 mars) mbi 107 mijë protestues u mblodhën në shesh pas thirrjes së studentëve, të cilët, për më shumë se katër muaj, kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë në Novi Sad ku 15 persona humbën jetën si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor më 1 nëntor 2024.  

Protesta e sotme konsiderohet si më e madhja përgjatë këtyre 4 muajve protesta që kanë sfiduar pushtetin autokratik të presidentit Aleksandar Vuçiç, ndërsa shifra e pjesëmarrjes u konfirmua nga ministria e Brendshme e Serbisë.

“Shikojeni sa shumë jemi këtu. Lë të zgjojë zëri ynë Serbinë”, tha një student para turmës, në sheshin Sllavija të Beogradit kur nisën të mbahen  fjalimet 

Zhurma e bilbilave dhe vuvuzelave ka mbushur kryeqytetin serb, i cili ishte në gatishmëri të lartë që nga momenti i shpalljes së tubimit. Disa protestues mbanin pankarta me mbishkrimin “Ai ka mbaruar!”, ndërsa të tjerë brohorisnin “Pump it up” (Motivohemi më shumë), një slogan i miratuar nga protesta studentore. Ministria e Brendshme e Serbisë thotë se mbi 100 mijë persona janë mbledhur në protestë.

“Shpresoj që kjo protestë të tronditë autoritetin e Vuçiçit dhe ai të kuptojë se populli nuk e mbështet më,” tha një protestues, Milenko Kovaçeviç.

Kur turma në Sheshin Sllavija të Beogradit nisi të shpërndahej dhe studentët që organizuan protestën, njoftuan se ajo ka përfunduar, një grup huliganësh rrahën studentët.

Grupi i quajtur "Studentët 2.0", që i kundërshton ata, raportohet të ketë gjuajtur me gurë dhe shishe në drejtim të tyre.

Në një mesazh drejtuar popullit, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha pas protestës se pushteti e ka kuptuar mesazhin. "Të gjithë njerëzit në pushtet duhet ta kuptojnë mesazhin kur mblidhen kaq shumë njerëz. Ne do të duhet të ndryshojmë", tha ai.

Megjithatë, Vuçiç vlerësoi se shumica e qytetarëve nuk duan “revolucion me ngjyra”.

Përshkallëzimi i tensioneve
Edhe në mesditë policia raportoi arrestimin e një personi që përplasi makinën mbi turmën e protestuesve në një periferi të Beogradit, duke plagosur tre persona.

Përpara demonstratës, tensionet ishin të larta, pasi mbështetësit e presidentit ngritën një kamp në një park përballë pallatit presidencial. Vuçiç paralajmëroi se forcat e sigurisë do të përdornin forcë kundër protestuesve.

Transporti publik në Beograd u anulua sot, në atë që u pa si një përpjekje për të penguar pjesëmarrjen në tubim, ndërsa rrugët drejt kryeqytetit u bllokuan nga kolona të gjata makinash. Kompania e transportit e justifikoi vendimin me "arsye sigurie".

Vuçiç, i cili ka dominuar politikën serbe që nga viti 2014 si kryeministër dhe më pas si president në 2017, deklaroi se nuk do të largohej nga pushteti për shkak të protestave. “Do të duhet të më vrisni nëse doni të më zëvendësoni,” u shpreh ai.

Zemërimi pas tragjedisë në Novi Sad

Autoritetet serbe janë përballur me protesta të përditshme që nga nëntori, kur shembja e një çatie në stacionin hekurudhor të Novi Sadit shkaktoi vdekjen e 15 personave. Shumë qytetarë e fajësojnë korrupsionin për këtë tragjedi, pasi Vuçiç kishte përuruar renovimet e stacionit në 2022.

Lëvizja protestuese është kryesisht pa lidership dhe ka qenë e qetë, por Vuçiç ka pretenduar se protestuesit "po përpiqen të arrijnë qëllime përmes dhunës" dhe ka parashikuar që "shumë do të përfundojnë pas hekurave".

Ndërkohë, ultranacionalistë të njohur, përfshirë anëtarë të një milicie të lidhur me vrasjen e ish-kryeministrit Zoran Gjingjiç në 2003, janë parë në mesin e aktivistëve pro-qeveritarë të kampuar pranë pallatit presidencial.

Presion ndërkombëtar mbi Serbinë

Protestuesit kërkojnë përgjegjësi për tragjedinë në Novi Sad dhe transparencë nga institucionet. Deri më tani, mbi dhjetë persona janë akuzuar për shembjen e çatisë, ndërkohë Kryeministri Millosh Vuçeviç, dha dorëheqjen në janar, së bashku me kryetarin aktual të bashkisë.

