Dy darka mirëseardhjeje njëra me vlerë 418 mijë lekë dhe tjetra 315 mijë lekë të faturuara dhe paguara për restorantin Gzona janë indiciet që e dyshojnë Ilir Beqajn se u korruptua si ish drejtor i përgjithshëm i SASPAK.
Por ndryshe nga sa konstaton SPAK , Gjykata e Posaçme konsideron se as për Beqajn as për Kurtulajn nuk ka dyshim të arsyeshëm të bazuar në prova që ta kenë kryer këtë krim përsa kohë rezulton se të ftuarit kanë darkuar aty.
Ky përshkrim e lë pa përgjigje gjyqësore pikëpyetjen tjetër që gjykata shtron, nëse është në kompetencat e SPAK hetimi i drejtuesit të SASPAK, meqenëse ligji nuk e shpreh një gjë të tillë.
Por me një një kartë të tillë Ilir Beqaj do luajë në shkallët e tjera, edhe pse pozita e tij është në vështirësi për tre veprat e veprat e tjera që po e heton SPAK. Jo vetëm për shkelje të barazisë në tendera dhe mashtrimit, por edhe të detyrimit që kishte si deputet dhe ish ministër për të deklaruar pasuritë që dyshohen se i përkasin.
Konkretisht për dyshimet se ka pronësi të fshehur mbi GZONA dhe në një një automjet. Por SPAK këmbëngul se ish koordinatori i Saspak Ermal Kurtulaj dyshohet se ngriti një skemë mashtrimi për të kaluar buxhetin e projekteve në favor të tij dhe të Ilir Beqaj.
Përplasja me gjykatën vazhdon edhe në këtë pikë mbasi trupa sugjeron që duhet gjurmuar më tej marrëdhënia e të dyve me subjekte të tjera për të ndjekur paratë dhe analizuar llogaritë bankare.
Në dosje SPAK thekson se janë të dyshimta 8 kontrata të sekuestruara që nuk u shpallën rregullisht mbasi subjektet u paracaktuan dhe më pas administratorët e tyre firmosën fatura fiktive për shërbime gjatë konferencave për mjedisin dhe energjetikën.
Prokurorja Elida Kackini përmend se Ilir Beqaj ishte në dijeni për eventin që do të organizonte Ministria e Turizmit e megjithëkëtë firmosi të njëjtin event që u sponsorizua nga SASPAK.
Përplasja tjetër mes SPAK dhe gjykatës është mbi profilin e Ilir Beqaj. Për SPAK ish ministri është një person me rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Argumenti sepse Beqaj njëherazi me masë detyrim paraqitje ai vazhdoi qetësisht veprimtarinë duke shfrytëzuar funksionin publik për interesa pasurore.
Gjykata thotë jo. Duke thënë se SPAK vazhdon të mbledhë prova dhe se ekziston rreziku i ikjes referuar veprave për të cilat ish funksionari po hetohet gjykata shton. “Nuk është vendosur asnjë e dhënë tjetër që të dëshmojë rrezikshmërinë e tij në lidhje me sjelljen dhe personalitetin”. Ermal Kurtulajn e përshkruan me rol qendror dhe që duhet gjendur fijet e provave që e lidhin me Beqajn.
Nën hetim për skandalin e agjencisë Saspak janë tetë persona, secili prej tyre është shprehur se do i drejtohet Apelit./TCH