Zgjedhjet e 11 majit, rezultati i tyre i thellë në favor të PS-së dhe pretendimet e opozitës, ishin disa nga temat e analizës dhe debatit po në “Studio Live” të Report Tv, ditën e sotme, mes avokatëve Idajet Beqiri dhe Besart Logu.
Për Beqirin, rezultati ishte domethënës për të treguar se kjo mazhorancë edhe pse 12 vite në pushtet, ka arritur të bindë shqiptarët se është punuar brenda dhe jashtë vendit, ku tani Shqipëria shihet me një sy tjetër në Europë dhe Botë nga faktori gjeopolitik.
Ai bëri edhe një krahasim politik në histori, me retrospektivë elektorale, mes zgjedhjeve të vitit 1996, ku sipas tij Sali Berisha i gjakosi me SHIK-un e Bashkim Gazidedes në masakër zgjedhore ndaj opozitës dhe popullit, duke pasuar edhe 1997-ën.
Ai ironizoi Berishën dhe PD për humbjen e thellë, duke thënë se konsulenti Chris LaCivita erdhi, mori 6 mln USD dhe iku, kurse demokratët morën humbjen e tyre më të thëllë.
“PD ka vrasës në parti, Berisha 520 mijë vota ka të tëra dhe do shkojë më keq po vazhdoi. Partia më e kriminalizuar dhe më e fëlliqur që duhet reformuar, ka në krye një të korruptuar dhe që ka urdhëruar vrasje. Ju jeni hajdutë vetë dhe akuzoni të tjerët (i drejtohet Logut). Po LaCivitës pse ia dhatë 6 milionë dollarë, apo për të pastruar halen e PD-së? A e pastroi? Jo! Mori paratë dhe iku. PD mori humbjen e saj më të keqe. PD ka derë ku troket LaCivita (ironizon)”, tha avokati.
Ai analizoi edhe fushatën në dy kohë:
“Fushata ishte ndër më të mira, ishte i qetë, nuk ishte si i 26 majit 1996 me Gazideden që u përgjakën nga Berisha. I kujtojmë ato çfarë bëri Berisha më 1996 dhe 1997, nga helmi dhe forcat, me lista personash për t’u vrarë apo për t’u zhdukur. Këto zgjedhje treguan përfundimisht se këta që janë në pushtet, edhe pse pushteti të konsumon në 12 vjet, kanë bërë aq shumë punë brenda dhe jashtë vendit në diplomaci, për përfaqsësimin e Shqipërisë, sa ky popull ia shpërbleu me 83 mandate këtej dhe 50 andej”, theksoi Beqiri.
Kurse juristi Logu e kundërshtoi duke thënë se vetëm me 3 muaj fushatë, pasi ishte i izoluar në arrest, Berisha bëri 520 mijë vota dhe nëse do ishte i lirë do kishte bërë edhe më shumë. Ai pretendoi se mazhoranca i bleu zgjedhjet me banda kriminale dhe se do bëhej një dosje që do i dërgohej SPAK-ut.
“Për tre muaj që doli në fushatë sepse ishte në arrest, mblodhi 520 mijë vota. Nuk do përsëritet më skenari i 2021, u bë masakër zgjedhore me banda dhe kriminela, nga Tirana më Xhabaftët deri në rrethe. Më 2021 ishin të kapura nga Sorosi, u përdor USAID. Nuk është më lobi i Sorosit në Shqipëri dhe as Basha në PD, që u pranua rezultati. PS nuk do e gëzojë këtë mandat sepse ia dinë forcën Berishës. PD ka ngritur ura bashkëpunimi me DASH, nuk i ka më të ngrira. PD po bën gati dosjen voluminoze për në DASH nëpërmjet kompanisë lobuese, sepse të gjithë do shkojnë në burg. PD sot ka një derë ku troket. U prish balanca e pushteteve, s’mund të merrte PS 83 mandate”, tha Logu.
Avokati Idajet Beqiri ironizoi kreun e PD-së Sali Berisha teka u pyet nëse ai duhet të largohej nga drejtimi pas humbjes së thellë më 11 maj, që është rezultat edhe më i dobët se i vitit 2021 kur drejtonte Lulzim Basha.
Duke lakuar kuptimin e foljes ‘ik’, ai u shpreh se “Berisha nuk duhet të ikë, sepse duhet të përballet këtu me drejtësinë dhe duhet të shkojë në burg”.
Avokati tha se qëllimi i PD-së ishte të prishte edhe Samitin e Europës në Tiranë, duke përdorur “daulle serbe” me protestën e zhvilluar.
“Ky rezultat vjen për shkak të punës dhe ndryshimeve. Shiko se si vepron PD me ‘200 petritët e saj’, kur në Tiranë vijnë 47 udhëheqës Europe për Samit dhe ata shkojnë e prishin me çingije dhe daulle Serbie. Mori helme, avionë dhe ushtri e shkoi në jug për t’i vrarë më 1997. Saliu ka gjakun serb, serb lindi dhe serb do vdesi. Ka Karaxhiçin ai ndaj dhe ju vdisni për të.
Berishën e mori ferra uratën, do e mbylli në burg se ka vrarë më 21 janar, Gërdec, Tropojë, ka vjedhur”, u shpreh ai.
Por a duhet të largohet Berisha?
“Këta edhe në humbje nuk dinë si të sillen. Po të ishte diferenca me 1 deputet, mendo se si do të silleshin këta. Unë lutem që Berisha të mos iki, le të rrijë, atë duam ne, se humbjen e ka të sigurt. Nuk duhet të ikë jashtë ai, as të arratiset, të rrijë këtu, se duhet të përballet me drejtësinë për ato që ka bërë! Ju ngelët te 90-ta, morët fund. Me këta që janë sot duket se PD do mbetet shumë gjatë në opozitë”, përfundoi Beqiri.
Kurse Logu tha se Berisha nuk duhet ta linte drejtimin e PD-së, pasi i duhet partisë në betejat e ardhshme në Parlament dhe jashtë tij, duke mos përsëritur gabimet e Bashës.
“Në mënyrë kategorike Berisha nuk duhet të ikë nga PD. Nëse do ishim në rregulla normale po, por përballë bandave si Xhabaftët, Suel Çela etj., jo, nuk duhet ë ikë, në këtë mënyrë merr Behar Bajrin dhe bëjeni kryeministër. Po mblidhen të gjitha provat e vjedhjes së votave, do veçohet dosja e zezë e 83 mandateve të Ramës, do ketë luftë frontale, pushteti fitohet vetëm me pushkë. PD nuk duhet ta braktisë Kuvendin, nuk duhet ta përsërisë më gabimin e Lulzim Bashës, sepse partia po i vuan akoma gabimet e tij”, tha Logu për Report Tv.
Komente