Vuçiç, i cili shihet si njeriu që sakrifikoi kryeministrin për të ruajtur pozicionin e tij, ka refuzuar formimin e një qeverie kalimtare dhe mbajtjen e zgjedhjeve brenda gjashtë muajve. Ai ka akuzuar Perëndimin për organizimin e protestave me synimin për ta larguar nga pushteti dhe për të "shkatërruar Serbinë", duke përdorur një narrativë të ngjashme me atë ruse.

Një grup eurodeputetësh i ka dërguar një letër presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, duke paralajmëruar se "reagimi i Serbisë ndaj protestave do të jetë një provë vendimtare e angazhimit të saj ndaj standardeve të BE-së".

 

Ora 22:53
VIDEOLAJM/ Shikoni pamjet me dron të protestës në Beograd, 107 mijë vetë në shesh kundër Vuçiç

Qindra mijëra serbë bllokuan sot sheshin Sllavija në qendër të Beogradit. Kjo konsiderohet një nga protestat më të mëdha nga koha e rrëzimit të Sllobodan Millosheviçit.

Shqiptarja.com sjell pamjet me dron të protestës ku pjesëmarrja është aq e madhe sa njerëzit kanë mbushur jo vetëm sheshin por dhe rrugët hyrëse të tij. Shikoni vetë të gjykoni sa e madhe ishte protesta sot në Beograd kundër pushtetit të Aleksandër Vuçiç. Autoritetet thanë se 107 mijë qytetarë dolën në shesh kundër Vuçiç duke thirrur: Korrupsioni vret.

Ora 22:46
Protestat në Beograd, Vuçiç: E kemi kuptuar mesazhin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha pas protestës së 15 marsit në Beograd se pushteti e ka kuptuar mesazhin.

"Të gjithë njerëzit në pushtet duhet ta kuptojnë mesazhin kur mblidhen kaq shumë njerëz. Ne do të duhet të ndryshojmë", tha ai.

Megjithatë, Vuçiç vlerësoi se shumica e qytetarëve nuk duan “revolucion me ngjyra”.

Qeveria pretendon se protestat për tragjedinë në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, janë përpjekje për një "revolucion me ngjyra" - gjë të cilën studentët protestues e mohojnë.

Vuçiç iu drejtua publikut pak orë pas përfundimit të një proteste të madhe në Beograd. Ai tha se 56 persona janë lënduar në protestë, por se askush nuk ka pësuar lëndime të rrezikshme për jetën. Sipas tij, 22 persona janë arrestuar për krime kundër pronës dhe për sulme ndaj policëve dhe personave të tjerë.

Ora 21:09
Incident në protestën e Beogradit, huliganët rrahin organizatorët (VIDEO)

Shënohen incidente në protestën e të rinjve në Beograd. Ndërsa protesta ishte drejt mbylljes huliganë kanë qëlluar studentët të cilët donin të studionin në Pioneer Park.

Grupi i quajtur "Studentët 2.0", që i kundërshton ata, raportohet të ketë gjuajtur me gurë dhe shishe në drejtim të tyre.

Përleshje ka pasur dhe pranë sheshit Nikola Pashiq ku një grup burrash rrahën një të ri.

Në videon e publikuar në rrjetin social X, por dhe në mediat serbe shihet një grup huliganësh duke rrahur organizatorët e protestës. 

Ndërkohë përmes një reagimi ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë tha se ka bërë thirrjen e fundit për ndalimin e menjëhershëm të të gjitha sulmeve dhe provokimeve ndaj punonjësve të policisë, në të kundërtën tha se policia do të ndërhyjë dhe do t'i mbrojë efektivët e saj konform ligjit.

Në deklaratë thuhet se disa incidente dhe përleshje kanë ndodhur në disa lokacione në qendër të Beogradit "midis disa pjesëmarrësve në protestë, të cilët sulmuan vazhdimisht policët, duke u përpjekur t'i pengojnë ata në kryerjen e detyrës".

Ora 20:58
Protesta në Beograd, ministria: Morën pjesë 107 mijë qytetarë

1742064341_protestenebeograd.jpg

Foto: Protesta në Beograd

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka njoftuar sot se, sipas vlerësimeve policore, në protestat e studentëve në të gjitha lokacionet në Beograd, numri i pjesëmarrësve ka qenë rreth 107 mijë veta, nga të cilët shumica kanë ardhur nga rrethinat.

Siç bëhet e ditur, aktualisht numri i pjesëmarrësve është në rënie të vazhdueshme.

Sipas mediave serbe, deri tani nuk ka pasur incidente apo shkelje të rendit dhe qetësisë publike.

Njëkohësisht, u bëhet thirrje pjesëmarrësve të tubimit që edhe në orët në vijim të ruajnë qetësinë dhe dinjitetin e vendit, në frymën e përgjegjësisë qytetare dhe duke respektuar ligjet.

“Prioriteti absolut i pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme është siguria e të gjithë qytetarëve, mbrojtja e rendit dhe qetësisë publike, jetës dhe pronës. Ata do të bëjnë gjithçka, në përputhje me kompetencat e tyre, për ta përmbushur këtë detyrë në nivelin më të lartë,” thuhet në njoftimin e MPB-së se Serbisë.

Ora 19:42
Protesta masive në Beograd, 15 minuta heshtje për viktimat e tragjedisë së Novi Sadit! Vuçiç pritet t’i drejtohet kombit

1742064419_174206100010000548481200x8001.jpg

Protestuesit që kanë pushtuar pasditën e së shtunës rrugët e Beogradit mbajtën 15 minuta hesthje për 15 viktimat e tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.

Ndërkohë, presidenti Aleksandër Vuçiç ka njoftuar se do t’i drejtohet kombit rreth orës 22:00.

Mbi 100 mijë qytetarë që janë mbledhur në kryeqytetin serb kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi për ngjarjen në stacionin hekurudhor në Novi Sad.

Ora 18:00
Mbi 100 mijë njerëz ‘pushtojnë’ Beogradin, pamjet me dron nga protesta në kryeqytetin serb! Ndër më të mëdhatë në dekada

Këto janë pamjet me dron që vijnë nga Beogradi, ku qindra mijëra njerëz kanë “pushtuar” pasditen e së shtunës kryeqytetin serb kundër qeverisë së Aleksandër Vuçiç, një nga protestat më të mëdha në dekada në vend.

Transporti publik në Beograd është pezulluar që prej orës 09:00 për arsye sigurie.

Protestuesit kërkojnë llogari për tragjedinë e ndodhur vitin e kaluar, kur një tendë stacioni trenash në Novi Sad u shemb, duke lënë të vdekur 15 persona.

Protestat janë shtuar duke përfshirë studentë, mësues dhe fermerë, një sfidë e madhe për Vuçiç, që qëndron në pushtet prej shumë vitesh.

Prokurorët kanë akuzuar 13 persona për tragjedinë e Novi Sadit. Kryeministri Millosh Vuçeviç dhe dy ministra kanë dhënë gjithashtu dorëheqje gjatë protestave.

Ora 16:24
FOTOLAJM/ Nis protesta në Beograd, Ja si duket nga ajri, dhjetëra mijëra qytetarë në rrugë

Në orën 16:00 filloi zyrtarisht protesta në Beograd.

Dhjetëra mijëra qytetarë janë mbledhur në rrugët kryesore të Beogradit pas thirrjes së studentëve.

Ja si duket protesta nga ajri. Fotot janë të Radio Europa e Lirë 

Ora 16:12
Protesta masive sot në Beograd, Vuçiç: Jam i bindur që do ta përballojmë gjithë presionin dhe sulmet e ditës së sotme

1741641333_Screenshot3.jpg

Në prag të protestës në Beograd, presidenti serb, Aleksandë Vuçiç ka vëzhguar nga afër punimet e një kantieri ndërtimi EXPO dhe ka thënë që është i bindur se “ do të ruhen paqja dhe stabiliteti”.

“Jam i bindur që sot do ta përballojmë gjithë presionin, sulmet dhe do të ruajmë paqen dhe stabilitetin. Dhe më pas do të fitojmë në të ardhmen”, ka thënë Vuçiç përmes një postimi në Instagram.

“Njerëzit kanë ëndrra të ndryshme. Disa ëndërrojnë për të shkatërruar diçka apo dikë, disa ëndërrojnë të ndërtojnë. Besoj se shumica e shtetasve serbë duan të ndërtojnë një Serbi më të mirë dhe më të suksesshme”, ka thënë Vuçiç të shtunën.

Ora 15:36
Incident pranë institucioneve në Serbi/ I moshuari kërcënon me eksploziv, ndalohet me forcë nga forcat speciale

Një person i moshuar është arrestuar para ndërtesës së Kuvendit të Serbisë në Beograd ndërkohë që po zhvillohet protesta e sotme kundër pushtetit të Vuçiqit. Siç raportojnë mediat serbe, personi i dyshuar iu afrua rojeve dhe i kërcënoi me bomba dhe më pas u arrestua.

Qytetarë të shumtë po vijnë nga i gjithë Beogradi para Kuvendit të Serbisë, ku në orën 16:00 do të organizohet një tubim qëndror, raporton Kurir. 

Studentët dhe qytetarët e tjerë të Serbisë kanë muaj që protestojnë kundër regjimit në pushtet. Kjo ka vazhduar që nga tragjedia që ndodhi në Novi Sad më 1 nëntor pasi një mburojë betoni te stacioni hekurudhor në këtë qytet u shemb dhe vrau 15 persona.

Xh.K/S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se SPAK po e heton siç duhet masakrën e Gërdecit?